Jemi dashuruar me një kryeministër të huaj

Nga Berat Buzhala*

Ka disa javë, që kur më jepet të shkruaj diçka për punën e Qeverisë, instinktivisht dora më shkon të shkruaj për Qeverinë e Shqipërisë. Për Kryeministrin Edi Rama. Një gjë e tillë nuk është e keqe vetvetiu.

Tregu medial, ky online, tashmë pothuajse është integruar tërësisht. Në Kosovë 'letra e hapur e infermieres për Edi Ramën' u lexua dhe u komentua sikur të kishte qenë një letër për Kryeministrin e Kosovës. E shoh që edhe në Shqipëri imami nga Kosova Shefqet Krasniqi njihet sikur të ishte imam në një xhami të Tiranës.

Një shkrim i botuar në Express, botohet edhe tek Tema, apo tek Lapsi në Shqipëri, dhe anasjelltas. Kemi filluar ta lexojmë edhe njëri tjetrin, për problemet tona. Pra, është çështje perspektive. Në Shqipëri kanë filluar të interesohen se cili është mendimi ynë për ta; kurse në Kosovë interesohemi se çfarë thotë Mero Baze, apo Armand Shkullaku për ne. Edi Rama e Sali Berisha po se po. Tek e fundit, kjo është ajo çfarë e kemi kërkuar. Të përzihemi në punët e njëri-tjetrit, e bashkë me ne të përzihet edhe ekonomia. Të përzihemi aq shumë, sa të fillojmë t'i themi njëri tjetrit se kemi filluar të përzihemi tepër. Deri këtu krejt në rregull. Por nuk është në rregull që aktualisht 'lajmet' po i bën vetëm njëri Kryeministër, dhe vetëm njëra Qeveri. Ajo e Edi Ramës.

Për mirë apo për keq, Edi vazhdon të prodhojë lajme. Me një energji të jashtëzakonshme, jo gjithherë të kanalizuar në mënyrën e duhur, por Kryeministri i Shqipërisë, nëse është nevoja vjen edhe në Prishtinë dhe bisedon me segmente të caktuara të shoqërisë civile, qofshin ata edhe kukulla të dikujt. Kurse, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, fjalëpërfjalshëm është në 'gjumë dimëror'. Krejt çfarë kemi parë, e dëgjuar, deri tash prej Isa Mustafës është një intervenim estetik në muret e zyrave të tij, duke i kthyer prej ngjyrë hiri, çfarë kishin qenë, në ngjyrë të kaltër.

Është plotësisht e vërtetë se brenda kësaj kohe të shkurtër Mustafa nuk ka mundur të bëjë diçka përmbajtjesore. Nuk ka mundur, ta zëmë, që ta përfundojë autostradën për Shkup, e që ta përmirësojë gjendjen në shëndetësi, e në arsim. Këto janë çështje të një mandati, më së paku. Mirëpo, ka mundur, që gjatë kësaj kohe së paku të flasë me ne, përtej reagimeve inatçore të shkruara në FB. Ai duhet të lirohet prej kompleksit, ose prej akuzave banale, se qenka kukull e Hashim Thaçit dhe e Kadri Veselit. Dhe ai këtë gjë nuk ka nevojë as ta dëshmojë, duke u përplasur me fjalë, me një palë ose me një tjetër. Mirëpo ka mënyra tjera që Mustafa mund ta dëshmojë personalitetin e tij, ndaras prej paraardhësit të tij. Në fakt, një të tillë mundësi Mustafa e kishte, dhe e ka, lidhur me çmimin e naftës në Kosovë. Të gjithë e dinë që naftëtarët janë të lidhur me shumicën e subjekteve politike në përgjithësi, dhe me PDK'në në veçanti.

Aktualisht, këta tregtarë dhe importues të naftës, po na e shesin produktin e tyre me një çmim dukshëm më të lartë sesa i njëjti shitet, për shembull, në Maqedoni. Ligj për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 2004/5 për tregtinë me naftë dhe derivate të naftës në Kosovë, ia mundësonte Kryeministrit Mustafa që të ndërhynte për të stabilizuar çmimin e këtij produkti. Mirëpo, deri më tash Mustafa as që ka denjuar të flasë për këtë çështje. Dhe jo vetëm për këtë çështje. Por ne nuk i kemi dëgjuar opinionet e Kryeministrit, ose qëndrimet e tij, edhe për plot çështje tjera. Qëndrimet e tij, nëse ka pasur ndonjë deri më tash, kanë qenë të squllëta. Me ketë qasje, Kryeministri Mustafa po vazhdon të dërgojë më së shumti ujë në mullirin e atyre që kanë qenë skeptik në punën e tij që prej fillimit, duke thënë se Mustafa nuk do të arrijë të dalë asnjëherë nga hija e Thaçit. Në fakt, aktualisht edhe po e kam të vështirë që të shkruaj, jo për çfarë ka bërë, por për çfarë ka thënë Isa Mustafa gjatë kësaj kohe.

