Jo, Olldashi nuk qe model antiberishë

Jo. Sokol Olldashi ishte vërtet një politikan i ri dhe i guximshëm, por ai nuk qe aspak i ndryshëm nga modeli i mbështetësit dhe promovuesit të tij, Sali Berisha. Ishte pikërisht Berisha ai që e futi atë në politikë dhe e ngriti në lartësinë e drejtuesit të PD-së. Së bashku me Berishën, Sokoli sendërzon opozitën e vështirë të viteve 2001 -2005. Së bashku me të ai u bë simboli i fitores kundër Fatos Nanos. Në tetë vite qeverisje të demokratëve, ai pothuajse gjatë gjithë kohës ishte një nga anëtarët e rëndësishëm të kabinetit (me përjashtim të periudhës kur kandidoi për bashkinë e Tiranës në vitin 2007) që përkrahu deri më një të gjitha vendimet e kryeministrit.

E gjithë kjo histori tashmë dihet. Dihet gjithashtu se Olldashi pati një besim të verbër tek Berisha deri në fund. Kur pas humbjes shkatërruese të 2013, ai vendosi të konkurrojë për të zënë vendin e liderit historik, së bashku me kolegë të tjerë, jemi takuar disa herë, në tavolinat e mbrëmjes rreth një gote. Thirrja e profesionit të dikurshëm e bënte atë shpesh t’i kthehej miqësisë me ish- kolegët gazetarë, e madje të interesohej për mendimin e tyre. Në këto moment para betejës, i kam dëgjuar pothuajse të gjithë kolegët e mi t’i thoshin njëzëri, se gara tek e cila shpresonte ishte një garë e mbyllur, se Berisha tanimë e kishte caktuar pasardhësin dhe se këtë e dinin të gjithë. Por këmbëngulës dhe shpesh kokfortë në bindjen e tij, siç dinte të qe Sokoli, ai insistonte. Ai të thoshte se në zyrën e tij, Berisha i pat dhënë fjalën se ajo do të qe një lojë e hapur dhe e ndershme. Besimi i tij i tejkalonte kufijtë e së logjikshmes. Kur ajo që i kishin parathënë të gjithë ndodhi, ai doli publikisht ta denonconte këtë garë, mungesën e votuesve në lista dhe rrënimin e votës së fshehtë. Në deklaratën e tij kishte dhimbje, tradhti dhe zhgënjim. Por vetëm kaq. Asgjë më shumë.

Sepse gjithkush e dinte se PD-ja ashtu sikurse ekzistonte për mbi 20 vjet, ishte një organizëm ku diellin dhe shiun e bënte një njeri i vetëm. Edhe Sokol Olldashi kështu ishte ngritur brenda saj. Atëherë kur Berisha kish vendosur të digjte dhjetëra e dhjetëra karriera të tjera, për t’i hapur rrugën brezit të Sokolit. Ai vetën kishte përfituar nga kjo mënyrë organizimi e PD-së dhe asnjëherë nuk i qe kundërvënë asaj. Nuk kish kuptim ta bënte këtë, në ditën kur e provoi në kurriz të tij.

Thënë këtë, nuk dua të nënkuptoj asesi që Sokoli ishte nga ata servilët e dobët që i binden në çdo gjë shefit. Jo ai qe e kundërta e kësaj. Nëse në sistemin që kish ngritur Berisha njerëzit mund të ndahen në dy grupe: në kokëulur dhe sfidantë, patjetër që Sokoli hynte tek të dytët. Koha e gjatë në opozitë, njohja e mirë e PD-së dhe njerëzve të saj, i kishin dhënë atij kurajën dhe përvojën për t’i përbuzur servilët, për t’i nxjerrë nga zyra ata që i flisnin në emër të “atij të madhit” qoftë ndonjëherë edhe për ta kundërshtuar vetë Berishën, gjatë mbledhjeve të kabinetit. Por vetëm kaq. Midis berishistëve kokulur dhe berishistëve kryelartë, ai renditej padyshim tek të dytët.

Por, nga kjo të arrish të mendosh se ai përfaqësonte një model të ndryshëm brenda demokratëve, është të fabrikosh një të pavërtetë. Është të humbasësh logjikën dhe koherencën. Sepse Sokol Olldashi, qe pjesë e sukseseve dhe dështimeve të Berishës. Një nga episodet e fundit të ekzistencës së tij, nuk mund të zhbëjë 15 vite të një jete.

Prandaj ata që duan ti transformojnë ato tani, nuk thonë të vërtetën. E bëjnë në rastin më të keq, për nevojat e ditës, ndërsa në rastin më të mirë, duke imagjinuar se si do të sillej Sokoli sot. Por fatkeqësisht Olldashi nuk e pati këtë fat. Ai iku me aq nxitim sa nuk i la askujt të drejtën, për të përfytyruar se si do të qe më pas.   

SHKARKO APP