Jo si “gylenist” kunder Erdoganit
Nga Mero Baze
Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan, duket se ka lënë akoma gjallë në Shqipëri një debat delikat lidhur me profilin e tij të fortë fetar që shfaqi gjatë viztës në Tiranë dhe kërkesat autoritariste për ndihmë kundër rivalëve të vet politik.
Disa nga këto probleme janë të fryra, disa janë më të rrezikshme sesa duken, kurse komentet e Berishës rreth kësaj çështje, janë një pasqyrë reale e arsyeve përse ai u prish në pazare me Presidentin e Turqisë.
Pikëpyetjet që ngre vizita e Erdoganit, është së pari kërkesa e tij ndaj autoriteteve zyrtare për lëvizjen Gylen dhe ngjyrimi fetar që i dha në fund të vizitës së tij, inskenimi me një vajzë që recitoi një poezi që bënte thirrje për xhihad.
Kërkesa e tij për lëvizjen, rrjetin e Gylenit, është një sëmundje e tij, një fiksim i një njeriu, që armik më të madh ka kundërshtarin e tij politik dhe me atë vizion e shikon gjithë botën. Pala shqiptare, as Presidenti Nishani dhe as Kryeministri Rama nuk i kanë dhënë mbështetje për këtë, por natyrisht as nuk mund ta zbonin nga zyra pse ai bën një kërkesë të tillë. Thjeshtë e kanë dëgjuar dhe e kanë përcjellë.
Qeveria dhe shteti shqiptar, as duhet të marrë pozicion në këtë luftë politike të Turqisë dhe as mund të miratojë në parim këtë mendësi.
Por në një reagim të sotëm të Sali Berishës për këtë çështje, dukej se zbulohej kriza reale që Berisha ka pasur me Erdoganin, e cila përfshin dy elementë. Elementi i parë është që Berisha, familja e tij dhe disa politikanë kryesorë të tij, përfshi Bashën janë pjesë e sektit të Gylenit dhe janë mbështetur prej tyre. Kjo nuk është se përbën krim, pasi rrjeti i Gylenit nuk është një rrjet terrorist siç pretendon Erdogan, por të qënit partner i tij në formën e një lëvizje masonike, nga shumë figura politike të Berishës dhe njerëz të familjes së tij, natyrisht që ka qenë shqetësim për Erdoganin, pasi i dukej se shteti shqiptar kishte qëndrim të njëanshëm ndaj tij. Kjo është dhe arsyeja që qëndrimet kundër deklaratës së Erdogait janë me dy standarde.
Reagimet në shtyp, përfshi gazetën Tema, Blushin, etj, janë kundër ndërhyrjes brutale të Erdoganit në punët e Shqipërisë, duke na diktuar ta ndihmojmë në larjen e hesapeve me kundërshtarët e tij. Kurse nga pala opozitare nuk ka pasur asnjë reagim, përkundrazi ka vetëm një tendencë për të krijuar idenë se ka një pakt të qeverisë me Erdoganin kundër këtij rrjeti. Kjo rrezikon të bëj palë një pjesë të politikës shqiptare me problemet e brendshme të Turqisë, çka është dhe më e rrezikshme. Kjo është dhe arsyeja e parë përse raportet mes Berishës dhe Erdoganit u ftohën tre vjet më parë. Ndryshe nga tani, atëherë Erdogan e shikonte administratën e Berishës si një partnere të kundërshtarëve të tij dhe mori pozicion politik kundër Berishës.
Arsyeja e dytë, ishte premtimi i gënjeshtërt i Berishës për votën shqiptare pro qëndrimit turk në konfliktin palestinezo-izraelit. Premtimi i Berishës është bërë në rrethana klienteliste, nën faturat e fryra të një kompanie që gllabëroi katër hidrocentrale nën bekimin e të birit të tij dhe disa premtimeve deri për koncesione në industrinë e naftës dhe kromit. Por kur u kthjellua se ai qëndrim binte ndesh me qëndrimin amerikan, Berisha i doli fjale, ndërkohë që i biri kishte mbaruar punët e veta. Kjo ka shënuar dhe krizën verbale mes tij dhe Erdoganit, duke u ndarë si një “edepsëz” prej tij.
Pikërisht këto dy probleme reale që kanë futur në konflikt personal,jo për parime por për pazare, Berishën me Erdoganin, ai tani përpiqet t’i fantazojë si arsye të qëndrimeve të Erdoganit në Tiranë. Dhe tani ai mendon se meqe vet eshte prishur per keto gjera, keta pasardhesit do jene miq se kane bere te kunderten.
E vërteta është se kërkesa politike e Erdoganit është injoruar zyratarisht dhe është kritikuar publikisht, ndërsa mënyra sesi Berisha dhe të tijët kanë reaguar dhe kanë funksionuar rreth këtij problemi, është e vetmja pikë ku kërkesa idiote e Erdoganit ha debat, pasi e ka parë shtetin e Berishës si shtet të gylenistëve.
Por problemi më i rëndë i vizitës së Erdogan, mendoj se ishte pikërisht fundi i saj, inskenimi i asaj vajzës që recitoi një poezi që përloti çiftin Erdogan. Ajo është një shkelje brutale e harmonisë fetare në Shqipëri, një atentat ndaj kushtetutës dhe frymës së mirëkuptimit mes feve që ekziston në këtë vend dhe një nxitje e qartë e luftës fetare.
Si një vend që nuk i marrim shumë seriozisht gjëra të tilla, ky skandal po kalon thuajse në heshtje, por nëse ka një gjë për të reaguar Bujar Nishani, Edi Rama, Sali Berisha apo ndonjë zyrtar tjetër, është pikërisht qëndrimi i prerë që duhet të bëjnë kundër asaj që ngjau në Prezë. Nëse këtu vjen Erdogani dhe vë një vajzë të na përlotë duke kërkuar xhihad, pastaj të vijë Presidenti grek dhe të vërë një vajzë që ta përlot me ndonjë vjershë për Megalidhea dhe në fund të vij përsëri Papa dhe të kërkojë një kryqëzatë fetare kundër atyre që kanë ndërruar fenë, ky vend merr fund. Shqipëria mbijeton si komb me tre bësime fetare në harmoni dhe jo si komb me luftë për dominim fetar. Mua nuk më shqetëson shumë kush është gylenist e kush jo në Shqipëri dhe as kush është idhtar i Erdoganit, por marrja e një qëndrimi ndaj asaj që ndodhi në Prezë. Aty Erdogani dukej më shumë si kryetar i ndonjë kalifati të ri, sesa si President i Turqisë. Perandoria Osmane ishte më tolerante se Presidenti Erdogan sa i takon besimit fetar dhe ajo që u tolerua në kalanë e Prezës ishte një shëmti. Të tjerat janë më pak të rëndsishme, përveç komenteve të Berishës, që na japin rastin të kuptojnë, përse ai u prish në pazare me Sulltanin e ri. Kunder Erdoganit dhe ideve te tij duhet te reagojme si shqiptar, si vend qe shkojm drejt Perendimit dhe jo si "aleate" te kundershtareve te tij te rrezikuar. Kjo do ishte njesoj e rrezikshme.
"Tema"