Kambanat e protestave në Francë, mbërritën edhe në Tiranë….!

Nga Ilir Çumani –

Ka më shumë se një muaj që banorët e unazës se re protesojnë ditë e natë, në mbrojtje të banesave të tyre. Ata po bëjnë rezistencën më të pashembullt përballë një qeverie kleptokrate, arrogante e arbitrare, e cila, vetëm dhunon dhe nuk pranon të dëgjoj zërin qytetar. Kambanat e protestave jelekverdhë dhe të studentëve në Francë,  kumbuan aq fortë, sa ato u dëgjuan e mbërritën me shpejtësinë e erës edhe në Tiranë ….! Prej katër ditësh, uragani studentor vërshon rrugëve të kryeqytetit të trazuar në këtë pragdimër të ftohtë, në një protestestë krejtësisht legjitime, paqësore dhe apolitike, kundër një padrejtësie që e ka emrin “LUBI”.

Qeveria, u gjend e papërgatitur, e befasuar dhe e hutuar përballë protestave masive të studentëve, një situatë kjo e paprecedentë pas ngjarjeve të viteve ’90 – të,  e cila ka gjasa të përshkallëzohet edhe më tej nëse ajo vazhdon ende të bëjë shurdhmemecin e radhës. Duhet të presim edhe pak, sa ti dalë plotësisht “anestezia” qytetarëve të këtij vendi, ajo “narkozë” e shpëlarjes së trurit që kryeministri i vendit e ka hedhë me shumicë nga mëngjesi deri në darkë, në gjithë këto vite të qeverisjes autoritariste dhe arrogante, përmes propagandës së shfrenuar  në  95 % të mediave të blera prej tij me ne krye  me ERTV – në! Kohë më parë, në një nga emisionet e radhës të gazetarit Arian Çani, në “Zonë e Lirë”, i ftuar ishte kryeministri Rama, i cili në një moment u shpreh: “…. E dini kush është dallimi midis një të djathti dhe të majti…!? Kur i djathti shikon një lypës në rrugë, thotë: Ai, aty e meriton të jetë, sepse aq ka. Kur i majti shikon një lypës në rrugë, thotë: Ka diçka që nuk shkon me këtë shoqëri që ai është aty….”.  Dhe kush e bën këtë deklaratë? Cili është ai që e jep këtë leksion morali me zë e figurë në një media me audiencë kaq të lartë të ndjekjes dhe shikueshmërisë…!?

Dëshpërimisht dhe fatkeqësisht, është Kryeministri i vendit, ai që ka prishur të gjitha balancat dhe ekuilibrat socialë të shoqërisë, duke e çuar atë në polarizim ekstrem. Ai që ka krijuar një marëdhënie të ftohtë dhe vrastare me të vobektit e vendit më të varfër në europë, që bezdiset dhe sëkëlldiset nga mëngjesi e deri në mbrëmje prej tyre, ai, hipokriti dhe demagogu i pashembullt, që nuk lë pa përdorë e shfrytëzuar çdo hapësirë dhe mjet propagandistik për t’u shfaqur ai që nuk është, me synimin e vetëm, për të mbajtur dhe ruajtur pushtetin që i’a ka parë hairin, si askush politikan tjetër në Shqipëri. Ai që ka hapur gropën më të zezë sociale në këto 5 vjetët e qeverisjes, përmes një politike represive dhe antihumane në dëm të më të varfërve dhe në favor të më të pasurve.

