Kokëdhima, Berishës: Nuk e fsheh pasurinë si ti (VIDEO)
Deputeti i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima ka debatuar me ish-kryeministrin, Sali Berisha për Rrugën e Arbrit gjatë diskutimit të projektligjit “Për caktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës koncesionare, me objekt ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e "Rrugës së Arbrit", ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë kineze “CHINA STATE CONSTRUCTION COMPANY”.
Përveç debatit sa i takon projektit të rrugës mes Kokëdhimës dhe Berishës pati akuza personale. Deputeti i PS-së për Qarkun e Vlorës i kërkoi Berishës që të përballet me të dhe të mos nxjerrë familjarët e tij për ta sulmuar.
"Oborri yt u vidhte shqiptarëve 1.2 miliardë dollarë në vit të cilat i transferojë në vendet e huaja dhe në bankat e huaja. Vetëm në qarkun e Vlorës, ti zotëri grabite 10 mijë hektarë tokë dhe sekserët e tua që grabitën këtë tokë ishin fëmijët e tu. Unë punova, ju ishit grabitqarët. Ju ishit qeveria që plaçkitët këtë popull, që e vratë dhe e tradhtuat. U dhe shqiptarëve këtë situatë kritike dhe këtë mjerim që kemi sot", u shpreh Kokëdhima.
"Historitë e tua kanë përfunduar, ti je personi që flet këtu për dekriminalizim duke pasur në qafë tërë ato akuza dhe duke pasur nën përgjegjësinë tënde gjithë ato vrasje që kreve, jo vetëm në 1997 por edhe më 21 janar kur more jëtë të pafajshmish, pikërisht sepse je një kokërr frikacaku. Je thjeshtë një frikacak dhe na tregon trimëritë e tua ti. Je një bolshevik i pakorrigjueshëm dhe po të them që koha jote ka mbaruar. Kurrë nuk kthehesh më në pushtet, mbaje mend këtë. Së fundi po të them mos e përdor familjen tënde kundër meje, nga një penxhere më nxjerr dhëndrin, mjafton ti përballë meje, mua këtu më ke siç më ke pasur gjithmonë. Kur ti ishe në qeveri me të gjitha gjërat në duar, unë bëja biznes, punoja me gjithë njerëzit e mi me ndershmëri, kam fituar dhe kam bërë pasuritë e mia në përputhje me ligjet dhe i gëzoj ato haptazi dhe legalisht dhe nuk i fsheh si ti pasuritë e vjedhura të shqiptarëve ti me sorollopin tënd. Do t’ua jap përgjigjen prap me 21 qershor. 5 me 0 përsëri do të ikësh për lesh Sali", përfundoi deputeti i PS-së.
Ahmetaj: Rruga e Arbrit, gjetje inovative
Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj duke folur për Rrugën e Arbrit theksoi se është një projekt mjaft i rëndësishëm i cili do të shërbejë për të lidhur të gjitha trevat shqiptare mes tyre. Po ashtu ministri tha se projekti i rrugës është një gjetje inovative si dhe i kërkoi opozitës që gjatë fazës së diskutimeve në komisione të mbështesë dhe të votojë për vazhdimësinë e projektit që do ta kthejë Shqipërinë në një qendër gjeoinfrastrukturore. "Është hera e parë në dy vite që opozita bie dakord me një projekt. aspekti financiar duhet theksuar se projekti i sjellë nga kompania kineze do të negociohet. Ajo që sjellim sot është diskutimi për 27 km e mbetur. Sa do jetë kostoja këtë di të kemi mundësi ta ndjekim gjatë diskutimeve. Nga ana teknike ja pse është rrugë e rëndësishme: Është rruga më vizible që zëvendëson Korridorin 8. Është një alternativë më e lirë e Korridorit 8. Nga ana e formulës duhet pranuar se është gjetje inovative. Kur e nisët ju projektin kompania kineze kërkoi garancinë e sovranit. Shuma që do të investohet duhet të jetë më e ulët se çmendohet nga ju . Ajo që quhet trafiku i munguar patjetër që do të kompensohet. Ky është një projekt që jo vetëm duhet mbështetur por duhet gjithashtu që të shtyhet edhe më tej për ta kthyer Shqipërinë në një qendër gjeoinfrastrukturore. Është detyrë e qeverisë të mendojë për të afruar trevat me njëra-tjetrën. Është projekt patriotik se trevat tona në Maqedoni t’u jepet një mundësi që të kapin portin e Durrësit për 2 orë e gjysmë. Debati kush e filloi dhe kush do ta inaugurojë është debat infantil që merr ngjyrime politike. Më vjen mirë që ju do ta votoni këtë projekt dhe jam i sigurt që gjatë procesit të negociatave do ta mbështesni e dhe më shumë," tha Ahmetaj.
