Kam video
Nga Edison Ypi
Me zë që mezi dëgjohet, me surretër që mezi dallohen, s'janë video ato që keni ju.
Video kam unë. Me zë dhe figurë të qartë, me ngjyra dhe sfumatura, ku e ku më konspirative dhe të rrezikshme se tuajat.
Njëra nga videot që kam tregon Lanën dhe autostradën Tiranë-Durrës. Ku takohen të dyja, pak para Kasharit. Duke u llafosur kok'-më-kok' në një restorant. Me pamje të habitur dhe merak që nuk e fsheh, dëgjohet Lana që flet me zë të zvargur,
-Pavarësisht se prej këtu e deri në det shtrati im është plot me mbeturina plastike dhe minj si gica, jam tepër e dëshpëruar për gjithë këto palma që ty autostradë po të mjellin anëve. Unë pisanjosja Lana që buroj si kristal nga prapa Dajtit, gjatë rrjedhjes më kalon para syve e gjithë Flora shqiptare; Pisha, lisa, rrepe, dushqe, ferra, shkurre, barishta. Por nuk kam para asnjë palmë. Palma nuk është shqiptare. Palma është tropikale. Ç'punë ka palma me peisazhin shqiptar anës autostradave tona ?!
-Edhe mua më pështirosin këto palma, ja pret autostrada. Por s'më bën fort përshtypje. Se ti që ikën e derdhesh të gjiri i Patokut nuk e di se ç'bëhet në bregdet, ku për shkak të mijëra palmave që po mbjellin e kanë bërë Durrësin si Karakasin dhe Shqipërinë si Ekuadorin.
-Ke menduar si mund të zgjidhet ky problem ?
-Po.
-Si ?
-Ta vrasim Kryetarin e Bashkisë së Durrësit.
-Për kaq gjë ta vrasim Kryetarin ?! Vetëm pse po mbjell ca palma ?!
-Nuk janë shapka që na i ka dhuruar Kina si në kohën e kurvit. Janë me mijëra palma nga 5 mijë Euro secila. Janë miliona Euro mbi kurrizin e taksapaguesve.
-A ke gjetur vrasës me pagesë për ta hedhur matanë murit të gjumit Kryetarin e Bashkisë së Durrësit ?
-Kam gjetur dy. Dy të dëmtuara që mezi presin të hakmerren; Shetitoren Taulantia dhe rrugën e plazhit.
-Të lumtë. Vazhdo për në Durrës. Mua mos më ngatërro me Gjykatën e Krimeve të Rënda. Po edhe po fole ti e ngurta autostrada, unë e lëngëta Lana do ta zë hasha.
Një tjetër video cilësore që kam tregon duke u llafosur kokë më kokë në Rrogazhinë te Pilo Lala dy protagonista të peisazhit shqiptar; Shkumbinin që vjen nga lindja drejt perëndimit, me Autostradën veri-jug.
I thotë autostrada Shkumbinit,
-O lum miku, nuk jam e tmerruar me gjithato krime që më shohin sytë or'-e-minut'. Se krime ka pasur dhe do ketë Shqipëria. Më tmerron diçka tjetër; Premtimet që bëjnë partitë gjatë fushatave elektorale se do ta zhdukin krimin. Nuk e kuptoj çfarë lidhje ka kapja-moskapja nga policia e atij që ther babain, vëllain, gruan, motrën, të dashurën. Ai nuk pret aspak ta kapi ndonjë polic a ta gjykojë ndonjë gjykatë, por menjëherë vret veten me të njëjtën thikë. Këto që po të them i kam parë me sytë e mi nga Hani i Hotit në Konispol. Po rrugës andej nga vjen ti Shkumbin, a ndodhin të tilla gjëra ?