Ai pra, Kryeministri i vendit, i cili, për të kaluar  lehtë situatat e konflikteve dhe krizave që vetë i shkakton, sa herë që ndodhet ngushtë, shkon në garderobën kryeministrore,  zhvesh kostumin dhe vesh çitjanet e tij karakteristike për të nisur lojën e aktrimit  politik. Me petktun e “bamirësit”,  sillet me “përulësi” në publik, herë si kryetar OJF – je, herë si hoxhë, herë si plaku i Vitit të Ri, dhe herë si një  “filantrop” babaxhan. Betohet e “përgjërohet” përmes gjesteve dhe batutave me lot krokodili në mbështetje  për të pamundurit dhe të sëmurët, përmes programeve të formatit “Show” mediatik të stisura prej tij, i kuruar në çdo detaj për të qenë i kujdesshëm dhe sa më televiziv. Me synimin e vetëm, për të deformuar situatën dhe perceptimin publik mbi realitetin, për ta ndjekur të gjithë shqiptarët  e dëshpëruar dhe  për ti mallëngjyer ata, që në fakt janë viktimat eskluzive të qeverisë së tij luksokrate. Ai, që e ka çuar vendin në humnerën më të rrezikshme sociale, duke nxjerrë dhunshëm, me pa të drejtë dhe pa asnjë studim të mirëfilltë analitik nga skema e ndihmës ekonomike plotë 20.000 familje të varfëra. Ai, që e ka mbytur popullin e tij në taksa, dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë kanë përfunduar dhe përfundojnë djallëzisht në pak duar të miqve të tij përmes PPP – ve. Ai, që e ka rritur borxhin publik duke i’a lënë në kurriz faturën e barrës financiare të këtij borxhi të frikshëm edhe brezave që vijnë, fëmijëve të këtij vendi që ende nuk kanë lindur. Ai, që përdhosi dinjitetin njerëzor dhe prishi që në embrion ëndrrat, vrau shpresën e të rijnve, duke dëbuar nga vendi nëpër udhëkryqet e evropës e të botës plot 500.000 shqiptarë. Ai, që burgosi më të mjerët e vendit, më të pamundurit, pleq e fëmijë, që donin pakëz dritë, pakëz ngrohje në të ftohtin e acartë, por që mjerisht, për shkak të varfërisë ekstreme që kryeministri u’a uli këmbëkryq në vatra çdo shqiptari, nuk mundën ta paguanin dot energjinë ekektrike. Ai, që me policë bashkiakë, ka bërë dhe bën terror duke tërhequr zvarrë fshatarët, gra e fëmijë, shqelmon tezgat e tyre të vobekëta duke i konfiskuar atë çikë prodhimi të kopshteve familjare dhe e shesin sa për të nxjerrë bukën e gojës. Ai, që tallet me 635.000 pensionistët fjalëpak e fisnik të vendit, duke u’a ngushtuar edhe më shumë lakun deri në fyt, me një pension qesharak, që jua jep si lëmoshë sa për të blerë vetëm ilaçe dhe kjo nuk u mjafton. Ai që tallet dhe bizdiset nga 6700 invalidët që ka vendi, dhe nuk u siguron atyre as minimumin e shërbimit dhe të mbështetjes ekonomike nga shteti për të përballuar denjësisht vështirësitë fizike dhe shëndetësore që ata kanë. Ai, që vetëm taksën e ajrit që thithim nuk ka mundur të tarifojë deri tani, dhe këtë është gati ta bëjë në çdo moment. Ai, që largon me dhunë nga strehimoret e konvikteve – geto të rijntë jetimë, të papunë, të pastrehë e të pambrojtur, u heq ndihmën ekonomike, i nxjerr në rrugë të madhe dhe i detyron të marrin rrugët e evropës. Ai, që me paratë e taksapaguesve shqiptarë,  në mungesë të një  transparence të plotë,  shpenzon miliona euro për realizimin e një vepre publike, e me fadromat dhe rruspat e pushtetit që zotëron, shkatëron shtëpitë e qytetarëve duke nxjerrë në rrugë të madhe plot 350 familje me gra, pleq e fëmijë në pikun e të ftohtit, pa i kompensuar, (është detyrim ligjor dhe kushtetues kompesimi i shpronësimeve).

Ky veprim flagrant dhe arbitrar, vjen në kundërtshtim të hapur me Kartën Universale të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, me parimet më elementare të humanizmit dhe të jetës, që ka të bëjë me të drejtën që ka çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë,  si në çdo vend të botës, që duhet të ketë një strehë mbi kokë. Së fundmi, ai, që pangopshmërisht dhe në mënyrë të pacipë, tentoi ditët e fundit të fusi duart në xhepat e zbrazura të studentëve më të varfër të evropës dhe provokoj me këtë gjest,  krizën sociale dhe depresionin më të madh kolektiv tek pjesa më e brishtë e shoqërisë.  Ai, pra, Edi Rama, dëshpërimisht Kryeministri i vendit tim, i yti, i joni, i juaji, i të gjithëve ne, tashmë i përket vetëm një të shkuare të trishtë, një bërthame njerëzish ekstremisht radikalë, pa kurrfarë lidhje me një forcë përparimtare politike të moderuar të së majtës. Ai, nuk ka patur dhe nuk ka asnjë aspiratë dhe ideal të së majtës, të doktrinës së saj në mbrojtje të më të varfërve, të më të pamundurve, të më të dobtëve në një shoqëri demokratike.