Kokëdhima: E nisi PD, por e braktisi projektin
Në replikë të ish-kryeministrit Berisha për kontratën koncensionare për Rrugën e Arbërit, deputeti i PS-së, Koço Kokëdhima tha se projekti ishte braktisur nga demokratët. Po ashtu, Kokëdhima u shpreh se marrëveshja e negociuar nga qeveria Berisha ishte me kushte të disfavorshme. "Sa i përket Rrugës së Arbrit është e vërtetë që është një rrugë e nisur përpara 23 Qershorit të vitit 2013, është e vërtetë që në shumë segmente të saj ishte e kontraktuar dhe e lënë në mes dhe e braktisur siç kishte braktisur dhe kishte lënë rrugëve shumë punë qeveria e kaluar. Ne e gjetëm procesin e kësaj marrëveshje të hapur praktikisht dhe dua të kujtoj këtu se marrëveshja që po negocionte qeveria e kaluar ishte me kushte shumë të disvaforshme se marrëveshja e qeverisë sonë. Po ti nuk e ke problem të gënjesh. Në studimin e fizibilitetit, IRR, koeficienti i kthimi të investimit ishte 14.5 % të dyja bashkë 24 %. Ndërkohë qeveria jonë negocioi marrëveshje më të favorshme, duke i kalkuluar me IRR 8 %. Kjo negociatë u bë në një moment kur qeveria e kishte humbur garancinë sovrane. Qeveria jonë ishte e detyruar të kërkonte rrugë të tjera për ta zgjidhur këtë marrëveshje, PPP, kryerjen e kësaj pune pa garanci sovrane dhe me kushte të favorshme”, tha Kokëdhima.
Berisha: Ta inaugurojmë ne që e nisëm
Gjatë diskutimit të projektligjit për dhënien me koncesion kompanisë shtetërore kineze “China State Construction Company” për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, ish-Kryeministri Sali Berisha tha se inaugurimin e përfundimit të këtij projekti do të duhej ta bënte ish-qeverisja e djathtë, si iniciuese e kësaj marrëveshjeje. Duke radhitur lehtësitë që i krijon ndërtimi i kësaj rruge shqiptarëve, zoti Berisha tha se kostoja e saj është e lartë dhe deri në përfundim mund të shkojë 1 miliardë. “Sot Kuvendi voton një nga projektet për të cilat qeveria e PD dhe koalicioneve punoi me përkushtimin më të madh, nderoi më shumë se gjysmën e saj por mbeti pjesa më e vështirë e tunelit të Qafë-Murrizit dhe Ura e Vashë. Vlerësoj faktin që i qëndruat kontratës. Keqardhja është se nuk është në 4 korsi por të tjerë më vonë do ta zgjerojnë. Rruga e Arbrit është segmenti më i shkurtër që bashkon shqiptarët, Tiranën me Peshkopinë, Dibrën dhe Shkupin. Kjo rrugë shkurton distancën Shkup-Tiranë 104 km. E vërteta është se Korridori i 8 në projektin origjinal në Shqipëri kalonte Pllavë-Tiranë, tërësisht në segmentin e rrugës së Arbrit. Nuk jam dakord me mungesën e transparencës, është kontratë e miratuar plotësisht nga ne. Kostoja është shumë e lartë. Do tu themi shqiptarëve. Mund të kalojë dhe në 1 miliardë, por fizibiliteti është kombëtar dhe unë jam për ta votuar atë. Duke thënë këtë ne jemi seriozë, bëj transparencën nuk fshehim gjë. Por kjo është kostoja, le të jetë, është rrugë kombëtare ajo, duhet. Shpreh keqardhjen që e vonuat 2 vjet, por inaugurimin ta bëjnë ata që e nisën se u takon”, tha Berisha.