-Të njëjtat përditë. Shqiptarët e vrasin njëri-tjetrin pa ja bërë tërr syri. S'është për tu habitur. Shqiptari e vret shqiptarin kudo për të njëjtën arësye; Sepse Shqipëria duke qënë pafundësisht e bukur dhe e pasur, e ka çdo centimetër tepër të shtrenjtë. Aq e dashur është Shqipëria, sa vlera e truallit e tejkalon dukshëm çmimin e jetës. Si e tillë Shqipëria është vendi më tru-çorroditëse i botës. Kam një ide. Për ta frenuar sadopak krimin, ta vrasim ministrin e rendit, atë sovjetikun, atë komsomolasin, atë malladjozhin. Vrasësit i gjejmë kollaj. I them unë Peqinit ose Librazhdit ta mbysi stakanovistin te ndonjë pellg i thellë brenda meje, Shkumbinit, që ja marr kufomën ja çoj në det për t'i humbur gjurmët. Po deshe, si variant rezervë, thuaji dhe ti Laçit ose Milotit, t'ja bëjnë ata komsomolasit ndonjë pritë andej nga Fush-Kuqja. Jo se ministri ka ndonjë faj. Thjesht për efekt propagandistik mbi kriminelët, viktimat e bukurisë që nuk u qëndrojnë dot tundimeve të muzgut, të prekurit nga Sindroma e Stendalit.
-Dakord. Hajt gëzuar. Ktheje me eks këtë dopjo për shëndetin e Tom Doshit.
-Ç'hyn Tom Doshi në këtë muhabet ?!
-Hyn si s'hyn. A s'ishte Toma që na kujtoi parimin e lashtë shqiptaresk se për zgjidhjen e çdolloj ngatërrese dikush duhet vrarë, dikush duhet bërë theror ?
-E ke gabim. Të ka marrë më qafë letërsia e keqe. Therori apo kurbani nuk përdoren për zgjidhje ngatërresash, por vetëm për spërkatjen me gjakun e tyre të themeleve të diçkaje të re. Ndonjë kështjelle, për shembull Rozafa. Por po the Rozafa, të kujtohet Shkodra. Po the Shkodra, të kujtohet Keti Bazhdari. Keti Bazhdari po. Keti ka një mijë arësye t'ja presi mishin me gërshërë Tom Doshit, jo Ilir Meta. Nuk qënkemi në një mendje. Hiq dorë nga eliminimi malladjozhit. Pushkato ndonjë tjetër.
Tjetër video.
Te një motel në Shijak, katër rrugët e famshme, atje ky kryqëzohen, flasin me rradhë si magjistrica,
-Tashmë ne të katra dhe të gjitha të tjerat jemi të asfaltuara, ja nisi e para rrugë. E gjithë merita është e Doktorit. Jo si profeci magjistrice. Si fakt.
-Po, por po të asfaltosh rrugët, humb zgjedhjet, ja priti rruga e dytë. Më mirë të mos ishim asfaltuar të kishim mbetur me gropa se u bëmë sebep t'i hahet haku shtetarit më vizionar që ka njohur Historia e Shqipërisë, atij që ndërtoi e asfaltoi rrugë, çpoi tunele, dhe për pak sa nuk e mbolli Shqipërinë me arra, bajame, lajthia, për ta bërë Zvicër se po ta kishte bërë edhe atë krim kushedi ku do kishte përfunduar.
-E vërtetë, u hodh e treta rrugë. Të pjell belaja po tu bësh të mira shqiptarëve. Desh Zoti Edi Rama shpëtoi për qime nga ai rrezik. E kapi shpejt fillin. E ndreqi në kohë gabimin. Pasi vuri nëpër taksa dhe dogana goca të reja, të shkolluara, të qytetëruara, të përkushtuara, kuptoi se sa më tepër të mira të bësh aq më shpejt ja bën gropën vetes, mori masat përkatëse, doganat dhe taksat i mbushi me ish-a të kurvit, prokurora, sigurimista, komandantë burgjesh.
-Të gjitha sa thatë janë të vërteta, klithi rruga e katërt. Ne magjistricat pa asnjë Makbeth në vendin plot me Makbetha pa asnjë magjistricë, duhet t'i bëjmë ballë kësaj situate me sakrificat e duhura. Në gjurmët dhe shembullin e ndritur të birit të denjë të rretheqarkut të Shijakut Haxhi Qamilit, i cili ministër të rendit kishte berberin e Kavajës dhe ministër të drejtësisë mullixhiun e Ndroqit, pasi boll duruam, ka ardhur koha të japim kushtrimin, të mbledhim miletin, të marshojmë mbi Tiranë t'i vëmë zjarrin Kryeministrisë, Parlamentit, ministrive, OJQ-ve, zuskave të gazetave, rruspiave të televizioneve, prokurorive, gjykatave, bankave, butikave, supermarkatave, dyqankave, kioskave, të gjithave. Video tjetër ka. Zgjidhje tjetër s'ka.
Gazeta "Mapo"