Ja si do hetohen pronat e vjedhura

 

Nga Adriatik Llalla

Prokuroria e Përgjithshme i kushton rëndësi të veçantë bashkëpunimit ndërinstitucional, në këtë kuadër e vlerëson dhe nënshkrimin e kësaj marrëveshje me Avokatin e Shtetit dhe AKKP. Me anë të kësaj marrëveshje institucionet tona synojnë koordinimin e veprimeve dhe aplikimin e gjithë mekanizmave të duhura ligjorë për të vepruar për rikthimin e ligjshmërisë në çështjen e pronave.

Hetimi i fallsifikimit të dokumentave pronësore, ka një specifikë të veçantë, pasi bëhet fjalë për një paligjshmëri të shtrirë në kohë. Ky lloj hetimi ka vështirësitë e tij, për shkak të kohës së gjatë, problematikave ligjore ndër vite dhe amnistive të miratuara në kohë ndryshme.

Në kuadër të kësaj Marrëveshjeje, Prokuroria merr përsipër që të hetojë deri në fund çdo rast të fallsifikimit të dokumentave të pronave, pavarësisht kohës se kur është kryer vepra penale. Në çdo rast të vërtetimit të fallsifikimit të dokumentave të pronave nga ana e Prokurorisë do të vijohet që të ndiqet rruga ligjore për personat përgjegjës.

Në rastet kur për arsye të ndryeshme ligjore personat përgjegjës nuk mund të merren në përgjegjësi penale, atëherë Prokuroria do të ndjekë dy rrugë:

Do të zhvilloj hetime si dhe do të kryhej ekspertimet e dokumentave të pronësisë kur dyshohet që ato janë të fallsifikuara. Në rast se vërtetohet fallsifikimi, atëherë provat do t’i vihen në dispozicion palëve në proçeset gjyqësore civile kur prona ka qënë private, ose Avokaturës së Shtetit në rastet kur prona e përfituar me dokumenta të fallsifikuar ka qenë publike.

Po ashtu, Prokuroria do të vijojë të zhvillojë hetime për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”, në rastet kur prona e përfituar në mënyrë të paligjshme është përfshirë në qarkullim civil.

Volumin më të madh të veprave penale të kësaj natyre e ka Qarku i Vlorës dhe për këtë arsye e vlerësuam që nga Vlora të përcillnim mesazhin e bashkëpunimit ndërinstitucional për hetimin e tyre.

Prokuroria e Përgjithshme do të angazhojë prokurorë shtesë në ato prokurori, ku kjo problematikë është më e theksuar. Hetimi i këtyre rasteve kërkon shtesë të burimeve njerëzore dhe mjeteve teknike për kryerjen e ekspertimeve grafike, me qëllim kryerjen në kohë të hetimeve të plota e të gjithanshme dhe vënien para përgjesisë ligjore të personave përgjegjës.

Fallsifikimi i dokumentave të pronave dhe tjetërsimi i tyre krahas përgjegjësive penale ka sjellë pasoja të rënda ekonomike dhe sociale. Prokuroria me anë të kësaj marrëveshje shpreh vullnetin e saj të plotë për të hetuar këto çështje të cilat janë jo vetëm një prioritet për t’u përmbushur në rrugën drejt Bashkimit Europian, por sidomos për t’i dhënë qytetarëve shqiptarë atë që njihet që nga kohët më të lashta – “e drejta që pronën ta gëzojë ai që i takon”.

Ne vlerësojmë vullnetin e institucioneve të tjera, nënshkruese të kësaj Marrëveshje, bashkëpunimi me të cilat është shumë i rëndësishëm.

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Policia e Shtetit kanë mundësitë të mbledhin të dhënat e nevojshme dhe të referojnë në Prokurori çdo rast paligjshmërie lidhur me çështjet e pronave.

Institucioni ynë ka për detyrë hetimin e plotë e të gjithanshëm të këtyre rasteve vënien para përgjegjësisë penale të personave përgjegjës si dhe të vërë në dijeni Avokaturën e Shtetit për të ndjekur civilisht rastet kur janë tjetërsuar pronat publike.

Institucionet tona në bazë të kësaj marrëveshje bashkëpunimi, krijojnë një terren të përshtatshëm për këtë koordinim specifik, i cili është shumë i nevojshëm për kthimin e të drejtës së pronës atij që i takon.

*Fjala e prokurorit të përgjithshëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit për hetimin e fallsifikimit të pronave.

SHKARKO APP