Kabllogrami i ambasadorit amerikan në vitin 2009. Blushi: Doshi po e çon PS 20 vjet mbrapa

Ben Blushi e ka përkufizuar sot konfliktin mes Edi Ramës dhe Tom Doshit si një problem mes dy shokëve të vjetër dhe jo si një problem politik të Partisë Socialiste. Në fakt Blushi e kishte denoncuar edhe parë afërsinë e kryetarit të PS me individë si Tom Doshi, gjë që doli në kabllogramet e publikuara nga Wikileaks që ambasadori i atëhershëm Withers i dërgonte Departamentit të Shtetit. Edhe sot ambasada e SHBA, e përshëndeti përjashtimin e Tom Doshit nga grupi parlamentar i PS. Edhe në vitin 2005, duke iu referuar kërkesave të ambasadës amerikane, Ben Blushi i pati kërkuar Fatos Nanos atëherë të mos e kandidonte Doshin, qëndrim që siç rezulton e ka përsëritur edhe në 2009. Atë kohë, Doshi ka kërcënuar deputetët e Lëvizjes për Mendim Ndryshe (LMN) në emër të Edi Ramës.

Më poshtë lapsi.al po sjell kronikën e plotë të publikuar nga mediat në shtator 2011, e cila i referohet kabllogramit që ambasadori Withers i dërgonte Departamentit të Shtetit më 28 korrik 2009:

 

"Edi Rama synon të rrëzojë nga pushteti Berishën me një revolucion si ai në Ukrainë apo Gjeorgji, por kjo është vetëm një fantazi e tij. Ky është mendimi i deputetit socialist Ben Blushi në një bisedë me zyrtarët e ambasadës amerikane në Tiranë, siç theksohet në një kabllogram të ambasadorit Withers drejtuar Departamentit të Shtetit më 28 korrik 2009. Blushi u ankua për kandidatët “rrugaçë” e “truproja” si për shembull Tom Doshi nga Shkodra dhe të tjerë të diskutueshëm në Lezhë apo zona të tjera, për të cilët Rama kishte vendosur pa marrë mendimin e të tjerëve. Ai tha se PS-ja nuk mund të tolerojë tipa të tillë që po e çojnë atë 20 vjet prapa. Sipas tij, Doshi i kishte thënë Ramës se nuk mund të jepte dorëheqjen nga posti i kryetarit, pasi Doshi kishte investuar 500,000 euro për zgjedhjen në Shkodër dhe i donte paratë mbrapsht. Blushi tha se paratë ishin shpenzuar më kot.

 

Kablogrami thekson se sipas Blushit, mungesa e vullnetit të Ramës për të bashkëpunuar me Metën ishte një tjetër faktor që solli humbjen. Vëzhgues të tjerë thanë se një koalicion PS-LSD do të kishte fituar lehtësisht, ndërsa Blushi shtoi se mungesa e një platforme të vetme nuk e ndihmoi situatën. Një tjetër strateg i zgjedhjeve në PS, Kastriot Islami tha se Rama i kishte bërë të gjitha lëvizjet e tij gabim. Ndërkohë një tjetër kabllogram i dërguar në gushtin e vitit 2009-të nga zëvendësambasadorja Deborah Jones theksohet se sipas Blushit, ideja e bojkotit të Ramës. Ai shtoi se Rama po kërkonte garanci të paspecifikuara politike nga Berisha për të siguruar rolin e Ramës si pushtetmbajtësin e Tiranës. Bojkoti s’ka lidhje me parlamentin, por me rolin e Ramës si kryebashkiak, tha Blushi. Ai tha se Rama po e gënjen veten duke thënë se rruga e vetme që Partia Socialiste të marrë pushtetin është nëpërmjet një “revolucioni me ngjyrë” si në Ukrainë apo Georgia. Blushi tha se Rama parashikon të përdorën protestat masive po paqësore për të detyruar Berishën të japë dorëheqjen dhe madje ka urdhëruar që të gjithë të mbajnë shalle me ngjyra të shndritshme në protestat në rrugë. Por, Blushi tallet me revolucionin e planifikuar të Ramës, duke e konsideruar atë më shumë fantazi. Blushi tha gjithashtu se Rama tashmë nuk sheh me arsye për të marrë pjesë në zgjedhjet e vitit 2011.

 

Në komentet e ambasadorit Withers, theksohet se Ben Blushi si një ndër kritikët kryesorë të Ramës në PS ka të gjitha arsyet që të përshkruajë me tone negative kryetarin e Partisë Socialiste. Por, Blushi është një politikan serioz dhe i respektuar, që nuk e ekzagjeron apo hiperbolizon situatën me përshkrimin e tij. Ai e ka pozicionuar veten si liderin e fraksionit anti- Rama në PS duke i bërë thirrje shefit të tij të pranojë humbjen në zgjedhje. Sipas tij, Rama s’ka arsye apo nxitje që të heqë dorë nga bojkoti dhe sipas ambasadës, ka pak rrezik nga protestat paqësore në rrugë, por bojkoti duket qartë që s’do ndalojë edhe për shumë kohë. “Bojkoti do të bëhet një pengesë serioze për qeverinë shqiptare dhe funksionimin e parlamentar pas kaq shumë ligjesh që kërkojë shumicë të cilësuar për t’u miratuar në Kuvend, një shumicë që maxhoranca nuk e ka”.

SHKARKO APP