Klikimet 1, gazetaria 0
Nga Lutfi Dervishi
Një baba e lë vajzën 20 vjeçare të mbytet. Nuk pranon ta shpëtojnë rojet e plazhit sepse është i bindur se po ta prekin vajzën do ta çnderojnë. Pas ngjarjes babai është arrestuar nga policia. Ky është lajmi nga Dubai që u botua me shpejtësinë e dritës në shumë gazeta on-line.
Në një prej portaleve lajmi ishte shkruar në mënyrë të tillë që të krijonte përshtypje se gazetari e kishte parë ngjarjen me sy dhe vajzën që luftonte për jetën dhe babanë që bëhet agresiv dhe shtyn me forcë rojet…
Poshtë lajmit vijojnë komentet. Pothuaj 100% anonime. Opinionet nga më të ndryshmet. Nga personat që kërkojnë arrestimin e rojeve të plazhit se nuk kanë bërë detyrën tek deri tek varja në litar e “babait”.
Në mes të këtyre vendimeve ekstreme emëruesi përbashkët: feja e prapambetur islame. Nuk mbetet pas politika. Me këtë rast kujtohet se e keqja nis me anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen Islamike dhe fajtori për këtë ngjarje sipas një komentuesi është Sali Berisha!
Çudia më e madhe zgjat 3 ditë, – thuhej dikur. Sot në epokën e internetit, çudia më e madhe zgjat deri tek “botimi” i lajmit tjetër. Lajmi tjetër është se kjo ngjarje ka ndodhur 20 vjet më parë. Ndryshe nga vera që sa më e vjetër aq më e shijshme, lajmi ka jetëgjatësinë e shkurtër. Dje, (para internetit) thuhej se lajm është çdo gjë që nesër nuk është më lajm.
Lajmi “pozitiv” është se portalet në Tiranë nuk shkruan “ekskluzive”. Duket për çështje “nderi” nuk shkruan as nga e kanë marrë dhe përkthyer me Google Translate! Ngushëllimi është fakti se nuk është vetëm media on-line në Shqipëri që ka botuar lajmin. Janë edhe portale të huaja.
Në kohën e cunamit informativ, është e pashmangshme që të bësh gabime, madje edhe gafa. Por ajo që bën dallimin është: korrigjimi. Nuk gabojnë vetëm portalet pa përvojë dhe pa gazetarë, gabojnë edhe media që janë etalon i cilësisë.
Më pak se një vit më parë Nju Jork Times, botoi një “korrigjim” sepse kishte bërë një gafë. Gazeta i kërkoi ndjesë sepse kishte cituar Kanye West (bashkëshorti i Kim Kardashian) nga një intervistë që kishte dhënë për radion WGYN në Çikago. Citimet ishin marrë nga një website satirik. E vërteta, radio nuk ekzistonte dhe intervista ishte e sajuar”.
Asnjë portal në Shqipëri nuk kërkoi ndjesë madje as nuk botoi sqarim. Të paktën ndjesë anonimëve që morën mundimin të komentojnë dhe të analizojnë “lajmin”.
Një nga 5 pyetjet bazë në raportimin e një ngjarje është pyetja kur? Madje në çdo lajm rekomandohet të jetë në paragrafin e parë. Kur ka ndodhur kjo….? Nëse ka ndodhur 20 vjet më parë ka lidhje me historinë, arkeologjinë…. por jo me gazetarinë.
“Një polic është i mirë nëse ka informatorë të mirë, – është një thënie në serialin amerikan “The Ëire”. Në analogji me gazetarinë, një gazetar i mirë është ai që ka burime të mira informacioni. Janë me dhjetëra çdo ditë, “lajme” të prodhuara nga zëdhënësit në rastin më të mirë dhe nga fantazia në rastin më të keq. Dhe në mungesë të burimeve të informacionit,një pjesë e titujve kanë lidhje me shkrimin po aq sa ka lidhje byreku me kekun…
Gjithsesi situata nuk është pa shpjegim. Portalet nuk kanë staf të mjaftueshëm për të kontrolluar dhe verifikuar çdo informacion. Në kushtet kur duhet të shfaqin 100 apo më shumë lajme në ditë, afërmendsh që gabimet do të ndodhin.
Por më shumë se mungesa e fuqisë punëtore, gafa të tilla ndodhin për shkak të etjes për klikime. Edhe portale serioze kanë rënë në grackën e pornografisë sepse shohin se aty ka shumë klikime dhe madje duket se më shumë klikime ka tek lajmet e tipit: “babai lë vajzën të mbytet…”
Dhe fajtorë për këtë gjendje nuk janë vetëm portalet. Nëse nuk do të lexojmë më portale që bëjnë qimen tra dhe qullin me qime, nëse nuk do të klikojmë lajme vetëm për se ka foto lakuriq, ndoshta në këtë mënyrë krijohet hapësirë për të vërtetën lakuriqe.
Dhe për këtë të vërtetë, duhen gazetarë dhe redaktorë. Në internet gjen programe falas (jo vetëm thjesht google) për të kontrolluar nëse informacioni apo foto/videoja është e vërtetë.
Në çdo minutë, janë dhjetëra orë video që ngarkohen në Youtube, mijëra postime në Facebook e Instagram. Por jo çdo gjë që fluturon, hahet. Një gazetari e mirë di të zgjedhë dhe të kontrollojë. Dhe prandaj besojnë në atë që lexojnë se mendojnë se është gatuar nga njerëz të zanatit! Një gazetari e mirë nuk mbytet në një pikë uji.
Një gazetari e mirë nuk e mbyt tjetrin për herë të dytë, pas 20 vjetësh! Një gazetari e mirë kërkon ndjesë kur gabon. Në të kundërt shfaq arrogancën e pushtetit që ka. Pushtet që e merr nga njerëzit on line.
Deri më tani klikimet 1, gazetaria 0.
Syri.net