Jo Republikës së Prokurorëve!
Nga Fatos Çoçoli
Togfjalëshi “Republika e Prokurorëve” përdoret kudo në botë, sidomos në vendet që synojnë të vendosin sundimin e shtetit ligjor, për të përshkruar një situatë ku pushteti dhe ndikimi i organit të akuzës rritet në atë masë, sa të krijojë një disproporcion me balancën tradicionale të pushteteve në një shtet të së drejtës.
Rreziku që shoqëria të bjerë nën një republikë prokurorësh është shtuar pas Reformës në Drejtësi dhe krijimit të institucioneve të posaçme për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit shtetëror. Këto struktura kanë kompetenca të zgjeruara dhe burime të konsiderueshme. Problemet kryesore që po shfaqen, për fat të keq, për fatin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vendin tonë, lidhen me shkeljen flagrante të parimit të balancës së pushteteve.
Nëse prokuroria ka fuqi të tepruar, pa mekanizma të mjaftueshëm kontrolli dhe llogaridhënieje, atëherë ajo shndërrohet në një pushtet të pavarur mbi institucionet e tjera, duke zbehur rolin e gjykatave, Kuvendit, medias dhe shoqërisë civile.
Sot është bërë shprehje e përditshme: “Mos rënsh në dorë të prokurorit!”. Por, pse të jetë kjo një shqetësim publik kaq i madh? Sepse kjo po ndodh për shkak të instrumentalizimit politik. Një prokurori me fuqi të mëdha, por pa transparencë të plotë, mund të përdoret si mjet politik për të ndikuar ndaj kundërshtarëve, duke hapur apo mbyllur çështje sipas interesave të caktuara.
Nga ana tjetër, një prokurori që dominon hapësirën juridike, mund të ushtrojë presion të drejtpërdrejtë mbi gjyqtarët përmes mediave, publikimeve selektive të hetimeve ose manipulimit të opinionit publik. Kjo prokurori – ose prokurorë të caktuar të saj – mund të sulmojnë përfaqësues të biznesit për të kërkuar pasurim abuziv përmes presionit ndaj tyre.
Nëse çdo funksionar publik apo aktor ekonomik e ndien veten nën kërcënimin e hetimeve të zgjatura dhe selektive, krijohet një klimë frike që paralizon veprimtarinë institucionale dhe iniciativën private në Shqipëri. Për fat të keq, në shumë raste kjo tashmë po ndodh.
Rasti i fundit është emblematik. Z. Zef Shtjefni, aksioner në një nga kompanitë më të rëndësishme të prodhimit të materialeve të ndërtimit në vend, si dhe në disa kompani të tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë, u ndalua në korrik 2025, në shkelje të rëndë të procedurave ligjore dhe garancive kushtetuese, pas një aksidenti të ndodhur gjatë punimeve për një projekt në ndihmë të aktiviteteve kulturore dhe artistike të Bashkisë së Lezhës në Shëngjin, projekt i ofruar falas nga dy kompani ku ai është aksioner.
Këto kompani, në bashkëpunim me Bashkinë e Lezhës, një kompani tjetër dhe OSSH-në, po punonin për t’i vënë në dispozicion bashkisë një skenë (platformë) të re për koncertet “E shtuna n’festë”. Z. Shtjefni nuk mban asnjë funksion ekzekutiv apo detyrë administrative në këto kompani, dhe për pasojë, nuk ka përgjegjësi ligjore për veprimtarinë e tyre të përditshme.
Një punonjës i njërës prej kompanive të tij, për shkak të një gabimi të rëndë njerëzor dhe mungesës së përdorimit të pajisjeve mbrojtëse, bie në kontakt me energjinë elektrike dhe humb jetën. Z. Shtjefni nuk ka qenë në vendngjarje dhe nuk kishte dijeni për ngjarjen. Sapo arrin atje, ndalohet nga Policia e Qarkut Lezhë me cilësimin “në flagrancë”, edhe pse nuk mban funksion administrativ në kompanitë përkatëse dhe ende nuk ishte përcaktuar shkaku i ngjarjes.
Ai mbahet në mjediset e izolimit të policisë për katër ditë e katër net, në kushte që rrezikuan jetën e tij, si të ishte administrator me faj, drejtor teknik apo përgjegjës punimesh. Pasojat psikologjike, shëndetësore dhe financiare të këtij arrestimi arbitrar mbeten të rënda dhe me ndikim afatgjatë për individin dhe familjen e tij.
Vendimi për arrestimin e tij nga Prokuroria e Qarkut Lezhë u rrëzua disa ditë më vonë nga Gjykata e Qarkut Lezhë, me vendimin nr. 2071-374, datë 22 korrik 2025, që e shpalli të paligjshëm ndalimin “në flagrancë” të Z. Shtjefni. Megjithatë, ai ndodhet ende në arrest shtëpie, duke u privuar padrejtësisht nga liria dhe mundësia për t’u marrë me kompanitë e tij, ku ka punësuar drejtpërdrejt qindra persona dhe mijëra të tjerë në mënyrë indirekte.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Dhoma e Tregtisë e Qarkut Lezhë, Konfindustria Shqiptare dhe shumë shoqata të tjera të biznesit shqiptar kanë reaguar me shqetësim dhe indinjatë të thellë. Veprime të tilla arbitrare ndaj sipërmarrësve dëmtojnë rëndë klimën e biznesit, cenojnë besimin në institucionet publike dhe përforcojnë perceptimin e pasigurisë juridike dhe ekonomike në vend.
Këto organizata kanë kërkuar me ngulm hetim të plotë, të pavarur dhe transparent për mënyrën e ndalimit të qytetarit dhe sipërmarrësit Z. Shtjefni, si dhe identifikimin dhe ndëshkimin e të gjithë zyrtarëve përgjegjës që kanë shpërdoruar detyrën apo kanë vepruar në kundërshtim me ligjin. Ato i bëjnë thirrje Avokatit të Popullit, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që të monitorojnë dhe ndjekin çështjen deri në zbardhjen e saj të plotë.
Ka ardhur koha që të gjithë, si shoqëri, t’i themi me forcë “Jo!” Republikës së Prokurorëve që po tenton të instalohet në vendin tonë. Duhet të forcojmë mekanizmat e kontrollit dhe transparencës mbi punën e prokurorisë, përfshirë raportime periodike dhe auditime të pavarura. Po ashtu, duhet të sigurojmë që gjykatat të kenë mjetet dhe pavarësinë e nevojshme për të balancuar vendimmarrjen e prokurorisë, dhe të zhvillojmë një kulturë institucionale ku prokuroria të veprojë në shërbim të drejtësisë – dhe jo si një pushtet autonom.
KOHA JONË SONDAZH

