Ka disa zgjidhje për krizën…

Nga Kastriot Islami

Kriza politike, kushtetuese, sociale, është thelluar në ekstrem.

Në horizont po duket një krizë e thellë ekonomike, rrënuese për vendin dhe me kosto shumë të lartë e afatgjatë për të gjithë qytetarët, qoftë edhe për ata që mendojnë se kanë si zgjidhje emigracionin.

Sepse një krizë kaq e thellë mund të shoqërohet me vendimin për heqjen e mundësisë për lëvizjen e lirë të qytetarëve. Kriza ka në themel qeverisjen korruptive e kriminale të Rilindjes që është kthyer në krizë të demokracisë e cila ka prekur rëndë zgjedhjet, dhe ka nxjerrë jashtë loje edhe opozitën natyrale; dhe mbi të gjitha ka shkatërruar/paralizuar të gjithë institucionet që mund të kontribuonin në gjetjen e zgjidhjes së ‘butë’.

Shkatërrimi i Gjykatës Kushtetuese, i Gjykatës së Lartë, zaptimi i të gjithë institucioneve nga individi Rama, që së fundmi kërkon të zaptojë apo shantazhojë edhe Presidentin dhe vendosja nën kontroll e të 61 bashkive e kanë thelluar krizën në ekstreme të frikshme.

Shtrohen pyetjet: A ka zgjidhje?

Cilat janë zgjidhjet?

Dhe si realizohet zgjidhja efikase afatgjatë?

Shtrohet edhe pyetja: ç’mund të bëhet kur nga njëra anë kemi të bëjmë me një kryeministër të papërgjegjshëm që ka frikë të tërhiqet, qoftë edhe përballë presionit qytetar dhe një opozitë që gjendet jashtë institucioneve?

****

Shumë individë, vendas e të huaj, e shikojnë me skepticizëm vendimin e opozitës për ‘djegien e mandatave’. Maxhoranca natyrshëm e kritikon atë dhe është përpjekur të intrigojë ndërkombëtarët me 2 teza i) që opozita ka frikë nga reforma në drejtësi (argumenti më qesharak që askush nuk e beson) dhe ii) kjo mund të shërbente si ‘precedent’ për rajonin.

Opozita dhe opozitarët janë përpjekur dhe përpiqen të japin argumente në mbrojtje të këtij vendimi kompleks. Shumë të tjerë që s’duan të përfshihen në këtë debat bëjnë disa pyetje. A është një vendim i drejtë, i pashmangshëm, vetëvrasës apo efikas?

Një vendim nën detyrimin e kushte vetë paprecedentë që i përjetojnë prej kohësh vetëm qytetarët e shqiptarë? Një vendim in ekstremis? Në vendim sui generis pra që nuk ka asnjë precedent tjetër më parë dhe që nuk do të kthehet ndoshta kurrë në precedent as në kohë dhe as në hapësirë; pra që ndoshta do të mbetet i vetmi?

Një vendim shumë i komplikuar dhe kompleks? Një vendim i paimagjinueshëm në kushte të tjera, por i papërjashtueshëm në kushtet konkrete ku gjendet vendi? Një vendim i marrë me “detyrim e përcaktim” nga e ‘keqja e madhe që Rama e ka kthyer në model suksesi’ duke shkatërruar demokracinë dhe mekanizmat e saj për shkatërrimin e kësaj të keqeje; pra një vendim që është marrë pasi janë shteruar të gjithë mjetet e mënyrat e tjera demokratike për të dalë nga qorrsokaku?

Një vendim i marrë për shkak të situatës së krijuar vetëm nga një individ dhe që mund të zgjidhet vetëm duke larguar pikërisht këtë individ? Një vendim që ‘ndërkombëtarët’ do ta kishin të vështirë ta pranonin publikisht ndërkohë që ata njohin shumë mirë kushtet e tmerrshme që i detyrojnë qytetarët shqiptarë të emigrojnë në vendet e tyre, dhe pikërisht për këto kushte nuk i hapin negociatat për Shqipërinë?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë të ndryshme nga personazhe me interesa të ndryshme, për rrjedhojë është e vështirë që debati për këtë çështje të shterohet racionalisht. Më poshtë jepen vetëm disa aspekte të gjendjes që kanë çuar në këtë vendimmarrje.

