Jo debatit të kotë për non-gratën

Nga Çim Peka-

Vendimi i djeshëm i Sekretarit të Shtetit Rubio rihapi edhe një herë debatin që kishte kohë që ishte harruar në diskursin politik të brendshëm. (Pa) mundësia e udhëtimit të Sali Berishës në SHBA ka qenë debat i kotë atëherë, është debat i kotë edhe tani. Sepse, thelbi i asaj goditjeje ndaj tij nuk kishte të bënte me biletë avioni, por me raport të qeverisë së Shteteve të Bashkuara me Sali Berishën.

Rikujtimi i kontekstit të asaj mase është i rëndësishëm për të kuptuar thelbin. Sekretari Blinken shpalli vendimin e tij në më pak se një muaj nga humbja elektorale parlamentare e dytë radhazi e Lulzim Bashës, pas dy humbjeve të tjera lokale (njëra përmes bojkotit). Mungesa e konkurrencës serioze brenda partisë, e ekspozonte Berishën si të vetmin personalitet që mund ta largonte këtë humbës kronik nga lidershipi i partisë më të madhe opozitare. Ndaj goditja që iu bë Berishës ishte veprim i mirëllogaritur për të mos cenuar Bashën. Ky i fundit i duhej si humbës edhe Ramës dhe atyre që qëndronin pas Ramës. E thënë kjo, ajo goditje nuk ishte ndaj Sali Berishës si individ, por goditje ndaj vetë opozitës dhe pluralizmit politik në Shqipëri. Kjo u dëshmua edhe në kalvarin disa vjeçar gjyqësor për simbolet dhe trashëgiminë politike të Partisë Demokratike.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ndryshe nga opinioni publik dhe ne nëpër studio, demokratët e thjeshtë e kuptuan thelbin e asaj goditjeje, ndaj iu bashkuan Sali Berishës në Foltore, në Kuvendin e 11 dhjetorit dhe në luftën për të rimarrë partinë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Këta demokratë e rrëzuan non-gratën si pjesë e debatit të brendshëm shqiptar më 11 dhjetor 2021 dhe rikonfirmuan këtë me 500 mijë votat në zgjedhjet e vitit të shkuar.

Shuarja e non-gratës si debat i brendshëm, nuk e kishte shuar atë si pengesë në raportet ndërkombëtare të Berishës dhe Partisë Demokratike. Për pesë vjet ata vazhdonin të ishin të izoluar diplomatikisht dhe politikisht. Ky izolim, i lejoi Edi Ramës ta kthente Shqipërinë në një narkoshtet, të vidhte zgjedhjet, të masakronte opozitën politikisht dhe ligjërisht, të burgoste lidershipin e saj, dhe të kthehej në një hajdut i babëzitur i parave dhe pronës publike.

Për pesë vjet, Sali Berisha nuk kishte asnjë komunikim të drejtpërdrejtë me përfaqësitë diplomatike në Tiranë. Ndaj, lajmi dje nuk ishte heqja ose jo e non-gratës, por fakti se ai pati komunikimin e parë të drejtpërdrejtë me përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara në Tiranë për më shumë se gjysmë dekade. Jo nenet e një ligji specifik të SHBA-ve, por dalja nga izolimi diplomatik dhe politik është thelbi i lajmit të brendshëm. Me këtë, ai dhe partia e tij rikthehen në një interlokutor dhe partner jo vetëm i SHBA-ve por edhe i BE-së dhe vendeve anëtare të cilët edhe pse jozyrtarisht kishin ndjekur linjën e Shteteve të Bashkuara.

Siç kishte rëndësi konteksti i shpalljes në majin e vitit 2021, ka rëndësi konteksti tani. Prej 12 ditësh shqiptarët janë ngritur në këmbë kundër qeverisë së Edi Ramës. Protesta është e paprecedentë në 35 vite. Është një protestë që bashkon neo-marksistë dhe ballistë, myslimanë, islamistë, ortodoksë dhe katolikë; konservatorë dhe LGBT-istë; demokratë dhe socialistë. Një protestë që bashkon ambientalistë dhe sipërmarrës. Shumë prej tyre e quajnë revolucion. Po, në fakt protesta ka formën dhe përmbajtjen e një ‘Revolucioni me ngjyrë’, si në pranverën arabe, Ukrainë, Gjeorgji, etj. Deri dje. Nga dje, nuk është më i tillë, por një revoltë pikë së pari e gjithë Shqipërisë ndaj qeverisë, dhe sigurisht, rryma, grupime dhe partiçka që duan ta kapitalizojnë për vete, duke goditur majtas dhe djathtas.

Demokratët janë në shesh si forca më e madhe në sasi dhe cilësi. Nuk janë demokratët që iu bashkuan sheshit, por sheshi që iu bashkua demokratëve, pasi ata janë aty prej 13 vjetësh.

Ndaj, dita e djeshme nuk ishte dita e Sali Berishës, por dita e demokratëve. E atyre gjysmë milioni që qëndruan fort, përballë varfërisë, joshjes, goditjeve, burgosjeve, përçmimit, dhunimit dhe largimit. Ata pak protestues që thërrasin për rrëzimin e të gjithë sistemit duhet t’u jenë mirënjohës këtyre demokratëve që qëndruan dhe ua ruajtën sheshin dhe mundësinë e protestës. Le ta rrëzojnë Edi Ramën bashkë, dhe pastaj të ndjekin rrugë të ndara në zgjedhje të parakohshme, po të duan.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?