Karshillëk ndaj “dekriminalizimit”

 

Nga Mero Baze

Fushata propagandistike për dekriminalizimin e politikës shqiptare, si një çështje që i ka dalë rrugës opozitës mori sot pamjen e saj të vërtetë qesharake, me kandidimin nga Partia Demokratike të Xhelal Mziut, si kandidat për Bashkinë e Kamzës. Partia që gërmon nëpër arkiva dëshmi penaliteti dhe incidente në jetën e kundërshtarëve të saj, kandidatin e parë zyrtar që propozoi, e ka një person nën akuzë të rëndë penale për shpërdorime financiare dhe prekje të barazisë në tendera.

Xhelal Mziu u arrestua pak më shumë se një vit më parë dhe deri tani i ka ndryshuar vetëm masa e arrestit, por procesi vazhdon.

Ai është personi, në adresë të të cilit ka pasur po ashtu denoncime për ngacmime seksuale dhe blerje titujsh fals me lekët e Bashkisë në shoqata fantazëm në perëndim.

Kandidmi i tij zyrtar, e bën qesharak gjithë procesin dhe vullentin e opozitës, për të prodhuar një histori pastrimi nga ky proces politik.

Por përtej talljes me dekriminalizimin, kandidimi i Mziut është sinjal i kriminalizmit.

Duke qenë një kryebashkiak i akuzuar zyrtarisht për korrupsion dhe me lidhje personale me familjen Berisha, ai është shembulli i parë i qartë se kush i dikton kadidatët e PD-së.

Ata nuk mund t’i diktoj as propaganda për dekriminalizim, as kryetari aktual që bën sikur ka nevojë për të pastruar politikën, por klanet e vjetra të korruptuara të PD-së, ku Mziu ka paguar dhe vazhdon të paguajë haraçin e tij. Pra, kandidimi i tij është një sinjal i fortë i kriminalizimit të politikës në PD dhe i mungesës së çdo vullneti, për ta pastruar politikën nga njerëz që janë ndërkohë dhe nën akuza të rënda penale.

Kandidimi i Mziut dëshmon gjithashtu dhe statusin e të paprekshmit që kanë njerëzit e inkriminuar në PD. Duke qenë një personazh i ngatërruar që me histori korrupsioni dhe ryshfetesh e deri tek histori të ngacmimeve seksuale, Mziu është dhe kandidati i parë që zgjidhet pa debat brenda në PD. Kjo tregon standardin e kontrollit që PD-ja ka mbi njerëzit që kandidon. Mziu, i cili ka më të mëdha dosjet penale se dosjet financiare të Bashkisë është i kontrollueshëm politikisht për shkak të background-it të tij. Dosja e tij penale dhe historitë kriminale që lidhen me të, ia bëjnë më të lehtë liderve të PD-së ta kenë atë nën kontroll, ndaj e kandidojnë të parin ndër ata që diskutohen të kandidojnë.

Tani që fushata elektorale po fillon dhe PD-ja ka si kauzë të saj dekriminalizimin, duket sikur tallet me banorët e Kamzës, të cilët i konsideron apriori të trashë, që nuk e kuptojnë fjalën dekriminalizim dhe nuk ka të bëjë me Xhelal Mziun.

Shpresa e vetme ishte, që së paku në këto zgjedhje ku bëjnë sikur flasin çdo ditë për dekriminalizimin, të kishte lista të pastra dhe të mos justifikoheshin, që nuk e dinim se dikur ka gabuar filan kandidat. Kurse kjo e Mziut është arrogancë dhe karshillëk i hapur. Ai është ndërkohë i akuzuar dhe do t’i duhet që një ditë në javë gjatë fushatës të mos jetë në fushatë por në sallën e gjyqit, ku akuzohet për hajdut dhe ku rrezikon disa vite burg. Pas çdo senace Lulzim Basha, do ta pres në SHQUP dhe së bashku krah më krah, do thonë patjetër fjalinë e famshme “jashtë kriminelët nga politika”.

Gazeta "Tema"

SHKARKO APP