Nuk po arrij të kujtohem nëse Isa Mustafa ka thënë ndonjë gjë për gjendjen në shëndetësinë e vendit tonë? Dhe nuk po kujtohem nëse ai fare e ka vizituar ndonjë qendër të shëndetit publik, për të treguar prej atje se çfarë do të bëjë ai për shëndetësinë gjatë mandatit të tij? E njëjta vlen edhe për gjendjen në arsim, atë në ambient dhe kështu më radhë. Kurse prej zhdukjes së Mustafës, çuditërisht, nuk është duke përfituar askush prej skenës politike në Kosovë. Këtu më së shumti është duke përfituar Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me trikat e tij të zgjuar artistik.

Ai për një kohë të shkurtër ka arritur të shndërrohet në një hero për shqiptarët e Kosovës, që janë banorë të FB'ut dhe Twitter'it. Çdo ditë e më tepër në FB lexon statuse të kosovarëve për Edi Ramën 'ky është Kryeministri im'. Në këtë botë krejtësisht virtuale, Ramës ju deshën dy-tri lëvizje akrobatike jashtë Tiranës, siç ishte ajo në Beograd, dhe tash kjo në Francë, për t'u bërë politikani model për pjesën më të madhe të elektoratit shqiptar të Kosovës, që është rinia, e të cilët, për fatin e tyre të keq, ofertat në Prishtinë i kanë jashtëzakonisht të varfra. Liderët politikë në Prishtinë, krahasuar më Ramën, duken si politikanë të një shekulli, ose mileniumi të kaluar.

Dikush mund të thotë se Albin Kurti intelektualisht mund të matet me Ramën, e edhe me secilin politikan botëror. Teknikisht një deklaratë e tillë mund të jetë e saktë. Por praktikisht problemet e Kurtit janë të shumta. Ai vazhdon të jetë një peng i së kaluarës, që assesi nuk mund të tejkalojë vitin 1999, në mënyrë teknike dhe një milenium të tërë në mënyrë ideologjike. Për më tepër, Kurti, në mes tjerash, nuk ka llogari të hapur as në FB, e as në Twitter. Sepse, si duket – dhe ketë ai e ka thënë edhe vet – ai nuk beson në ketë formë të komunikimit. Kurti realisht i frikësohet të komunikojë me njeriun têtê-â-têtê, gjë që pashmangshëm ta ofrojnë rrjetet sociale.

Ai edhe më tepër beson në mitingje, ku ai flet dhe të tjerët duartrokasin. Në rrjete sociale kjo nuk ekziston. Kurtit i dëshirojmë çdo të mirë në jetë, por aktualisht ai është duke komunikuar me popullin vetëm përmes televizioneve, që i bie se është duke komunikuar me një gjeneratë që ka lindur në mesin e dy luftërave botërore. Kurse, pos Kurtit, shumica e politikanëve të tjerë në vend e kanë të hapur llogarinë në FB. Mirëpo, në mënyrën se si ata e përdorin ketë rrjet, sikur të isha unë Mark Zuckerberg'u, do t'ua kisha mbyllur. Për shembull, për Isa Mustafën, FB'u nuk është asgjë tjetër, pos një formë pak më bashkëkohore e komunikatave që dërgoheshin me e-mail. Në anën tjetër, Hashim Thaçin, me anë të FB'ut është duke i shëruar kompleksin e tij historike: për të pasur nën kontrollin e tij të plotë një medium të tërë. Aktualisht Thaçi, në këtë formë, po e kontrollon FB'un.

Në mënyrë të pashpirt. Mjafton të shihet fotolajmi i tij i mbrëmshëm, ku Thaçi shihet 'duke punuar në aeroplan'. Ishte komike. Për fatin tonë të keq, kemi filluar të dashurohemi në një Kryeministër të huaj.

Shqipëria de fakto nuk është shtet i huaj, por de jure është. Ne nuk kemi pse i trembemi suksesit të Edi Ramës, por as nuk kemi pse fluturojmë nga gëzimi. Nëse na pëlqen shumë, atëherë duhet ta prodhojmë Edin tonë. Sepse ne e kemi shtëpinë tonë dhe Kryeministrin tonë, që si duket e ka lëshuar toka.

*Express

SHKARKO APP