Jemi mirë apo nuk dimë ku jemi?!

Nga Mili Xhani
Më 8 mars, kur u zyrtarizua rasti i parë më COVID-19, kryeministri tha se po ndiqte skemën më agresive për të fituar luftën e pashembullt me virusin. Për të zbatuar këtë skemë morëm masat që as Kina, Irani dhe Koreja e Veriut vështirë se i kanë zbatuar. Me urdhër gojor, pa vendim qeverie dhe parlamenti u mbyllen lokale, restorante, biznese dhe Shqipëria hyri në shtetrrethim. Pa u shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore dhe pa u miratuar asnjë vendim në Fletoren Zyrtare vendi hyri në karantinë. Gjatë tetë javëve izolim, qeveria dhe kryeministri kryen operacione të mirëfillta propagande që meritojnë të jenë temë studimi për mënyrën sesi mund të bëhen eksperimente sociale në një popullatë të traumztizuar. Strategjia e ndjekur nga qeveria është quajtur po nga vetë ajo si e suksesshme. Suksesin që mesa duket nuk e kuptojnë shqiptarët, sipas kryeministrit dhe ministrave e kanë zili edhe shumë vende të tjera. Nuk po flasim për shtetet e rajonit, por për vende të BE dhe ekonomi të zhvilluara që kanë mbetur të mahnitur nga strategjia jonë anti-korona. Ndërkohë që çdo ditë i thurim lavde vetes dhe mrekullohemi me sukseset, shifrat zyrtare të vetë qeverisë shkojnë kundër entuziazmit kombëtar. Pas 44 ditësh shtet rrethim propaganda është zbehur, ndërsa virusi vazhdon të jetë mes nesh njëlloj si më parë. Jemi në javën e shtatë të pandemisë dhe izolimit. Sipas saj që Edi Rama si krye ekspert dhe ekspertët e tjerë thanë në muajin mars, pikun dhe rritjen e kurbës duhet të kishim lënë pas me kohë. Sipas të dhënave zyrtare, dje në vend u regjistruan 29 raste të reja më koronavirus. 20 prej tyre në Tiranë dhe nga këto 13 në burgun 313. Kruja dhe Shkodra janë dy qytetet e tjera, pas Tiranës, ku epidemia edhe sipas shifrave të dhëna me pikatore nga qeveria është shqetësuese. 29 raste të reja në ditë kemi pasur gjatë javëve kur ekspertët thonë se ishim në pikun e pandemisë. Në të dhënat zyrtare që nga 9 marsi, vetëm më 26 mars kemi pasur 28 raste. Nëse u besojmë shifrave piku i infektimeve nuk ka qenë në prill, por e kemi arritur vetëm dje! Nga ajo çfarë po publikohet këto ditë rezulton se fasoneritë janë kthyer në vatra të infektimeve dhe përhapjes së virusit. Fatkeqësisht është një tragjedi e paralajmëruar nga opozita që në nisje të pandemisë dhe mund të ishte ndalur nga Rama më një urdhër nga Facebook. Gjatë pandemisë ka biznese që janë të detyruar të punojnë pavarësisht kushteve, por këto janë bizneset që sigurojnë produktet bazë. Fasoneritë nuk janë të tilla, por edhe nëse u mbajtën hapur, si ka mundësi që kushtet e punës nuk u verifikuan nga askush? Pas shumë ankesash publike dje u krijua një ide dhe mbi situatën në burgje. Testimi në burgun e Tiranës nxori brenda ditës 13 të infektuar. Të dy rastet, Kruja dhe Tirana, shërbejnë dhe si model për atë që po ndodh në gjithë vendin. Testimet në këto dy zona u rritën vetëm pas presionit të opinionit publik dhe denoncimeve që bënë mediat. Rezultati është fakti se dje kemi regjistruar numrin më të lartë të infektimeve që nga nisja e pandemisë dhe këto të dhëna janë alarmante. Janë alarmante sepse nga këto shifra kuptojmë se qeveria ka ecur në tym. Kryeministri del çdo ditë dhe thotë se jemi mirë në luftën kundër pandemisë. Në fakt, situata qenka më keq. Ende nuk e dimë ku jemi në këtë betejë!

SHKARKO APP