Këshilltari i Metës, Emiljano Aleksi: Në Kuçovë Rama bëri gabimin më të madh. Duhet të largohet nga pushteti
Emiljano Aleksi, Këshilltari i Kreut të Kuvendit, Ilir Meta, në një koment në rrjetet sociale e quan të papranueshme deklaratën e Kryeministrit për përdorimin e policisë në zgjedhje. Aleksi shkruan se pas implikimit të Policisë së Shtetit në trafikun e drogës, Kryeministri Rama bëri gafën më të madhe duke shantazhuar policinë për të ruajtur karrigen e tij.
Për shkak të këtyre qëndrimeve antiligjore, Aleksi shkruan se Rama duhet të largohet nga pushteti me votën e qytetarëve më 25 qershor.
Postimi i plotë në Facebook:
“Kryeministër, mbani duart larg nga implikimi i policisë në fushatë!
Kryeministër, Ju mund ta bënit këtë deklarate çoroditëse kudo, por fakti që zgjodhët qytetin tim Kuçovën ju rëndon edhe më shumë me faj.
Pikërisht implikimi i personave të tillë, sikurse e thatë Ju, paradite me kapele të bëjnë punonjësin e shtetit dhe pasdite punonjësin e partisë mbollën frikën dhe pasigurinë në atë qytet.
Kryeministër, kjo është shkalla më ekstreme e përdorimit të Policisë së Shtetit kundër lirisë së votës dhe parimeve, për të cilat ata duhet të jenë garant të një procesi demokratik më 25 qershor.
Ju nuk duhet të shfajësojeni për këtë gafë të rëndë me një status në rrjetet sociale, sepse ose ti nuk e ke kuptuar gabimin realisht, ose e nënvlerëson këtë institucion. Sepse dhe mënyra se si zgjodhët ti bishtnoni kësaj çështjeje ju bën dhe me shumë pis.
Pas Kampionit tuaj të Rilindjes, ministri i shkarkuar, e përdori policinë e inkriminuar për kultivimin e hashashit, Ju e bëtë gabimin më të madh duke e përdorur dhe shantazhuar për të ruajtur karrigen tuaj.
E tërë kjo përforcon bindjen se Rilindja, për të mbrojtur pushtetin është e gatshme ta dëmtojnë shtetin. Në mënyrë të pariparueshme! Prandaj për hir të shtetit, përmes mocionit të mosbesimit më 25 qershor Ju duhet të largohen nga pushteti. Në mënyrë të pakthyeshme!”.