Këshilla për kolegët e mij në Parlament

Kuvendi ynë i sotëm, as që e vë ujin në zjarr për punë gjuhe dhe na mbyti me fjalë e terma të huaj, si “vettingu” që na e mori frymën, në një kohë kur, me siguri, janë shumica e deputeteve dhe mbarë populli i thjeshtë që nuk ia dinë as kuptimin. Për të mos përmendur shqiptimet e gabuara të tipit recensioni për recesioni etj…
Nga Gjovalin Shkurtaj
Kolegë e miq të nderuar: Shezai, Valentina e Romeo,
Ju uroj që u zgjodhët deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Ky është vlerësim e përgjegjësi e lartë, detyrim për ta shpënë në Kuvend zërin e profesorëve dhe shkollarëve, që e duan Shqipërinë ashtu si e meriton: të denjë për t’u përfshirë në proceset e rrjedhat e sotme të arsimimit cilësor e me synime bashkëkohore.
Presim që zëri Juaj, zëri i tre deputetëve nga radhët e drejtuesve të dalluar të universiteteve (një gjuhëtar dhe dy historianë), pavarësisht se do të jeni përfaqësues të dy partive opozitare, të mos heshtni, si pararendës të legjislaturave të mëparshme, por të shtroni me dije e argumente serioze, kërkesat për domosdoshmërinë që Shteti dhe institucionet zyrtare e publike, që varen ose që lejohen prej tij, të zbatojnë politika mbrojtëse për gjuhën shqipe. Mbi të gjitha të shtohet kujdesi për pastrimin e shqipes nga barbarizmat dhe “kallëpet” e huaja të panevojshme.
Natyrisht edhe përkujdesje të veçantë për shkencën e veprimtarinë shkencore të organizuar në universitete dhe në Akademinë e Shkencave.
Njerëzit e shquar të shkencës e të letrave shqipe i bëjnë nder Kuvendit. Miqësisht, me këtë rast, ju kujtoj se deputet në Kuvendin e Shqipërisë ka qenë edhe Ndre Mjeda, i cili, këtu e 93 vjet më parë, në cilësinë e deputetit të Shkodrës kërkonte që të thuhej shqip rendi i ditës dhe jo urdhri i ditës, si togfjalësh i kalkuar nga it. ordine del giorno apo nga fr. ordre de jour. Dhe, madje, Mjeda kërkonte që të kishte kujdes deri edhe për fjalët e ahengut shkodran.
Kurse Kuvendi ynë i sotëm, as që e vë ujin në zjarr për punë gjuhe dhe na mbyti me fjalë e terma të huaj, si “vettingu” që na e mori frymën, në një kohë kur, me siguri, janë shumica e deputeteve dhe mbarë populli i thjeshtë që nuk ia dinë as kuptimin. Për të mos përmendur shqiptimet e gabuara të tipit recensioni për recesioni etj.
Duhet të ndjekim shembullin e popujve e kombeve të mëdhenj, që tregojnë shumë kujdes për ruajtjen dhe mbrojtjen e gjuhëve të veta amtare. Puna është ta përmirësojmë cilësinë e botimeve dhe të publikimeve zyrtare. Sekretaret të mos merren me mediat sociale, por të mësojnë si bëhet korrektimi me programin e drejtshkrimit të shqipes, që është realizuar nga një grup studiuesish të IA të Prishtinës dhe të Qsa-së.
Ju vaftë mbarë dhe paçi ide, vullnet dhe këmbëngulje për të mbarën e Shqipërisë, të shqipes e të Shqiptarisë.
Gjovalin Shkurtaj

SHKARKO APP