Kisha katolike dhe ortodokse të bashkuar në vuajtje

"Ata që përndjekin sot të krishterët nuk i pyesin se në cilën kishë bëjnë pjesë". Kjo fjali e Patriarkut Bartholome I mund të ishte shqiptuar po kaq mirë edhe nga Papa Françesk, i cili e dëgjoi me vëmendje këtë fjali të dielën (30.11.2014) në Stamboll. Krerët e të krishterëve të Perëndimit dhe të Lindjes përfaqësojnë një përbashkësi, madje një miqësi, e cila në pikëpamje historike është unikale. Vuajtjet e kaq shumë njerëzve në Siri dhe në Irak nën terrorin e "Shtetit Islamik" i afrojnë ata edhe më shumë me njëri-tjetrin. Të krishterët, të cilët jetojnë prej gati 2000 vjetësh midis Eufratit dhe Tigrit, Jesidët dhe pjesëtarë të besimeve të tjera ndodhet para asgjësimit. 

Linja e komunikimit që kanë me njëri-tjetrin kreu i Kishës Katolike, Papa Françesk dhe Bartholomeu I, Patriarku i Kishës Greke-Ortodokse është pa të dytë. Në maj ata u takuan në Jeruzalem, në qershor në Romë, dhe tani u takuan katër herë në katër ditë e gjysmë në Stamboll, në Konstandinopojën ortodokse. Në shekullin e 20-të, midis të dyja palëve ekziston ekskomunikimi kishtar, përçmimi dhe arroganca – kurse tani, të dy shefat e vështrojnë si "vëllezër" njëri-tjetrin. Françesku u përkul thellë përpara Bartholomeut I, tri vjet më i ri në moshë se Françesku dhe i kërkoi atij bekimin: për Papën dhe për Kishën e Romës. Bartholomeu I, me gjuhë të shkathët dhe i shkolluar, në post që prej vitit 1991, është fat për përbashkësinë e kishave – me siguri si Françesku përballë.

Afrimi emocional para afrimit zyrtar

Hapa të shpejtë të pajtimit formal, më pak se 1000 vjet pas ndarjes në vitin 1054, me siguri që nuk do të ketë. Greku duhet të jetë në gjendje të realizojë aktin mjeshtëror e ta tërheqë në të njëjtën varkë edhe kishën ruse ortodokse. Moska e sheh veten si Romë të tretë dhe ndjek kursin e saj. Por që vështrimi drejt Ukrainës – me kundërshtitë edhe të llojit kishtar- flet për nevojën e afrimit. Shumë dendur në shekujt e kaluar e kanë tronditur luftërat fetare Evropën.

Papa dhe Patriarku folën edhe për Ukrainën, sepse ata flasin nga perspektiva e atyre që vuajnë. Në këtë vend me tradita të vjetra kristiane, të gjithë personat përgjegjës duhet të rikthehen në rrugën e dialogut dhe të respektin para së drejtës ndërkombëtare. Por para së gjithash ata e hedhin vështrimin drejt viktimave të "Shtetit Islamik", drejt skllavërisë dhe martirizimit. Së bashku u bënë thirrje ata me fjalë dramatike myslimanëve në të gjithë botën ta luftojnë dhunën në emër të besimit. "Ne nuk mund ta përfytyrojmë një Lindje të Mesme pa të krishterë, të cilët identifikohen atje prej 2000 vjetësh me emrin e Jezuit." Dhe tani është vuajtja e tyre, martirizimi i tyre që i bashkon kishat. Ndjenja e përbashkësisë në vuajtje kapërcen çdo hendek konfesional. Dhe njëkohësisht i sfidon kishat.

SHKARKO APP