Jo vetëm Rama, por të gjithë humbëm edhe përballë Maqedonisë
Koment nga Ervin Shkulaku-
Tashmë çdo gjë ka përfunduar dhe duke filluar që nga dita e nesërme institucionet e Bashkimit Evropian do të fillojnë diskutimet për hapjes ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Dhe siç pritej një Maqedoni e vogël na la prapa pasi Parlamenti Holandez votoi pro hapjes së negociatave me këtë shtet kurse neve na refuzoi.
Normal nuk është fjala e fundit i këtij parlamenti pasi qeveria holandeze mund të vendosë siç e sheh të arsyeshme gjatë votimit por ne e morëm një humbje përballë Maqedonisë.
E dimë që nuk është një garë por edhe të paditur nuk jemi dhe e kuptojmë shumë mirë që humbëm.
Por, Lulzim Basha a Monika Kryemadhi e kushdo tjetër të mos i gëzohen kësaj humbje. Edhe, Basha të mos e shfaqë si fitore në parlament lajmin që Gjermania nuk do të hapen negociatat me Shqipërinë.
Të mos i gëzohen pasi kjo nuk është humbje e Edi Ramës por e të gjithë neve.
Por, edhe Rama të mos ia hedhë fajin opozitës pasi kishim kushte tejet të lehta dhe na i kanë bërë të qarta që vitin e kaluar.
Por ne si vepruam?
Opozita bëri ç’është e mundur të shtynte zbatimin e reformës në drejtësi me në krye Saliun e famshëm të këtyre viteve post-koministe me vuajtje e varfëri ndërsa qeveria nuk ishte në gjendje të luftonte sa duhet korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Kur të gjithë e dinin se vëllai i ministrit ishte dënuar në Itali nuk ishte e nevojshme të ishte ministër për nga ana morale. Edhe prokuroria si gjithmonë ngeli prapa në luftimin e peshqve të mëdhenj. Po merren vetëm me Saimir Tahirin ndërsa asnjë ish-ministër tjetër nuk po jep llogari për vitet e kaluara.
Ndërsa edhe presidenti i paanshëm, Ilir Meta e përdori fuqinë e tij për të ngadalësuar arritjen e një marrëveshje me Greqinë, teksa nga ana tjetër qeveria maqedonase me një president shumë më kundërshtar arriti një marrëveshje me Greqinë.
Prandaj, të mos gëzohet ndonjë analist që shkruan në mediat evropiane që të mos hapen negociatat me Shqipërinë apo ndonjë deputet që bën pyetje me nënkuptim se Shqipëria nuk është gati për negociatat. Nëse nuk është gati sot mos prisni ndonjë hapje negociate vitin e ardhshëm pasi Bashkimi Evropian nuk ka më kohë për ne se do të ketë zgjedhje të brendshme që nënkupton ardhjen në pushtet edhe të të djathtëve radikalë që janë skeptikë për zgjerim.
Ndërsa tani nuk na ngelet tjetër gjë veçse të presim rezultatin e zgjedhjeve në Turqi pasi do të ndikojë në ardhjen ose jo të refugjatëve në territorin tonë. E nëse vinë kemi me të vërtetë një sfidë dhe lojëra të reja politike që nëse luajmë bukur edhe mund të përfitojmë shumë.
E si përfundim edhe pse jemi prapa të shpresojmë që sëbashku me Maqedoninë të hapen negociatat dhe së afërmi shqiptarët të jetojnë ku të duan në gjithë Bashkimin Evropian.