Koha për ndëshkim që prodhoi tërmeti

Nga Herion Mesi

107 vjetori i Pavarësisë dhe 75 vjetori i Çlirimit na gjeti në zi kombëtare. Asgjë nga armiku i jashtëm nuk na erdhi. Armikun e kemi brenda radhëve tona, plot pushtet dhe i pakapshëm nga drejtësia.

Sot kanë kaluar gjashtë ditë nga tragjedia kombëtare, që të paktën shërbeu për të na bashkuar edhe njëherë si komb, por  sot është dita për të folur, të gjithë nga pak. Ashtu siç foli Zoti, se ajo që ndodhi ishte pasoja, pasi shkaku duhet kërkuar tek njerëzit.

Ndaj nuk mund të bëhet “paqe” me këtë qeveri, që nuk di ku i ka njerëzit, sepse ata janë shpërndarë në të katër anët e vendit. Një qeveri që nuk di sa pallate janë prishur, një qeveri që pas 6 ditësh nuk di të thotë sa njerëz janë në qiell të hapur; një qeveri që nuk ka menduar asnjëherë për të ngritur trupa të emergjencave civile; një qeveri që nuk ka as qenër që të nuhasin nën rrënoja, për të mos thënë për aparatura; një qeveri që nuk ka çadra për të ngritur kampet për të pastrehët; një qeveri që nuk ngren dot një mensë masive dhe që nuk siguron dot një kuzhinier për ti gatuar diçka të ngrohtë atyre fatkeqëve që tashmë presin me lot në sy që ky makth të mbarojë; një qeveri që nuk ka specialistë që të kryejnë matjet dhe të bëjnë vlerësimet e dëmeve; një qeveri që nuk ka më shumë se 3 sizmiologë në dispozicion; një qeveri që nuk thotë akoma a ka rrezik sëmundjesh në zonat e shkatërruara; një qeveri e hallakatur që në fjalorin e vetëm të saj njeh vetëm togfjalëshin: Jepni lekë, jo ushqime, jo batanije, jo rroba, jo ilaçe. Dhe ta mendosh, që një ditë kur ne t’i japim lekë qeverisë, për bamirësi, do të dalë dikush dhe do na thotë që me lekët që ju dhuruat blemë kaq çadra, kaq batanije, kaq ushqime, kaq rroba, e kaq ilaçe, në një kohë që të gjitha këto po dhurohen nga shqiptarët, dhe jo vetëm, në mënyra dhe forma të ndryshme.

Por drama e shqiptarëve sot nuk është kaq e thjeshtë, ajo është më e thellë, më e dhimbshme, më e pashpresë.

Dhe meqë dje kryeministri kërkoi burg për ndërtuesit, arkitektët, supervizorët që abuzojnë me ndërtimet, duhet ta ndajmë se çfarë faji ka ndërtuesi, inxhinieri, arkitekti, kur ti si shtet lejove paligjshmërinë dhe korrupsionin, që ata të bënin atë që bënë.

Ndaj kjo dramë kërkon “hakmarrje”, jo nga njerëzit, por nga drejtësia. Dikush duhet të japë llogari për ndërtimet, për firmat, për lejet që u shpërndanë ndër vite. Dikush duhet të përgjigjet ligjërisht, dhe kur kanë kaluar 6 ditë nga ajo që ndodhi ende nuk ka asnjë hetim konkret. Ka ish-kryebashkiakë, që me gjithë stafet e tyre lëvizin rrugëve të Durrësit, Thumanës, Shijakut, Kavajës, Tiranës, gjoja të mërzitur nga ajo që ndodhi, por në fakt ata janë shkaktarët direkt ose indirekt, të kuptohemi jo të rënies së tërmetit, por të dëmeve që shkaktoi ai, pasi lejimi i ndërtimit të tyre pa kriter është në thelb krimi real që u është bërë atyre njerëzve fatkeqë që sot janë pa shtëpi, por edhe të tyre që tashmë e kanë pasurinë e jetës së tyre në fije të perit, në pritje me dorën në zemër nga frika e tërmetit të radhës.  Për sa kohë ata janë të pakapshëm nga drejtësia, sido që shkojë fati i atyre njerëzve që sot janë të dëmtuarit e tërmetit, fati i gjithë shqiptarëve është në rrezik.

Ambientalistët kanë një slogan: “Njeriu mund të falë gjithçka, madje edhe hakmarrjen e tij, por natyra është ajo nuk fal, ajo hakmerret gjithmonë”. Dhe ne e vramë natyrën duke e deformuar atë me pallate e projekte idiote, që për hir të babëzisë, për fat të keq marrin jetë njerëzish. Dhe kjo që ndodhi të martën e 26 nëntorit 2019 ishte hakmarrja e natyrës. Të gjithë u bëmë dëshmitarë të dhimbjes që na përfshiu të gjithëve, por asnjëri nga ne nuk e di kur do të bëhet dëshmitar i bërjes së drejtësisë në këtë vend.

SHKARKO APP