Sepse, në fakt, vetëm të majtë nuk ka sot Shqipëria. Ka vetëm një çetë të babëziturish e të pangopurish kleptokratë, që, në shpërdorim të pushtetit, me politika shtypëse e represive dhunon dhe varfëron dita ditës qytetarët, duke i futur duart në xhepa popullit më të varfër të evropës….! Dhe tani, kam vetëm disa pyetje për të nderuarin dëshpërimisht Kryeministër të vendit tim! Ju lutem, mundet të na thoni se, cili homolog i juaj në detyrë, në rajon, evropë dhe në botë, shpenzon kaq shumë energji duke vënë në dorë dhe manipuluar 95 % të medias…!?  Cili është ai kryeministër i përgjegjshëm për fatet e vendit, që ka si mision të vetëm mirëqënien e popullit dhe begatinë e tij, që, një pjesë të madhe të kohës së punës, shmangë vëmendjen që duhet ti kushtojë problemeve kyçe të vendit, dhe si një adoleshent fluturak, tekanjoz, inatçor dhe qarraman, kacavirret pas “kazanit mediatik”, (Facebook, Twitter, media vizive dhe ato të shkruara, 24 orë në 24 orë), për qëllime propagandistike e deliri, me synimin e vetëm, për të ruajtur sa më gjatë pushtetin e tij me një staturë artifice, për të fituar imunitet nga zullumet e keqqeverisjes në dëm të vendit, në dëm të popullit…!?  Cili pra, është ai kryeministër serioz, i vetëdijshëm për barrën e madhe që mban mbi supe, që, për hakmarrje provinciale dhe infantile, i qepet këmba – këmbës të gjithë atyre qytetarëve dixhital, gazetarëve dhe mediave që nuk i vijnë pas oreksit, duke i shantazhuar dhe i kërcënuar me gjoba me të ashtuquajturën: “paketë antishpifje”…!?

Në cilin vend të botës demokratike, një kryeministër në detyrë, që administron përmes pushtetit pa kufi, të gjitha paratë publike, del e bërtet ashtu siç bën kryeministri i vendit tim, nga mëngjesi deri në darkë…!?  Kryeministri ynë, kapardiset, fryhet si gjel, shan dhe ironizon me një cinizëm vanitoz figura të nderuara publike, diplomatë, artistë, politikanë, deputetë, gazetarë, opozitarë, njerëz të thjeshtë, poshtëron të gjithë ata që nuk janë në një mendje me të, kërcënon dhe denigron pushtetin e katërt, e në mënyrën më të paskrupull, guxon dhe bëhet i vetmi nismëtarë për të ashtuquajturën “paketë antishpifje”, ngase kërkon të nxjerrë me çdo kusht ligje represive për të shuar zërin e kriticizmit, të drejtën e fjalës, për të ngushtuar hapësirat e lirisë…  Nëse e gjitha kjo është një nismë e nevojshme që duhet bërë, le të bëhet nga institucione të specializuara dhe të pavarura, por jo nga ju zoti Rama, sepse, le ta themi troç: ju jeni në konflikt të pastër dhe të hapur të interesit si kryeministër, ngase të gjitha zullumet e mbrapshta të vendit nisin nga ju, duke filluar nga korrupsioni administrativ dhe deri tek ai politik! Ndaj, me këtë nismë, bëheni tepër qesharak dhe nuk jeni aspak serioz, sepse në fakt, keni kohë që ndjeheni i frikësuar dhe jeni i futur në panik!  Protestat e ligjshme të studentëve, nuk mund të manipulohen dhe të çbëhen me tërheqje apo lëvizje strategjike të qeverisë, përmes anullimeve urgjente të VKM – ve  dhe ulje – ngritjeve  të toneve retorike nga frika e revoltave masive, as me premtime joshëse që mund t’ju serviren atyre për momentin nga zyra e kryeministrit, sa për të zbutur rezistencën e tyre… Tashmë, kjo revoltë, si një aparat sizmograf i kolauduar, parashikon tërmete edhe më të fuqishme.

Dhe këto tërmete që në thelb kanë krizat dhe plagët e mëdha sociale të shoqërisë, i keni krijuar ju artificialisht, për shkak të ambicieve dhe fantazive tuaja të shfrenuara, kapriçove dhe egocentrizmit tuaj të pavend.  Ato janë protesta të një tjetër lloji, të pastra dhe të shëndetshme, për një demokraci të mungur dhe të mohuar në këto tre dekada të tranzicionit të vështirë në Shqipëri. Është një lëvizje pa kthim, që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Janë protesta deri në zgjidhjen definitive të të drejtave të tyre legjitime, për rikthimin e dinjitetit njerëzor të nëpërkëmbur padrejtësisht nga arroganca dhe makutëria përmes keqqeverisjes, për vënien e një standardi të ri të demokracisë. Ky, është vetëm fillimi. Ndaj, i nderuar  dëshpërimisht Kryeministër i vendit tim, thërritini arsyes dhe veproni me një logjikë të ftohtë pendese. Asnjë shoqëri nuk mund të jetë e lumtur, nëse pjesa dërrmuese e saj është e varfër dhe e mjerë. Humnera sociale ku e ke çuar vendin, asesi nuk të jep statusin e një burrështetasi që ju e pretendoni. Përkundrazi, ajo do t’ju lërë pas njollën më të zezë të turpit dhe një krimi të shëmtuar social në dëm të një populli që ju besoi sinqerisht dhe ju votoi…!

 

SHKARKO APP