Kievi ka mbetur vetëm
Javën e kaluar, Alexandre Zakhartchenko, udhëheqës i republikës të vetëshpallur të Doneckut, deklaroi se ai nuk vlerësonte më marrëveshjet e Minskut [firmosur më 5 shtator, ku u vendos një armëpushim në rajonin e Donbasit midis ukrainasve dhe indipendistëve pro-rusë] dhe se ai kishte filluar operacione sulmuese, deri sa forcat e tij të arrinin në kufijtë administrativë të rajonit të Doneckut.
Luftime të dhunshme shpërthyen pothuaj në të gjithë vijën e frontit. Një zonë rezidenciale e portit të Mariupolit, i kontrolluar nga Kievi u sulmua me raketa duke vrarë 30 persona dhe plagosur disa qindra, nga të cilët 30 persona në gjëndje të rëndë.
Si reaguan politikanët me influencë në Evropë përballë këtyre deklaratave dhe veprimeve terroriste? Ajo që mund të thuhet është se ata reaguan në mënyra të ndryshme.
Për shembull, Anne Brasseur, presidente e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i bëri thirrje të gjitha palëve t’i ndërprisnin armiqësitë, të tërhiqeshin dhe të respektojnë marrëveshjet e Minskut.
Procesi i paqes mund të zhvillohet vetëm në përputhje me këto marrëveshje të nënshkruara nga përfaqësuesit e të gjitha partive. “Procesi i paqes i Minskut është shansi ynë për të ndaluar luftën, në bazë të marrëveshjes së armëpushimit dhe protokollit të nënshkruar nga përfaqsuesit e të gjitha palëve, shprehet ajo. Për rrjedhojë, unë bëj thirrje për ndalimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake, tërheqjen e trupave dhe armatimit të rëndë si dhe lirimin e të gjithë pengjeve”.
Ju e keni lexuar mirë. Në momentin kur trupat ruse dhe terroristët vendas shpërthyen ofensivën e tyre – pa fshehur aspak objektivat e tyre – kur udhëheqësit separatistë i heqin vizë në marrëveshjeve të Minskut, kryetarja e Ansamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës i vendos “të gjitha palët” në të njëjtin thes dhe u thotë atyre: Ejani djema, mësoni të jetoni sëbashku dhe ndërprisni armiqësitë.
Nga ana e tij, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, u bëri thirrje militantëve të kthehen në tryezën e negociatave dhe të respektojnë marrëveshjet e Minskut. “Sulmi i fundit ushtarak i forcave separatiste në juglindje të Ukrainës përbën një dhunim skandaloz të marrëveshjeve të Minskut. Unë i bëj thirrje separatatistëve, që më mirë të vazhdojnë bisedimet, se sa këtë gjakderdhje absurde. Armëpushimi duhet respektuar. Të gjitha palët duhet të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e Minskut”. Të paktën ai flet për “separatistët”. Por asnjë fjalë për forcat ruse – tanket, artilerinë, këmbësorinë e motorrizuar, sabotatorët – të cilët, sipas specialistëve të NATO-s, luajnë një rol të drejtpërdrejtë në armiqësitë.
A është kjo miopi, apo diçka tjetër më e rrezikshme? Megjithatë, Këshilli i Evropës nuk është i vetëm në dhënien e vlerësimeve të çuditshme të zhvillimeve të fundit. Kështu, Martin Schulz, presidenti i Parlamentit evropian, nga një anë e dënoi ashpër sulmin e Marioupolit, por nga ana tjetër ftoi Rusinë të jetë “serioze dhe e ndershme”.
“Rebelët të mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës përhapin terror dhe bëjnë shkatërrime në popullsinë civile të rajoneve të prekura, në një shkallë të pashembullt. […] Unë i bëj thirrje Rusisë të përdorë influencën e saj të konsiderueshme për të frenuar dhe ndërprerë aktivitetet e këtyre forcave luftuese, të ndërpresë furnizimin me armë, me para, personel dhe informacione për rebelët, të mbyllë kufirin dhe të kthehet në tryezën e negociatave në mënyrë serioze dhe të ndershme”.
Ngjarjet në Ukrainë janë më të rëndat me të cilat përballet Bashkimi Evropian. Presidenti i Parlamentit evropian beson se Kremlini është në gjendje të tregohet “serioz dhe i ndershëm”…
Sigurisht ka në Evropë politikanë që analizojnë në mënyrë korrekte situatën, pohoi Edgar Rinkevics, ministri leton i punëve të jashtme: “Sulmi i separatistëve në Marioupol është një dhunim i marrëveshjeve të Minskut, Rusia ka përgjegjësinë t’i ndalojë ato”. Lituanezi Austrevicius, zëvendës kryetar i grupit të Aleancës të demokratëve dhe liberalëve për Evropën në Parlamentin evropian mendon se ka ardhur koha të harrohen sanksionet dhe të kalohet në bojkot: “Bojkoti për Rusinë duhet jo vetëm në sferën politike dhe ekonomike, por gjithashtu në fushën kulturore, sportive dhe të tjera. Sa më herët do të aplikohet ky bojkot, aq më shumë do të vlejë”.
Në fund, Donald Tusk, presidenti polak i Këshillit Evropian, vuri pikat mbi “i”: “Edhe një herë, qetësimi i situatës nxiti agresorin. Ka ardhur koha të intensifikojmë politikën tonë duke u bazuar në fakte jo në iluzione”.
Megjithatë vërehet se ndërmjet politikanëve të Bashkimit evropian, ata që denoncojnë më fuqishëm agresionin janë pothuaj ekskluzivisht përfaqësuesit e vendeve që kanë njohur pushtimin sovjetik dhe që dinë në çfarë pike udhëheqësit e Kremlinit mund të tregohen “seriozë dhe të ndershëm”. Problemi jo vetëm në Evropë, por dhe në Ukrainë, është se në majë më shpesh gjinden kllounë, se sa burra shteti. Ndërkohë që ne do të na duhen më shumë nga të fundit dhe më pak nga të parët përballë Putinit.
Bota.al