Jo vetëm për miqtë e mjedisit …
Në këtë gjendje të mjedisit tek ne ka ndikuar natyrisht edhe pandjeshmëria e lartë e shqiptarëve të cilët më shpejt e hedhin një qese nga dritarja apo ballkoni, sesa të zbresin e të shkojnë të dorëzojnë mbeturinat në vendin e posaçëm.
Po ashtu në këtë gjendje “ka kontribuar” edhe mungesa një kazani apo koshi plehrash kur qytetarë të ndërgjegjshëm duan të të veprojnë ashtu siç duhet.
Herë për shkak të mungesës së kujdesit nga ana e pushtetit vendor, herë për shkak të papërgjegjshmërisë sonë qytetare apo herë për shkak të indiferencës për të treguar presion qytetar ndaj atyre që mjedisin nuk e quajnë fare çështje, gjëndja është kjo që kemi: gjithandej mbeturina që shëmtojnë pamjen e hapësirave tona dhe dëmtojnë shëndetin tonë.
Pikërisht në ndihmë të ndërtimit të një educate, të një qasjeje te kujdesshme dhe të përgjegjshme në drejtim të mjedisit lindi vitin që shkoi një nismë bashkëkohore dhe civile, që gjallëroi mjaft ndërgjegjen e shqiptarëve. Kjo nismë u pagëzua me emrin :”Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë”.
“Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë” si vlerësim i kontributit që kreu vitin e kaluar mori edhe një çmim të rëndësishëm, në kuadër të iniciativës “Vepro tani”, vlerësim i dhënë nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë.
Nisma “Të pastrojmë Shqipërinë” sot mbush 2 vjeç. Për të ardhur në këtë “ditëlindje” kjo nismë këtë vit kaloi nëpër disa faza, të cilat nisën me diskutimet e organizuara në formën e një “turi të gjelbër”.
Këto tryeza- diskutimesh u finalizuan në datën 19 Nëntor ku në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar u mbajt konferenca Kombëtare me titull “Miqtë e mjedisit”, aktivitet që u zhvillua në kuadër të kësaj lëvizjeje civile.
Në këtë konferencë morën pjesë aktivistë të gjelbër, njerëz që e duan vendin dhe që, siç u kuptua nga mesazhet e dhëna, dëshirojnë ta shohin atë sa më të pastër. Në këtë takim mbajtën disa fjalë përshëndetëse zëvendëskryeministri, disa zëvendesministra, përfaqësues të trupave diplomatikë që punojnë në vendin tonë, të dërguar të BE për çështje të ndryshme etj.
Kjo nismë kësaj radhe zhvillohet e konceptuar si një formë e maturuar aksioni, për të paraprirë një aksion i madh qytetar, sot në datën 21 nëntor.
“Të pastrojmë Shqipërinë” ka për protagonist kryesor z. Ervin Shehaj i cili sëbashku me ekipin e tij janë dhe promotorët e kësaj ideje, pa këmbënguljen e të cilëve kjo nismë si zor se do të niste.
Gjatë vitit të kaluar ata e dërguan këtë nismë thuajse në çdo shtëpi shqiptarësh duke e bërë pjesë të fjalorit të aksioneve civile në vendin tonë.
Në takimet në formën e tryezave të hapura, të organizuara në 12 qarqet e vendit morën pjesë përfaqësues nga të gjitha institucionet vendore, nga aktivistë të shoqërisë civile, gazetarë etj.
Sipas koordinatores së këtij aktiviteti znj. Luli Hajdini “angazhimi i gjithë ketyre aktoreve këtë vit është shumë i madh. Ata e kanë përkrahur si bashkepunim gjë e cila ka shërbyer si nje nxitje shume e mire si për ne, si per qytetaret duke vendosur njëkohësisht fokusin e tyre ne menaxhimin e mbetjeve urbane”.
Sic edhe koordinatorja e kësaj lëvizjeje u shpreh edhe “Ministria e Arsimit kete vit pati nje fokus te veçante duke e përfshirë kete dite aksioni ne kurrikulen arsimore të ketij viti. Jo vetëm si pjese e rendesishme në edukim, por edhe për të theksuar rolin e veçante te mesuesit dhe te shkolles, nisma të tilla mjedisore meritojnë respekt dhe vëmendje”.
“Kete vit vihet re vertet nje perpjekje mes pushtetit vendor dhe inspektoriateve per t’i dhene nje zgjidhje një problem, sic janë menaxhimi I mbetjeve urbane, ku pa modesti dhe e bindur, pohoj se aksionet tona të shkuara kane dhene nje ndikim.
Siç edhe vetë aktorët pohojnë “ ata tashmë janë bërë të domosdoshëm per të mbledhur ne nje tavoline shume aktore sebashku…gje qe vura re mungon gjate 365 diteve te vitit”..
Në mbështetje të kësaj nisme, e rrrallë në llojin e saj, sot pritet të kryhet një aksion i madh kombëtar, në shërbim të një Shqipërie më të pastër, për të gjithë. Shumë aktorë janë bashkuar, e shumë të tjerë kanë premtuar të bashkohen…mbetet për t’u parë!