“Kjo nuk është më situatë për t’ja lënë në dorë vetëm një komiteti, një pushteti, medias a mediave sociale”
Nga:
Kjo nuk është më situatë për t’ja lënë në dorë vetëm një komiteti, një pushteti, vetëm medias a vërshimit të pa filtruar në media sociale.
Sapo ndodhi një tjetër ngjarje e rëndë në Infektiv dhe çfarë dimë me siguri është se “po zbatohet rigorozisht protokolli i OBSH-së”, përtej detajeve makabre, mungesës së transparencës nga autoritetet, ankthit e pasigurisë, që po prodhon një trajtim i paqartë i një situate tronditëse.
Dy gjëra ia vlen të thuhen:
1. Në kushtet e një psikoze kolektive mbi një situatë të paprecedentë dhe të frikshme krijuar në vend e botë a ka mundësi të mendojmë së pari për çfarë po u shkaktojmë njerëzve (po fus edhe veten si njeri i medias) duke publikuar çdo detaj makabër? A mund të fokusohemi tek kërkimi i shkaqeve dhe misioni për të mos zhytur më thellë në neurozë një publik të traumatizuar, por t’i shërbejmë interesit publik?
2. Kur flitet për këto protokollet standarde të OBSH-së, që nuk lejojnë të krijosh asnjë kontakt me pacientët nëpër spitale, më krijon një paqartësi të madhe fakti se si mund të standardizohet një protokoll në shoqëri e vende, që kanë stade të ndryshme zhvillimi, kultura e mentalitete kryekëput të ndryshme? A ndihet njëlloj i sigurt pacienti dhe të afërmit si në Shqipëri, si në Gjermani e si në Somali? Dhe nuk i referohem këtu cilësisë së mjekëve, atyre që kanë dhënë e japin shpirt e përkushtim nga periferitë e pamundësive të mëdha e deri tek qendrat e specializuara. Por tashmë nuk mund të mjaftojë më “po zbatojmë protokollin”, se po jemi vendi i vetëm ku pasojat psikologjike të pandemisë prodhojnë ngjarje makabre, që më pas të lëna në fatin e rrjetit mund të prodhojnë edhe më shumë dëm.
A mund të ngrihet një strukturë multidisplinare me asetet e këtij vendi, pa pyetur me kë parti je, me kë ha e pi, por me të vetmin kut, sa i zoti je të kontribuosh? Mjekë, epidemiologë, infeksionistë, reanimatorë, psikologë, psikiatër, nutricionistë, sociologë, ekonomistë, juristë, gazetarë,shqiptarë që jetojnë në vend e jashtë tij, që të ndërtojnë protokollin tonë, të mundësive tona, të specifikave tona, se nuk vijohet duke kopjuar Italinë e duke arnuar me pak nga të tëra.
Viktimat nuk po dimë kush po i shkakton më, covid-i, paniku, kurat e pakontrolluara, patologji të tjera shoqëruese, varfëria, injoranca, konspiracionet, paaftësia a neglizhenca…