Kohë e vështirë për dijen, lirinë akademike dhe arsimin në Shqipëri

Kohë e vështirë për dijen, lirinë akademike dhe arsimin në Shqipëri. Shqipëria vijon të jetë një vend ku shumica e ministrave të arsimit dhe stafeve drejtuese vendimmarrëse në ekzekutiv e trajtojnë arsimin me konceptin/standardet e fasonerisë dhe patronazhizmit.

MAS dhe kastat e emëruara/diktuara politike vijojnë të mbajnë peng reformimin e sistemit, për rrjedhojë modeli i kontrollit nga lart, klientelizmit dhe i ndikimeve informale reflektohet edhe në të gjithë strukturën universitare.

Universitetet janë në krizë, më të mirët e brezit të ri të studentëve e specialistëve po largohen, nevojat politike dhe jo numri i studentëve cilësorë apo standardet e larta universitare janë përcaktuese për mbijetesën e disa universiteteve, arsimi dhe tregu i punës po ecin në drejtime paralele pa pika takimi dhe se në këtë mjedis dekurajues, të jesh kërkues i pavarur dhe me integritet është sakrificë me kosto të lartë përballë kulturës vegjetuese të shkencës së bazuar në mite ideologjike e slogane, apo të ushqyer nga interesa ekonomike informale.

Në këtë mjedis kritik natyrisht që ka edhe emra që bëjnë dallim, që me aftësinë, vizionin dhe angazhimin e tyre mund të jenë nxitëse pozitive të shpresës dhe të ndryshimit cilësor. Personalisht nuk jam votues në 21 qershor në zgjedhjet në universitete, por nëse do të isha votues nuk do të hezitoja në asnjë moment për të votuar disa nga kandidatët cilësorë aty ku ka zgjedhje.

Bazuar në njohjen profesionale, integritetin në angazhimet institucionale, si dhe vizionin që ofron përputhshmëri midis asaj çfarë ka nevojë arsimi dhe asaj çfarë kandidatët premtojnë e mund të realizojnë, e quaj kontribut modest dhe detyrë qytetare të shpreh mbështetjen për së paku katër kandidatë për rektorë në katër universitete ku realisht ka edhe zgjedhje:

Prof. Dr. Erald Bakalli, Universiteti i Arteve në Tiranë
Prof. Dr. Tonin Gjuraj, Universiteti “Luigj Gurakuqi” Shkodër
Prof. Dr. Osman Metalla, Universiteti “Aleksander Moisiu“ Durrës
Prof. Dr. Rena Nikaj, Universiteti “Fan Noli” Korçë

SHKARKO APP