Kërcënimi ndaj gjyqtarit, kur KLD zhytet në politikë ­

Nga Skënder Minxhozi/Nisja e hetimeve për ministrin e brendshëm Sajmir Tahiri, për shkak të deklaratave të tij të ashpra për gjyqtarin Aliaj, shënon një rekord “historik” në kronologjinë e përplasjeve mes politikës e drejtësisë në Shqipëri. Për dy dekada e gjysëm kishim parë sesi kryeministra e ministra jo vetëm prishnin gojën me gjyqtarë e prokurorë, por u vinin atyre gjithfarë epitetesh nga më banalet. Kishim parë gjithashtu sesi një maxhorancë e tëra (kryeministri dhe ministri i brendshëm në rradhë të parë), pengonin në mënyrë flagrante antiligjore hetimet e prokurorisë, duke i mbajtur të hetuarit nën mbrojtje fizike, se mos vinin prokurorët e i arrestonin. Askush nuk u preokupua atëhere për “dhunim të drejtësisë”.

Epitetet banale që u harxhuan në adresë të ish­prokurores së përgjithshme Ina Rama pesë vjet të shkuara, pas ngjarjeve të 21 janarit, u pasuan nga refuzimi kategorik i qeverisë shqiptare për të lejuar ndalimin e një numri gardistësh, të dyshuar për katër të vrarët në mes të bulevardit Dëshmorët e Kombit. Asokohe kreu aktual i KLD Bujar Nishani, që pak ditë më pas zgjidhej ministër i brendshëm, nuk pati as edhe një përqind të reagimit të sotëm. Heshti si të tjerët dhe ju bashkua versionit qesharak të “puçit”, të cilin Berisha e predikonte nga mëngjesi në darkë, për të mbuluar tronditjen që shkaktuan vrasjet e civilëve të paarmatosur.

Edhe KLD e asaj kohe, megjithëse drejtohej nga “horri i Bulevardit”, nuk u ndje për këtë shkelje flagrante të ligjit që po bënte maxhoranca në fuqi, duke penguar hetimet për një vrasje të shumfishtë, për të cilën vijojnë debatet edhe sot. Tani të njëjtët persona, sot në opozitë, skandalizohen për gjuhën që ministri i brendshëm ka përdorur ndaj gjyqtarit Aliaj. Përtej faktit se ministri i brendshëm ka gabuar, ashtu siç gabon kushdo që sulmon qoftë edhe verbalisht drejtësinë, nuk mund të mos vërehet fare lehtë se reagimi i tij jashtë linjave normale, erdhi pasi prokuroria dhe gjykata janë përfshirë në një lojë të shëmtuar me tendencë të hapur politike, me qëllim zhurmimin e procesit të miratimit të reformës në drejtësi. Afera e përgjimeve po mbahet kryesisht në lojë, jo nga dëshira normale për të gjetur se ku është shkelur ligji (edhe në këtë pikë e kaluara ka raste dukshëm më flagrante), por për të krijuar një trysni të jashtme mbi procesin e reformës, me qëllim vështirësimin e miratimit të paketës kushtetuese. I njëjti prokuror i përgjithshëm heshti tre vjetët e fundit për skandalin e përgjimeve të ministrisë së mbrojtjes, për të cilin ka disafish më shumë prova se për IMSI CATCHER­in e Interfocës italiane. Çka e bën hetimin e tij të sotëm, edhe ndaj rastit të gjyqtarit, edhe ndaj paisjes përgjuese, tendecioz dhe të pabesueshëm. (Javanews.al)

SHKARKO APP