Kë tremb rivotimi i Ilir Metës?
Lideri i një partie është pasuri e saj, është institucioni kryesor i drejtimit dhe përfaqësimit politik kombëtar! Legjitimiteti i këtij lidershipi është vlera e kësaj partie në ballafaqimin e përditshëm me publikun. LSI ka nevojë të konsolidojë pozitat e saj përballë një mjedisi social-ekonomik, i cili çdo ditë e çdo orë pret përgjigje për shqetësimet dhe problemet që has.
Nga Dr. Edmond Stojku
Është bërë zakon në Shqipëri që analistët e jetës publike të zhvlerësojnë çdo ngjarje, të vogël a të madhe në jetën e vendit dhe të institucioneve të tij. E njëjta po ndodh me zgjedhjet e reja në LSI. Ato nuk përbëjnë një ngjarje të rrallë a të panjohur për vetë LSI-në!
Paragjykimi i vlerës së procesit është megjithatë një dëshmi e moskuptimit të rolit dhe të mënyrës sesi një shoqëri konsolidon format e brendshme të shprehjes dhe të funksionimit, në kornizën e dobisë publike brenda së cilës është krijuar.
Paragjykimi se këto zgjedhje janë të fituara apriori nga drejtuesi aktual i LSI, Ilir Meta, refuzon njohjen e faktit se lideri – ashtu si çdo aspekt tjetër i veprimtarisë së tij – legjitimohet vetëm në proces. E thënë ndryshe, pa zgjedhje Ilir Meta nuk legjitimon dot krejt kursin politik të zbatuar prej tij dhe kryesisë së LSI. Pozitat e tij, në mungesë të zgjedhjeve, janë të vetëshpallura dhe rrjedhimisht të paragjykueshme, të luhatshme, të paqëndrueshme. Kjo mund t’u interesojë analistëve që përpiqen të ndërtojnë paralele krahasimesh me parti të tjera, por jo për LSI-në, e aq më pak në dobi të vendit.
Lideri i një partie është pasuri e saj, është institucioni kryesor i drejtimit dhe përfaqësimit politik kombëtar! Legjitimiteti i këtij lidershipi është vlera e kësaj partie në ballafaqimin e përditshëm me publikun. LSI ka nevojë të konsolidojë pozitat e saj përballë një mjedisi social-ekonomik, i cili çdo ditë e çdo orë pret përgjigje për shqetësimet dhe problemet që has. Për këtë, asaj i duhet një lidership legjitim dhe një praktikë funksionimi e hapur, ku idetë qarkullojnë dhe ku mendimet merren në konsideratë.
Nëse LSI ka vendosur të sillet si parti e përgjegjshme, dhe kjo s’ka dyshim – e qëllimshme kjo – s’mund ta luhasë (LSI) përballë palësh që deri më sot kanë funksionuar në mënyrën më të papërgjegjshme, më pedante dhe anti-demokratike.
Unë gjykoj se është e domosdoshme që pas konsolidimit të pozitave të lidershipit të saj, LSI të ndërtojë një model funksional të komunikimit efektiv, të ndërtuar mbi tryezat permanente të konsulencës profesionale mbi çdo fushë me rëndësi jetike për fatet e vendit. Në këto tryeza mund të ulen specialistë dhe emra të njohur në fushat e tyre të ekspertizës, pavarësisht orientimit të tyre politik. Kjo do t’i jepte lidershipit të partisë një optikë më gjithëpërfshirëse mbarëkombëtare, dhe një aftësi të shtuar në gjykimin e efekteve konkrete, në përputhje me një program, i cili nuk niset nga një aksiomë ideologjike për të realizuar një vizion zhvillimor, siç ndodh me parti të tjera në vend. LSI ka shansin dhe idetë të ndërtojë një program të ri zhvillimi, i cili reflektohet në cilësinë e jetës së çdo familjeje shqiptare.
Kjo strukturë e ndërmjetme, mes kryesisë së partisë dhe bazës së saj, duke filtruar shqetësimet, ligjshmërinë, efektet e çdo vendimi, do të arrijë të gjenerojë ide të reja në përputhje me nevojat e publikut që baza sjell në kreun e partisë, dhe do ta shndërrojë LSI-në një njësi politike, që përfaqëson grupe interesi dhe shtresa sociale, të cilat deri më sot mund të mos votojnë për LSI, por mishërojnë përmes saj projeksionet më optimiste që lidhen me jetën e tyre.
Ky hap, në gjykimin tim kërkon lidership legjitim dhe besueshmëri institucionale. Kush tjetër veç zgjedhjeve e garanton këtë?
Çdo paragjykim i zgjedhjeve në LSI dhe i rezultatit të tyre e minon këtë vizion dhe është kundër interesit publik.