Kiço Blushi, shuhet babai i skenareve të filmave shqiptarë

Nga Roland Qafoku
Kur nga jeta ndahet mjeshtri i batutës “këtu lulet i hanë gomerët”
Një lajm i trishtë na e mbylli ditën sot. Shkrimtari, gazetari, skenaristi, publicisti dhe miku i mirë Kiço Blushi u nda kjo jetë. Ishte një lajm i keq për njeriun që prodhonte vetëm lajme të mira. Shkrues librash dhe romanesh por më shumë një autor i një numri të madh skenaresh të filmave, Kiço Blushi mund të quhet me plot gojën babai i skenareve të filmave shqiptarë. E kush është ai shqiptar që nuk i mban mend?
“Silli lekët këtu. Vetëm në Paris blihen lule. Në Shqipëri i hanë gomerët”(Konvert në vitin 1936).
“Nëse ti ke mbeturina mikroborgjeze unë të godas. Unë dua të fejohem. Do të fejohesh? Shumë bukur (Çifti i lumtur).
“Prit kaliii. Kali është i xhaxhi Thomait. Ik moj tullumbace: (Beni ecën vetë).
Sa e ke orën o shok? Po ti e di që unë nuk kam orë. Po ti më përgjon mua dhe mamanë kur bisedojmë? Jo o babi. Unë i mbyll veshët por ju flisni me zë të lartë, sidomos mamaja”. (Në shtëpinë tonë)
Shqipëria të bëhet e mosvarme. (Nëntori i dytë)
Këto batuta i publikova edhe vjet në 75 vjetorin e ditëlindjes së tij bashkë me një urim. Më mori në telefon dhe më tha: Faleminderit Landi por fakti që më publikon punë të vjetra do të thotë se qenkam plakur shumë. U ndjeva ngushtë. Ai edhe në moment trishtimi për vete lëshonte vrik batutën sikur ta kishte përpunuar me orë të tëra. Për një perdiudhë kohe Kiço Blushi ka qenë kryeredaktor i gazetës “Koha Jonë” dhe unë zëvendëskryeredaktor. Ai me një tog me libra e filma të botuar e publikuar dhe unë isha shumë i ri. Edhe stafi i gazetës ishte shumë i ri. Por profesori siç e thërrisnim ne, asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk shikonte moshën si avantazh. As veprat e tij, Kurrë nuk mburrej, nuk krekosej e nuk kapardisej. Çdo gjë e bënte si të re. Kam qenë me fat që e kam njohur nga afër pikërisht atë që batutën ia kisha mësuar përmendësh në filma por jo LIVE. Dhe batutat e filmeve nuk ishin asgjë përballë atyre që ai lëshonte në punë. Tamam si ky shkrim që e botoi në vitin 2001 të shoqëruar me këtë foto plot humor me një grua shqiptare që peshohet në një peshore të huaj dhe që mban titullin: Ndërkombëtarë, ku e keni hallin? Por batuta sot është në gjysmë shtizë. Mjeshtri I saj nuk jeton më. Sot, unë dhe besoj të gjithë ata që e njohën dhe punan me të ndjehen të pikëlluar. Lamtumirë miku i shtrenjtë Kiço Blushi! Shpirti tu prehtë në paqe!

 

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?