Katër arsye përse politika e jashtme europiane fle gjumë

 

Disa fajësojnë politikat e kursimit për këtë mosveprim. Të tjerë thonë se Bashkimi Europian nuk është krijuar asnjëherë për të bërë politikë të jashtëm. Megjithatë, të tjerë thonë se europianët janë thjeshtë naivë, njerëz që kapen pas dëshirave dhe ideve të thjeshtësuara në lidhje me mënyrën se si funksionon bota.
Asnjë prej këtyre nuk është e vërtetë. Arsyet përse politika e jashtme europiane fle gjumë janë shumë më të thella. Janë katë faktorët themelorë: identitetet, institucionet, neglizhimi i jashtëm dhe mosinteresimi i brendshëm.
Identitete të kërcënuar?
Së pari, europianët mendojnë se rreziku ndaj identiteteve të tyre kombëtarë është tani më i madh se sa rreziku ndaj sigurisë së tyre fizike. Shikoni mirë se çfarë diskutojnë me të vërtetë njerëzit jashtë faqeve të editorialëve të gazetave të mëdha, dhe gjasat janë që të ngatërroheni në debate për imigrimin e paligjshëm, islamizimin, krimet që kryejnë të huajt, kultura e brendshme që ndryshon dhe bëhet e panjohëshme, paratë e taksapaguesve që harxhohen për njerëz që janë shumë larg, e kështu me radhë.
Këto tema dominojnë ligjërimin politik në tre vendet më të mëdhenj të BE-së – Gjermani, Francë dhe Britani – si dhe në një pjesë të madhe të shteteve të tjerë, duke përfshirë Austrinë, Holandën dhe Hungarinë.
Debatet e nxitur prej identitetit kanë prirjen t’i prekin njerëzit në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe shumë më emocionalisht se sa çështjet në dukje abstrakte, si rreziku që paraqet Rusia ndaj rendit politik europian, rreziku i të ashtuquajturit Shteti Islamik ndaj stabilitetit në Lindjen e Mesme, sfida që Kina paraqet për ekuilibrin global të fuqive, ose ndjekja e programit bërthamor nga ana e Iranit.
Cështjet e sigurisë për të cilat flasin aq shumë analistët kanë një rëndësi dytësore për njerëzit e zakonshëm. Dhe nëse njerëzit e zakonshëm nuk janë shumë të shqetësuar, politikanët kanë prirjen të mos e hapin atë “kanaçe me krimba”. Kjo është veçanërisht e vërtetë, nëse kjo kanaçe me krimba nënkupton ndërtimin e një reagimi të bashkuar paneuropian, apo peshimin e mundësisë së rritjes së shpenzimeve ushtarakë.
Institucione të papërshtatshëm
Arsyeja e dytë për ngathtësinë e Europës është se nuk ka një institucion të vetëm, që të mundet të formulojë në mënyrë të besueshme një interes të përbashkët europian. Pro integracionistët kanë prirjen të besojnë se ose Komisioni Europian, ose Parlamenti Europian janë të aftë për këtë detyrë. Por në fakt, asnjëri nuk është.
Pjesë të komisionit i afrohen shumë idealit të të qënurit avoketër të një interesi të përbashkët europian. Por këto janë degë të ekzekutivit të BE-së që mbrojnë interesa të përbashkët për çështje si tregtia apo tregu i përbashkët, teksa asnjëra prej këtyre të dyjave nuk është në qendër të politikës së jashtme klasike.
Ai krah i komisionit që njëherë arriti të promovojë një linjë të përbashkët të BE-së për çështjet e jashtme është transformuar në Shërbimin e Veprimeve të Jashtëm të BE. Por deri tani, ky organ ka qenë shumë i pafuqishëm, shumë i kontrolluar prej shteteve anëtarë, dhe shumë i keqmenaxhuar, për të qenë pararojë e lidershipit të politikës së jashtme të BE-së.
Sa për Parlamentin Europian, ai nuk përfaqëson vullnetin e unifikuar politik të një politike europiane – pavarësisht përpjekjeve të tij të dëshpëruara për të bërë pikërisht këtë gjë. Shpesh herë, pozicionet e Parlamentit paraqesin diçka më shumë se sa këndvështrimin e anëtarëve të tij, një kastë e veçantë europolitikanësh që kanë një pozicion të sikletshëm mes mandateve të tyre të ngushtë kombëtarë, fodullëkut europian dhe mungesës strukturore të llogaridhënies.
