Klasifikim dramash
Nga Skënder Minxhozi
Kemi shpëtuar për një rastësi të pastër, nga fluksi biblik i refugjatëve të luftës, të cilët mesa duket, nuk kanë gjetur në tokën shqiptare, logjistikën dhe infrastrukturat për të lëvizur drejt Veriut të Europës. Megjithatë i jemi “bashkuar” karvanit të të dëshpëruarve të luftës në Siri e Irak, duke kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian.
Këto orë koshienca e botës së pasur është dominuar nga imazhi tronditës i një fëmije të mbytur, që e kanë nxjerrë dallgët në brigjet e Mesdheut. Është imazhi i pamundësisë, i paralizës dhe amullisë që po tregon Europa ndaj krizës Teksa e krahasojnë me atë pamje fatale, mikpritësit gjermanë, francezë apo italianë, e kuptojnë pak ose aspak turravrapin tonë si popull, drejt një destinacioni që kujtohej i harruar qysh me eksodin e anijeve apo të ambasadave në Tiranë. Edhe fati i keq është një nocion relativ. Ka hallexhinj, por ka edhe nga ata që s’kanë ku të fusin kokën.
Në një intervistë për Javaneës dje, ambasadori gjerman Helmut Hoffman drejtonte një mesazh të qartë de pa ekuivok, se cili është pritoriteti i qeverisë gjermane në këtë moment, sa i përket politikave migratore. Hoffman shprehet se së shpejti vendi ynë do të hyjë në listën e gjatë të vendeve që konsiderohen si vend i origjinës së sigurtë. Që do të thotë se krahasuar me refugjatët e mjerë të luftës siriane, shqiptarët gjithashtu të varfër ekonomikisht, por pa një luftë në atdheun e tyre, do të kthehen mbrapsht nga erdhën.
Ka një konotacion dramatik dhe të pakëndshëm kjo mpleksje e fatit tragjik të popujve në luftë, me dëshirën për një jetë më të mirë që i shtyn migrantët ekonomikë të Ballkanit Perëndimor, që të marrin rrugën drejt Europës Veriore. Janë dy vektorë, dy realitete, dy histori dhe dy fate, që kanë origjina krejt të ndryshme. E megjithatë duket se njëra fatkeqësi e madhe, ajo e luftës në Lindjen e Mesme, ka gjeneruar dhe ka lëvizur nga vendi dramat e vogla dhe të mëdha sociale të Ballkanit Perëndimor. Një rajon ku prej vitit tashmë të largët 1999, nuk dëgjohet më krisma e armëve. Por që mesa duket vazhdon të konsumojë luftën e heshtur për të dalë nga skamja dhe degradimi ekonomik e social. Por a i bindim dot miqtë tanë europianë se kaq mjafton për të lënë shtëpitë dhe për t’u bartuar me plaçka në krah drejt Europës, si në sezonin e dramave që pasuan renien e Murit të Berlinit?! A jemi bindës në dramën tonë që duket e vogël, kur e ve përballë fëmijës trevjeçar që deti e nxori në një breg të shkretë?! (Javanews.al)