Kantieri i ndërtimit Greqi

Kantieri i ndërtimit Greqi

Dalje nga Eurozona, falje e borxheve, fund i politikës së kursimit të BE- në rastin e fitores në zgjedhje të partisë së majtë Syriza në Greqi duket gjithçka e mundur.

Varfëria në Athinë – atë arrin ta dallosh vetëm në vështrim të dytë: kur sheh pronarin e lokalit, i cili këmbëngul me dëshpërim pak më të madh se e zakonshmja që të më tërheqë në restorantin e tij; kur sheh shitësin e bizhuterive, e cila është e gatshme të më shoqërojë në bankomat kur i them se nuk kam sa duhet para në dorë.

Aleanca e Majtë, Syriza kërkon ta ndryshojë rrënjësisht vendin

Në sondazhet aktuale para zgjedhjeve parlamentare në Greqi në 25 janar, partia e majtë Syriza ndodhet përpara. Mbështetja për të në popull është e madhe, grekëve u ka ardhur në maj të hundës nga kursimet prej disa vitesh. Theodoros Paraskevopoulos është një nga themeluesit e Syrizas dhe sot është këshilltar për çështje ekonomike të Alexis Tsipras. Ai e kupton tërbimin e bashkëkombasve të tij: "Njerëzve u merren të ardhura- pa një shpresë për kohë më të mira. Nuk mund ta nxjerrësh nga kriza një vend me një program të rreptë kursimesh, këtë ta thotë çdo shkollë ekonomie!"

Theodoros Paraskevopoulos kërkon ndryshime

Ekonomisti paraqitet i sigurtë në fitore. Do të ketë një shndërrim radikal në Greqi, thotë ai, ky është qëllimi i tij i deklaruar. "Na duhet një pushim për të marrë frymë, borxhet gjithsesi nuk i paguajmë dot, thjesht sepse janë shumë të mëdha". Ndërkohë mali i borxheve është në nivelin 180% të rendimentit vjetor ekonomik. Paraskevopoulos kërkon në vend të kësaj, siç e quan ai"një program të shpejtë për rigjallërimin e ekonomisë". Paga minimale do të ngrihet nga 560 në të paktën 700 euro. Sipërmarrjeve të vogla do t'u zgjatet koha kur t'i kthejnë borxhet dhe bankat do të shtetëzohen.

Nga shumë sipërmarrje vijnë kritika

Po sa realiste janë premtime të tilla? Programi i rritjes ekonomike i Syrizas do të financohet para së gjithash me taksa më të larta. Shumë sipërmarrës grekë i shohin me sy kritikë planet e socialistëve. Njësoj si pronari i shtypshkronjës, Konstaninos Diplaris. Gati 50 vjet të shkuara e ka themeluar firmën babai i tij, ai vetë e drejton firmën që në vitin 1988. Pak para krizës ekonomike ai investoi në një produkt të ri, pastaj kërkesa ra. Shtypshkronja prodhon ambalazhe për shembull për furra buke, embëltore dhe restorante.

Nuk jemi të aftë t'i rezistojmë konkurencës, thonë grekët

Më parë klientët porosisnin dizenjo të sofistikuara dhe të personalizuara- tani produkte më të lira. Atij nuk i është dashur ende të pushojë ndonjërin nga 50 punonjësit e tij. Por taksat më të larta janë gjëja e fundit për të cilën ka nevojë ai tani. "Ajo që na duhet është para së gjithash stabiliteti. Pas gjashtë viteve recesion, sipërmarrjet kanë arritur në limitet e tyre. Këtu nuk është bërë gjë tjetër veçse janë rritur taksat. Po ajo që na duhet neve janë paratë që qarkullojnë.

Sipërmarrës të tjerë thonë më tej se vendi ka nevojë të rindërtojë aftësinë e tij prodhuese. Atje ku më parë prodhoheshin motorë, traktorë dhe gjeneratorë për energjinë elektrike sot sheh salla bosh. Sot të gjitha makineritë importohen nga Evropa ose nga Azia. Ekonomisë greke i mungon një bazë për prodhimet e saj. "Që ne nuk jemi të aftë t'i rezistojmë konkurencës, këtë duhet ta ndryshojmë. Aftësia jonë për konkurencë është shumë e ulët dhe po vazhdon të ulet", shprehet Petros Petropoulos, pronar i një sipërmarrjeje tjetër, që më parë prodhonte makineri. Sot ai u bën vetëm përshtatje të vogla makinerive të importuara dhe i riparon ato.

SHKARKO APP