…ju të tjerët ngrohuni në diell!

Nga Enton Abilekaj.

Duket në pamje të parë si një gabim trashanik i qeverisë. Me deklarimin e TVSH-sw për biznesin e vogël, duket sikur pa qëllim, ose nisur nga një qëllim i mirë, Edi Rama po bëhet i shtrenjtë në krunde dhe i lirë në miell. Ndërsa miellin, pjesën më fitiprurëse të ekonomisë, e shpërndan pa kosto, pa kontroll tatimor, madje pa asnjë përfitim në favor të publikut tek biznesi i madh, të kundërtën bën me krundet, me atë çfarë linte deri sot biznesi i madh për mungesë interesi. Biznesit të vogël që konsumon krundet, pasi i ka vënë 36 taksa, i rriti taksat lokale, i shton TVSH për t ‘ ja bërë jetën të pamundur.

Pas një lufte disavjeçare me akionet kundër informalitetit, me rritjen e taksës edhe për tabelën edhe për karriget, me rritjen e taksave vendore që nga 2015, ata janë pothuajse të mbyllur. Ishte rrënqethëse kur pronari i një restoranti të vogël në Tiranë, tha që është gati t’ia fale shtetit biznesin dhe të punojë me rrogë se i del më mirë. Taksat dhe rritjet e kostove për produktet, i kanë çuar në pikën e dorëzimit. Protesta e qepenave, nxori dhjetëra dëshmi të dorëzimit. Ata deklaronin se ishin gati të mos e ngrinin më qepenin nëse do të gjenin një punë. Trishtimi i njerëzve që quhen biznesmenë, ndërsa fitojnë më pak se rrogëtari më i ulët i shtetit që paguhet nga taksat e tyre.

Swiss Digital Desktop Reklama

Përtej lotëve të tyre, qeveritarët shpjegojnë që nuk ka asnjë ndryshim, nuk ka shtesë të TVSH-je, por vetëm deklarim, nuk ka rritje të kostos së biznesit. Madje ata mund të shkojnë edhe në zyrat tatimore, ku qenka shtuar edhe një njësi speciale për të ndihmuar biznesin e vogël për deklarimin e TVSH. Këto shpjegime vetëm sa e shtuan trishtimin. Ata nuk e dinë, ose bëjnë sikur nuk e dinë, se një biznesmen i vogël, jo vetëm nuk e ka ekspertizën, por nuk ka as mundësinë e pagesës së një kontabilisti.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ai që bën gjithçka vet për të ulur kostot, që nga furnizimi, faturimi, bilanci, mirëmbajtja, duhet të zërë edhe një radhë tek zyra e tatimeve. Rritet kostoja e biznesit, vështirësohen kushtet, ulet fitimi që është më pak se rroga, shtohet koha e punës. Jo vetëm kaq. Ndërsa atyre u rritet kostoja për njësi, konkurrentëve të tyre, filialeve të bizneseve të mëdha, u mbetet e njëjtë. Marketet e lagjeve kërcënohen nga supermarketet, por pas kësaj janë të detyruar të dorëzohen, lokalet që konkurrohen sot nga brandet zinxhir, nga sot duhet të ulin qepenin përgjithmonë. Rritja e kostos për të vegjlit do të favorizojë në këtë mënyrë të mëdhenjtë dhe filialet e tyre që po shpërndahen në mënyrë kapilare. Kjo është panorama e mbijetesës nga terreni i biznesit të vogël.

Nga fronti shtetëror, nuk është aspak më mirë. Qeveria pretendon se do të fitojë rreth 12 milionë euro më shumë, që është një shifër e papërfillshme për buxhetin, është 1 milionë më e vogël se dëmshpërblimi për pallatin e vjehrrit të Lulzim Bashës. Përtej kësaj, a do të përfitojë qeveria në luftën kundër evazionit?

A do të zbulojë në këtë mënyrë transaksionet e biznesit të madh? Nëse nuk e përdorin për mashtrim, janë jashtë realitetit. Mbi 100 mijë biznese të vogla do zbulojnë bizneset e mëdha duke bërë deklarimin. A e kanë më lehtë tatimet të hetojnë 100 mijë deklarimet e biznesit të vogël apo qindra vetëdeklarimet e biznesit të madh? Si mundet që ushtria e tatimorëve të besojë se, duke marshuar rrugëve të Tiranës për të tmerruar bizneset e bukës së gojës, do të luftojë evazionin? A nuk do ishte më e lehtë të stacionoheshin tek biznesi i madh dhe të hetonin aty?

Ata që kontrollojnë mbi 90 për qind të ekonomisë, nuk kanë kontroll, mund të vetëdeklarohen, madje filialet e tyre që punojnë si biznes i vogël mund të bëjë të njëjtën gjë, ndërsa ata që, duke përfituar nga çfarë mbetet nga me pak se 10 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe punësojnë disa herë më shumë se biznesi i madh, do të gjendet përballë falimentimit, me rritje kostosh, rritje kohe punë, kontrolle dhe gjoba.

Është e qartë që Edi Rama i rrit kostot e tyre që ata të heqin dorë edhe nga 10 përqindshi, që edhe atë pjesë të PBB që përfitojnë të vegjlit ta marrin bizneset e mëdha me filialet e tyre. Ekonomia po tkurret, prodhimi po bie duke shkaktuar uljen e fitimeve dhe rritjen e kostove. Miqtë e Kryeministrit që dihet se janë biznesmenët e mëdhenj, nuk kënaqen më, duan të marrin edhe pjesën e fukarenjve. Kjo është masa për t’u dhënë atyre edhe kaposhin e farës. Ai nuk e shtrenjtoi krunden nga paaftësia për të qeverisur.

Sigurisht që paaftësia e ka sjellë në këtë pikë, por shtrenjtimi u bë që ata të hapin rrugën për të mëdhenjtë që me filialet e tyre do rrëmbejnë edhe lekët e bukës. Punësimi në arkat automatike të tyre nuk do të jetë as sa gjysma e atyre që do të ulin qepenin, transaksionet e biznesit të madh do bëhen edhe më të vështira për tu kontrolluar se do të bëhen me filialet. Evazioni do të rritet, punësimi do të ulet, e gjithë ekonomia do të kontrollohet nga pak njerëz që kanë qëlluar ose janë zgjedhur të jenë miqtë e Edi Ramës. Ju të tjerët ngrohuni në diell!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?