Po ashtu duhet patur parasysh se ky vendim përbën një realitet që do të shërbente për të kuptuar apo për të hetuar se në çfarë regresi ndodhet demokracia shqiptare?!

****

Ja historia dhe disa nga ‘arsyet’ qëi kanë diktuar opozitës marrjen e këtij vendimi:

Opozita i ka provuar të gjithë opsionet e reagimeve, në kuvend dhe jashtë tij, që mund të kryhen ndaj një qeverisjeje autoritare nga një pakicë klienteliste e korruptuar në ekstrem, në përbërje të së cilës ka shumë deputetë e drejtues të lartë të lidhur ngushtësisht me krimin e trafiqet, që është pasuruar në mënyrë të paligjshme dhe ka tjetërsuar rezultatin e zgjedhjeve me paratë e korrupsionit, krimit e të kanabisit të menaxhuar nga kupola në bashkëpunimin me rrjetin e policisë dhe fitimet përrallore nga narkotrafiqet.

Opozita ka kritikuar verbalisht e me fakte të pakundërshtueshme të gjithë dukuritë e lidhura me qeverisjen, ministrat e tij dhe deputetët e maxhorancës. Por Rama ose nuk e ka carë kokën; dhe/ose është hedhur në sulm duke përçmuar e ofenduar opozitën e kundërshtarët e tij politikë, madje duke shkuar shumë larg në kërcënime e goditje fizike të opozitës për ti mbyllur gojën asaj.

Opozita është detyruar jashtë vullnetit të saj të përleshet fizikisht në kuvend me individët me rekorde kriminale, që janë gjithnjë orkestruar nga Rama për të goditur deputetët aktivë të opozitës dhe për të kërcënuar me të gjithë mënyrat opozitën me qëllim mbylljen e gojës.

Opozita e bojkotoi kuvendin për ti dhënë mesazhin shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve për lidhjet e qeverisë me krimin e kriminelët e ulur këmbëkryq në kuvend dhe në administratën publike. Për lidhjet e ministrave me kriminelët me të rrezikshëm që veprojnë në Shqipëri, rajon e në shumë vende të BE.

Për implikimin e institucioneve të shtetit në trafikun e drogës përmes tokës, detit dhe ajrit. Për kultivimin masiv të kanabisit që e shndërroi Shqipërinë në vendin e parë në Europë për prodhimin e marijuanës. Për implikimin e ministrave në narkotrafiqe dhe shitjen e armëve. Për shndërrimin e Shqipërisë në vendin e parë për pastrimin e parave. Për manipulimin e zgjedhjeve përmes blerjes së votave dhe kërcënimit të votuesve.

Opozita ka organizuar protesta masive njëditore dhe një protestë disa mujore për të sensiblizuar opinionin publik kundër blerjes së votës dhe për të treguar se zgjedhjet e lira e të ndershme të 2017 nuk do të mund të zhvilloheshin me Ramën kryeministër, gjë që rezultoi plotësisht e vërtetë.

Madje gjatë dhe në vijim të protestave disa mujore opozita hodhi tezën e mospjesëmarrjes në zgjedhje nëse nuk plotësohen kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, një vendim shumë i vështirë e ekstrem, i pandodhur asnjëherë më parë. Por për hir të interesave të vendit dhe për të mos bllokuar procesin e integrimit, opozita pranoi të hynte në zgjedhje duke bërë një marrëveshje të cilën Rama e keqpërdori duke vjedhur votat për të siguruar i vetëm ‘timonin e tepsinë’ e pushtetit.

Opozita, së fundmi, pasi do të dilte sheshit ilegjitimiteti i kuvendit të zgjedhur në 2017, edhe përmes ‘përgjimeve’ të publikuara nga gazeta gjermane BILD,prej nga do të zbuloheshin blerjet e votave nga individët me rekorde kriminale si dhe pasi do të shpërthenin skandalet e korrupsionit e të pastrimit të parave të pista, do të hidhte në treg propozimin për ‘djegien e mandateve’, si rruga e vetme dhe in extremis, për të mundësuar daljen nga qorrsokaku ku e ka zhytur vendin Edi Rama dhe për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme, e krijuar kështu kushtet minimale për hapjen e negociatave me BE.