Në teori, fokusi i madh që Parlamenti Europian ka tek vlerat dhe parimet është një gjë e mirë. Por, në një kohë kur ky theks nuk shoqërohet me botën më realiste të vendim-marrjes ekzekutive, ai shpesh herë përfundon si shfaqje morale prej tribunave.
Institucioni më i prirur për të “farkëtuar” diçka që i ngjan një interesi të përbashkët të BE është Këshilli i Bashkimit Europian. Si përfaqësues i qeverive të shteteve anëtarë, këshilli ka mandatin më të fortë demokratik nga të gjithë institucionet e Brukselit. Por, pjesëtarët e këtij organi, ruajnë gjithashtu me xhelozi privilegjet kombëtarë në politikën e jashtme, dhe si pasojë shpesh herë nuk arrijnë në kompromise që janë të domosdoshëm për t’i mbijetuar kontaktit të parë me botën reale.
Në mungesë të një institucioni që do të mundej të formulonte në mënyrë të besueshme dhe domethënëse një politikë të jashtme paneuropiane, veprimi i BE jashtë do të mbetet jo i bashkuar, i dobët dhe, me disa përjashtime, përgjithësisht jo mbresëlënës.
SHBA e shkëputur
Kufizimi i tretë në veprimin e jashtëm të BE është ndryshimi i rolit të SHBA. Uashingtoni është më pak i interesuar për Europën, se sa ka qenë, e si pasojë bën më pak presion ndaj Europës që “të mbledhë mendjen”. Arritja më e madhe në politikën e jashtme të Europës gjatë pesë viteve të fundit ka qenë uniteti i saj i paprecedentë dhe jetëgjatë për sanksionet kundër Iranit, për shkak të programit bërthamor të këtij vendi. Por prapa këtij uniteti ka një sekret të vogël e të pistë: një trysni e madhe e SHBA ndaj europianëve, duke përfshirë edhe trysninë rregullatore nga agjencitë e qeverisë së SHBA ndaj kompanive europiane që bëjnë biznes me Teheranin.
Eshtë një e vërtetë përgjithësisht e padeklaruar se veprimtaria e politikës së jashtme të BE shpesh herë mbështetet në udhëheqjen e SHBA. Kjo është e vërtetë në Ballkan, në Afganistan, në shumicën e çështjeve të sigurisë dhe mbrojtjes dhe më së fundmi, në luftën kundër Shtetit Islamik. Amerika ka qenë shtytësi, kufizuesi, konceptuesi dhe pajisësi i politikës së jashtme të BE-së. Ajo ka qenë gjithashtu siguruesi i besimit për europianët, duke garantuar që asnjë vend i BE nuk do të bëhet shumë dominues në çështjet e jashtme të kontinentit, duke i eleminuar kështu tensionet potencialë që në krye të herës.
Por këto kohë, ky lloj lidershipi i SHBA është i rrallë dhe shpesh vjen me gjysmë zemre, duke e zbritur edhe më shumë nivelin e energjisë së BE në politikën e jashtme.
Tre të mëdhenjtë jo ambiciozë
Faktori i katërt që qëndron prapa letargjisë së BE-së është fakti që tre shtetet më të mëdhenj të unionit kanë frenuar investimet e nevojshëm në politikën e jashtme të BE.
Britania është e interesuar në disa pjesë të politikës së jashtme të BE, por i mungon mbështetja për integrimin europian që do të mund ta bënte këtë vend një lider. Franca bën sikur shfaq një interes, por pengohet prej periudhave jorealiste të krenarisë kombëtare si dhe kredibilitetit dhe burimeve të pakësuara. Gjermania, teorikisht, i ka burimet por vuan prej një kombinimi të pasivitetit tradicional, orekseve njëpalësh të sapozbuluar, dhe një droje ushtarake që e redukton shumë ndikimin e saj.
BE vuan prej problemeve të identitetit, institucioneve të dobët, një “bariu” të jashtëm të munguar dhe mungesës së përkushtimit të tre liderëve të brendshëm. Kur bashkohen këto katër mangësi, shfaqet një përzierje e shkaqeve që qëndrojnë në themel të sklerozës europiane në politikën e jashtme. Nuk është habi që, aktorët e jashtmë që pëlqejnë të shfrytëzojnë dobësinë e perëndimit, mendojnë se Europa është një forcë e shuar. /Carnegie Europe/
* Techau është drejtor i Carnegie Europe. Ai punon për integrimin e BE dhe politikën e jashtme, çështjet transatlantike si dhe politikën e jashtme dhe të sigurisë të Gjermanisë.

SHKARKO APP