“Jemi të fundit në Ballkan”…pse nuk protestojmë për kombëtaren!
Nga Aranit Muraçi
Ndryshe nga euforia dhe entuziazmi gati i shfrenuar i tifozëve shqiptarë, para ndeshjes me Serbinë, ekipi serb është pritur ftohtë në Beograd pas fitores 2-0.
Askush nuk doli t’i priste apo të festonte fitoren e tyre, kundër Shqipërisë. A mos vallë serbët janë më pak patriotë se shqiptarët?!
Por, megjithatë, i priti kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili deklaroi se qeveria serbe do të ndajë 150 milionë euro, dhe ato janë të garantuara, që përfaqësuesja të ketë një stadium kombëtar, madje më të mirin në rajon.
Ai shtoi se mund të rinovohet stadiumi i Cervena Zvezdës, ai i Partizanit, ose do të ndërtoher një tjetër, çka mbetet të vendoset. Por premtoi se ai do të jetë më i miri në rajon dhe do të ketë 50 apo 60 mijë vende për tifozët.
Në kontrast me këtë lajm, projekti për rikonstruksionin e stadiumit “Qemal Stafa” vazhdon të mbetet nëpër sirtare, është shtyrë dhe ndryshuar disa herë, sepse nuk ka para për ndërtimin e tij. Bëhet fjalë për jo më shumë se 50 mln euro dhe për një stadium që nuk do të ketë më shumë se 25 vende të ulura.
Stadiumi që u ndërtua me shpejtësi në Elbasan, aty ku luan aktualisht kombëtarja, nuk mban më tepër se 13 mijë vende dhe nuk kushtoi më shumë se 5 mln euro. Por dihet se sa herë luan kombëtarja lë jashtë me mijëra të tjerë.
Stadiumi i Shkodrës, që po financohet me rreth 15 mln euro, dhe do të ketë një kapacitet më të madh, pritet të jetë stadiumi i dytë në vendin tonë me parametrat e kërkuara nga UEFA e FIFA. Por do të ketë një kapacitet sërish me shifra jo fort të kënaqshme, rreth 17 mijë vende.
Serbia, që i ka dy stadiume me kapacitete mbi 30 mije vende në Beograd, të pranueshme nga UEFA dhe FIFA, po bëhet gati për ndërtimin e një stadiumi të ri dhe modern.
Vendet e tjera të Ballkanit, Bosnja, Sllovenia, Kroacia, dhe madje Maqedonia e kanë nga një stadium me kapacitet normal ku pret ndeshjet ekipi kombëtar i tyre. Kanë edhe infrastrukturë më të mirë sportive dhe janë kualifikuar në eventet e mëdha.
Pothuajse të gjitha këto vende e kanë prekur ëndrrën e Europianit apo Botërorit.
Nga Ballkani Perëndimor, Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi, ku në dy të fundit gati gjysma e popullsisë është shqiptare, ende nuk kanë luajtur në finalet e një kompeticioni madhor. Mos harrojmë se kombëtarja shqiptare përfaqësohen jo vetëm nga Shqipëria, por nga një popullsi prej 6-7 milionë banorësh, mos më shumë.
Pra, realisht jemi pa stadiume, pa terrene sportive dhe në pritje të kualifikimit të parë historik, si asnjë vend tjetër i Ballkanit, sose e thënë ndryshe, “Ne jemi të fundit në Ballkan.”
Harxhojmë frymën kot, nëse krahasohemi me vendet e tjera, Greqinë, Turqinë, Rumaninë apo Bullgarinë. Për arritjet e tyre, mjafton të kesh sadopak njohuri sportive.
Të krahasohemi me Gjermaninë apo Holandën, do të ishte qesharake. Holanda rrezikon edhe zonën "Play-off" në Euro 2016, por tifozët holandezë janë të qetë, sepse autoritetet e këtij vendi u kanë premtuar se po punohet për fitimin e Kupës së Botës, Rusia 2018. Si finaliste e Afrika e Jugut 2010 dhe e treta e Botërorit Brazil 2014, na bën ta besojmë edhe ne shqiptarët se Holanda edhe pse mund të mos shkojë në Francë, ka shanse të shpallet kampione bote, më 2018.
Shqiptarët para se të jenë euforikë entuziastë dhe të festojnë gati çmendurisht duhet edhe të protestojnë apo dhe të jenë të trishtuar. Duhet të gjejnë arsyet, se pse jemi të fundit në Ballkan dhe pse pa infrastrukturë sportive. Përse paratë e tyre janë “djegur”, nga kush, dhe përse nuk shkojnë atje ku duhet, në infrastrukturë? Përse talenti digjet dhe nuk vlerësohet, në Shqipëri, nga kush dhe përse ndodh?
Dhe përse në stadium kur luan ndeshjet kombëtarja, në vend që të ishin ata që shkruan historinë e kombëtares sonë ndër vite, që e kanë përkrhahur atë, dhe ndoshta s’kanë fituar asgjë, si Sabah Bizi me shokë, ndesh politikanë e zyrtarë pa kriter, të cilët i ndesh edhe nëpër ekrane para ndeshjeve duke dhënë leksione patriotizmi. A thua se i kanë ndrequr punët mirë në politikë, dhe tani pret futbolli sukses prej tyre!
Kjo kombëtare, që pavarësisht se i humbi dy ndeshjet e fundit Euro 2016 me Portugalinë dhe Serbinë në minutat e fundit, është megjithatë pranë kualifikimit historik, nëse merr tre pikët e fundit në Armeni. Në të kundërt do të jetë në zonën “Play-off” dhe prapë me shanse kualifikimi.
Por megjithatë, kjo kombëtare nuk është e qëndrueshme. Ajo nuk vjen si meritë e ndokujt, e ndonjë politike a ndonjë strategjia nga njerëz vizionarë për zhvillimin e sportit në Shqipëri, që të ketë sukses ndërkombëtar. Ajo aktualisht përbëhet nga lojtarë vërtet të talentuar, por që janë përgatitur dhe rritur kryesisht nëpër klubet e Europës, dhe jo në Shqipëri. Drejtohen po ashtu nga një trajner profesionist italian, si Gianni de Biasi.
Nuk ka asnjë garanci që pas këtij brezi të kemi lojtarë të tjerë cilësorë që rriten në Europë, të kemi një ekip të fortë, për të shpresuar kualifikimin edhe në Rusia 2018, përderisa në Shqipëri ose dalin pak lojtarë cilësorë, ose fare.
Në vend të festave dhe gëzimit të parakohshëm, duhet të pranojmë pra faktin që jemi të fundit në Ballkan, të gjejmë arsyet, të protestojmë dhe të bëjmë diçka, të ndreqim defektet që nuk shkojnë. Duke mos bërë shpikje, por duke ndjekur modelet më të mira, si të gjitha vendet e tjera të Ballkanit, jo Europës, që e kanë arritur para nesh suksesin ndërkombëtar. Kështu do të kemi shanse reale, për t’u ngjitur fillimisht në vend të parafundit dhe kështu me radhë deri sa të dalim… pse jo, të parët, në Ballkan. Ndoshta atëherë, ëndrrat marrin fund një herë e përgjithmonë dhe zbresim në realitetin që na rrethon!