****

Vendimi për ‘djegien e mandatave’, duket në pamje të parë:

• vendim radikal dhe in ekstremis që s’është aplikuar asnjëherë tjetër më parë në Shqipëri e gjetiu.

• vendim që në kushtet e mungesës së një revolte dhe proteste masive s’do të ishte marrë.

• vendim i vështirë me dalje të vetme revoltën e pakthyeshme të qytetarëve në protestë…

• vendim in ekstremis dhe i pakthyeshëm në asnjë rrethanë dhe nga asnjë lloj ‘kërcënimi’…

• vendim që me mbështetje të gjërë nga forumet partiake të gjithë forcat opozitare…

• vendim me mbështetjen e të gjithë deputetëve primarë

• vendim që stigmatizon krijimin e opozitës fasadë/fiktive…

• vendim ‘efikas’ vetëm nëse qytetarët qëndrojnë në protestë deri në arritjen e qëllimit final;

• vendim sakrifice për opozitën që e konsideron atë si të keqen më të vogël…

• vendim i vështirë për t’ju shpjeguar ndërkombëtarëve që janë të shqetësuar në ekstrem që kjo dukuri mund të ndodhë edhe në vëndet e tjera të rajonit, pra që mund të kthehet në ‘precedent’…

****

Nga kjo ‘fotografi’ e të gjithë sekuencave që kanë cuar në marrjen e këtij vendimi të opozitës rezulton se:

Ky është vendim shumë i vështirë, i padëshiruar nga opozita dhe me kosto e sakrifica për të, por i detyruar nga rrethanat ku mund te veçohet si kryesore kapja që Edi Rama i ka bërë shtetit ne çdo aspekt. Një vendim që s’ka qenë i lehtë për tu ideuar, konceptuar dhe shumë i vështirë për tu marrë nga opozita; dhe që mbetet shumë më i vështirë për tu realizuar e veçanërisht për tu mbrojtur përballë ndërkombëtarëve.

Një vendim in ekstremis që do të kishte vetëm një dalje, ose tërheqjen e Ramës ose largimin e tij përmes revoltave e protestave masive… Një vendim që mund të cilësohej si e keqja më e vogël përballë katastrofës që ka shkaktuar qeverisja e Ramës…

Fatkeqësisht në kushtet që është gjendur Shqipëria nga qeverisja korruptive dhe kriminale e Ramës, ky vendim kontravers duket se ka rezultuar një vendim i papërjashtueshëm…

Aq më tepër që të gjithë opsionet e tjera, veçanërisht ato të moderuara, kishin rezultuar për fat të keq inefikase apo në pothuajse të gjithë rastet edhe deri të dështuara.

Situata është komplikuar dhe kriza është thelluar se i) Rama ka zaptuar apo shkatërruar të gjithë institucionet e zgjidhjes së moderuar të krizës (Gjykatën, Kushtetuese, Gjykatën e lartë, zgjedhjet, e tjerë); ii) ka varfëruar qytetarët deri në pikën e nënshtrimit; dhe iii) ‘ndërhyrja’/moderimi ndërkombëtar për arsye të shumta ka munguar si asnjëherë tjetër më parë që nga 1991.

***

Ky ‘precedent’ mund të ‘eliminohet’ vetëm me zgjedhje të përgjithshme të parakohshme, të lira e të ndershme; dhe ndëshkim të atyre që kanë gjeneruar/thelluar këtë krizë; rrugë tjetër s’ka. Pyetja shtrohet se ‘a mundet dhe si do të zhvilloheshin zgjedhjet e parakohshme, të lira e të ndershme apo më saktë përgjithësisht të pranuar nga shumica e palëve? Opsionet janë disa, pra e rëndësishme është se opsionet e zgjidhjes ekzistojnë, qofshin konsensuale, të moderuara apo radikale.

SHKARKO APP