“Koha Jonë”, historia që vazhdon!

Albert Vataj

Plot 33 vite më parë erdhi në jetë, “Koha Jonë”, e para gazetë e pavarur, i fillimti zë i lirisë së fjalës, i të drejtës për të guxuar dhe kurajës për t’u ndeshur. Ishte kohë burrash që penën e kishin në zemër dhe zemrën e kishin në shpirt. Ata kishin ardhur për të shkruar një faqe në historinë e Shqipërisë, një faqe në kryengritjen e vullneteve për ndryshim. Guxuan më shumë se sa mundën. U ndeshën me të gjithë përbindëshat e pushteteve, për të fituar fjala e lirë, për të fituar e drejta për të menduar dhe thënë më zemër atë që vullneti e mbrun me shpirt.

Stafi i “Koha Jonë”, sot në Presidencë, gjatë ceremonisë së dhënies së titullit “Mjeshtër i Madh” gazetarit, drejtuesit dhe botuesit të suksesshëm, Nikollë Lesi, akordur nga Presidenti i Republikës, z. Bajram Begaj.

Liria lypte krahë për t’u lëshuar në atë fluturim lirie. Ëndrra, kërkonte ëndrra për të besuar. Ajo kishte zgjuar në shpirtin e disa të rinjve krijimin, ngjizjen e një zëri që vinte të sprovonte se deri ku mund të mbërrinte pasioni.

Historiku i medias shqiptare, natyrisht që nuk fillon me gazetën “Koha Jonë”, por tradita e shtypit të pavarur nuk mund t’ia mohojë asaj atributet e simbolikës së mëvetësisë së lirisë së mendimit dhe shprehjes. “Koha Jonë”, erdhi për të qenë gazeta e parë e pavarur. Ajo lindi dhe u rrit me shenjtërimin e fjalës së lirë që gurroi prej zjarreve pasionuese, për të mbetur e tillë, vazhdoi mes peripecish, persekucionit, përplasjesh dhe ngadhënjimit, për të  dëshmuar misionin e saj historik. Ajo është sot, jo dhe aq një madhështi që mbështet mbi supet e saj të së kaluarës, se sa një zë i zëshëm që jehon nga zëri i zemrave dhe pasioneve që besojnë ende se liria e shprehjes dhe misioni i informimit meritojnë atë shpirt vullnetesh të kurajshme që mbolli dhe kultivoi në median e shkruar, “Koha Jonë”.

Sot, sot kur të gjithë flasin dhe askush nuk dëgjon, “Koha Jonë” vijon të mbrojë me fanatizëm dhe me shpirt vetmohimi bedenat e fjalës së lirë. Një armatë ëndërrtarësh erdhën për të hedhur shpirtin e tyre krijues në këto themele dhe ndërtuan atë altarë ku ne ende lutemi.

SHKARKO APP