Koha të përqendrohemi tek barazia gjinore

Nga Phumzile Mlambo-Ngcuka, Drejtori Ekzekutiv i UN Women.

Në qoftë se shikojmë sot artikujt, ose videon e fundit të tmerrshme në YouTube – Dita Ndërkombëtare e Gruas – mund të duket një kohë e papërshtatshme për të festuar barazinë për gratë. Por përkrah historive të mizorisë të pakuptimtë, dhe të dhunës së përditshme, kemi një realitet tjetër, një realitet ku kemi më shumë vajza në shkollë dhe ku, krahasuar me më parë, shumë prej tyre janë duke u kualifikuar; ku vdekshmëria e nënës është në nivelet më të ulëta të historisë; ku më shumë gra janë në pozicione drejtuese dhe ku më shumë gra ngrihen për të shprehur mendimin e tyre dhe për të kërkuar ndërmarrjen e veprimeve.

Njëzet vite më parë, në shtator, me mijëra delegatë u larguan nga Konferenca e Katërt Botërore mbi Gratë, organizuar në Pekin, shumë të ngazëllyer. Ndjenja e përgjithshme ishte se gratë kishin arritur një fitore të madhe. Në fakt aty ishin 189 liderë botërorë të cilët u përkushtuan se vendet e tyre do të përmbushnin një Platformë për Veprime të shkëlqyera, me premtime ambicioze por realiste në fushat kyçe, si edhe një plan për arritjen e saj.

Në qoftë se vendet do t'i kishin përmbushur të gjitha këto premtime, sot do të shikonim më shumë progres në barazi krahasuar me përfitimet modeste që ne po i festojmë aktualisht në disa fusha. Ne do të flisnim për barazinë mes gjithë grave – dhe mund të flisnim për një botë të qetë, më të barabartë, më të zhvilluar dhe më të qëndrueshme.

Nëse shohim sot progresin e ngadaltë dhe të fragmentuar drejt barazisë, mund të duket se ne kemi qenë shumë ambiciozë kur prisnim të zhduknim në 20 vite një regjim ku ekziston pabarazia gjinore, dhe kur prisnim të zhduknim tërësisht shtypjen e cila në disa raste kishte zgjatur për mijëra vjet.

Por nga ana tjetër, a po kërkonim me të vërtetë kaq shumë? Çfarë bote është kjo që dënon gjysmën e popullatës së saj duke e klasifikuar si të klasit të dytë, në rastin më të mirë, dhe duke e skllavëruar, në rastin më të keq? Sa do të kushtonte realisht për të çliruar potencialin e botës së gruas? Dhe sa shumë mund të kishim përfituar! Në qoftë se liderët botërorë e panë me të vërtetë Platformën për Veprim të Pekinit si një investim për të ardhmen e vendeve të tyre, përse nuk e zbatuan atë?

Disa gra kanë arritur pozicione drejtuese. Ka pasur 12 femra në pozicionin e drejtuesve të shtetit në vitin 1990, dhe në vitin 2015 janë 19 të tilla. Por pjesa tjetër janë burra. Tetë nga 10 deputetë në mbarë botën janë burra. Vdekshmëria e nënës ka rënë me 45 për qind; por synimi për vitin 2015 ishte 75 për qind. Ka 140 milion gra të cilat nuk kanë qasje ndaj planifikimit familjar modern: synimi për vitin 2015 ishte që të kishim një mbulim universal. Më shumë vajza po ndjekin shkollën dhe më shumë po diplomohen; vendet e kanë ulur shumë “nivelin e  pabarazisë gjinore” për nivelin arsimor parësor. Gjithmonë e më tepër vajza po regjistrohen në arsimin e nivelit të dytë, por ka një dallim të madh midis arritjeve të vajzave dhe djemve. Më shumë gra po punojnë: Njëzet vjet më parë, 40 për qind e grave punonin bazuar në kontratat përkatëse. Sot kjo përqindje ka arritur në 50 për qind. Por nëse vazhdojmë me këtë ritëm do të na duhen më shumë se 80 vjet për të arritur barazinë gjinore në punësim, dhe më shumë se 75 vjet për të arritur nivele të barabarta pagese.

Ky vit krijon një mundësi të madhe për liderët botërorë, dhe një sfidë të madhe. Kur ata të takohen në shtator në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në New York, ata do të kenë mundësinë të rishqyrtojnë dhe të ripërkushtohen për synimet e Pekinit.

Sot, ne i bëjmë thirrje atyre liderëve që t’i bashkohen grave për të pasur një partneritet të madh për të drejtat e njeriut, për paqen dhe për zhvillimin. Ne i bëjmë thirrje atyre që të bëhen shembull për të treguar se si nga barazia përfitojnë të gjithë: burra, gra dhe fëmijë. Dhe ne i bëjmë thirrje atyre që të drejtojnë dhe investojnë për ndryshimin në nivel kombëtar, të trajtojnë mungesat në barazinë gjinore që ne e dimë se vazhdojnë të jenë të pranishme.

Ne duhet të vendosim një afat kohor në të ardhmen tonë. Në këtë moment synimi ynë është të ndërmarrim veprime të rëndësishme, të cilat do të jenë shumë të ngjeshura gjatë pesë viteve të para, dhe të arrijmë barazinë para vitit 2030. Ka nevojë të menjëhershme për të ndryshuar trajektoren aktuale. Niveli i ulët i përfaqësimit të grave në vendimmarrjen politike dhe ekonomike, përbën një kërcënim për fuqizimin e gruas dhe arritjen e barazisë gjinore që mund të trajtohet nga burrat dhe që duhet të jetë pjesë e zgjidhjes.

Në qoftë se liderët botërorë i bashkëngjiten aktivitetit në shtator të këtij viti; nëse ata ndërmarrin hapa të sinqertë për arritjen e barazisë, të mbështetur në themelet e hedhura gjatë 20 viteve të fundit; nëse ata mund të ndërmarrin investimet e duhura, të ndërtojnë partneritete me biznese dhe shoqërinë civile, dhe nëse marrin përgjegjësi për rezultatet, atëherë kjo mund të arrihet më shpejtë.

Do të vijë dita që gratë do të jenë të barabarta. Pyetja që ngrihet është përse duhet të presim? Prandaj ne po festojmë sot, Ditën Ndërkombëtare të Gruas; të sigurt në pritshmërinë se vitin tjetër, dhe në vitet e ardhshme, do të festojmë akoma më shumë.

SHKARKO APP