Kali i kuq e ka një huq

Nga Enkel Demi

Genc Pollo është pragmatist tek thotë se çdo gjë mund të ndodhë në politikë, duke e marrë në konsideratë një aleancë mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Mëtonjësit e kësaj aleance e quajnë “koalicioni i gjerë”, i cili do të thotë që nxjerr jashtë loje partinë e Ilir Metës dhe krijon një skenë të re politike, të tipit Frankenstein, pa bezdinë e LSI­së dhe tekat e saj shpesh të zorshme. Kingmaker­at e kësaj ideje mendojnë që palët në këtë rast i bashkon dhimbja, vuajtja. Demokratët e kanë patur një përvojë katërvjeçare me këtë këpucë, e cila ua bëri këmbën plot kallo në të djathtë; socialistët kanë të njëjtën dhimbje në këmbën e mëngjër.

Fatmir Mediu e shqiptoi i pari një ide të këtillë, por Lulëzim Basha priti, e pastaj tha që do luftojë i vetëm, trim në luftë, ndaj çiftit Rama­Meta. Tani këtë tezë e mirëkupton një nga njerëzit më të lartë në kupolën e demokratëve të sotëm, Genc Pollo, ai që sot kontrollon imtësisht partinë, të cilën e ka patur një moment politik kur mund të bëhej koalicioni i gjerë i natyrës gjermane, pikërisht në vitin 2009. Por qëndrimi i Dritan Priftit në lidhje me kahun e mandatit të tij, pasioni për të mos patur një qeveri dyvjeçare (a mos më pak) pa kryeministër Sali Berishën, e hodhi tej këtë ofertë. Ndaj at’botë, në zhegun e vapës, u kullua marrëveshja me Ilir Metën. Pas gjashtë vjetësh, në kushte krejt të tjera, rihidhet ky projekt!

Ideatorët e ngjizjes së një aleance të këtillë rrëfejnë qartë se janë të ndërgjegjshëm për përmasën katastrofike të humbjes në zgjedhjet vendore, e cila me gjasë nuk premton kohë të mirë në zgjedhjet e përgjithshme. Kështu, duke u nisur nga klima postzgjedhore mes partive të majta, Partia Demokratike e Lulëzim Bashës ka vendosur të sillet si forcë e një madhësie më të rrudhur, të sillet si LSI­ja dikur, e cila të gjendet në ditë të hallit. Pas një çerek shekulli nga formimi, kjo parti po pranon të luajë si partitë që ne për marrëveshje fjale i quajmë “të vogla”. Po udhëhiqet sërish nga aritmetika e thjeshtë e mbledhje­zbritjes, dhe jo nga ideologjia, gjë që nuk e bëri as pas përmbysjes së armatosur të vitit 1997.

Nuk flitet për një projekt në ajër, pasi prova e parë, por themelore, u dha me ligjin e Arsimit të Lartë. Deputetët e PD­së pritën deri në orët e para të mëngjesit që të bashkonin votat me LSI­në për të rrëzuar disa nene të rëndësishme të ligjit, por vetëm pak minuta para votimit morën urdhër të prerë të braktisnin seancën, duke i bërë shërbimin më të shkëlqyer qeverisë. Ndaj Pollo, jo pa gjasë kreu i Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, nuk ka pse mos të thotë që çdo gjë ndodh në politikë. Tekefundit, ai vetë është dëshmia e pragmatizmit, nga kundërshtar i paepur i PD­së në lider po i paepur i saj.

Sido që ta rrotullosh historinë e Lulëzim Bashës, e vështirë është të mos pranohet se është njeri që i kanë falur gjithçka. Erdhi nga terri i të panjohurës dhe i falën KOP­in, mandatin e deputetit në Tiranë, portofolet, bashkinë, dhe, së fundmi, partinë. Le të thonë yes­man­ët (në turqisht, jesmenë) që i fitoi zgjedhjet në parti. Kutitë i thyen, kutitë i vodhën, votuesit i gjetën në rrugë të madhe, duke ia dhënë edhe partinë. Tani që bashkia iku, pse mos t’i japin një copëz qeverie. Kuptohet, e gjitha kjo për të mirën e vendit, e procesit të integrimit europian, aspiratave euro­atlantike, dekriminalizimit, reformës në drejtësi, por, mbi të gjitha, në bazë të parimit gjithpërfshirës: “Kali i kuq e ka një huq!”./tesheshi.com/

 

SHKARKO APP