Kokëulur ndaj atyre që po ikin

 

Nga Mero Baze

Debati mbi përkatësinë partiake të atyre që po ikin, është një debat i tepërt që e shton dëshpërimin e këtij fenomeni. Lulzim Basha, në cilësinë formale të liderit të opozitës u bën thirrje atyre që ikin të qëndrojnë këtu e të ndëshkojnë qeverinë, duke i quajtur apriori si votues të tij. Sali Berisha shkon edhe më tutje duke sulmuar ambasadorin gjerman, përse nuk i quan ata azilantë politik. Erion Veliaj, i fut dhe një shashk elektorale dhe i vizaton të ikurit si viktima të qverisjes së pushtetit lokal të PD-së.

E vërteta është se ata që po ikin janë shqiptarë të varfër e të pashpresë, siç kanë ikur prej vitit 1991. E veçanta e kësaj vale emigrimi është që po tentojnë të kërkojnë azil, çka e bën të prekshëm problemin, për fatin e liberalizimit të vizave. Deri më sot, shqiptarët që lëvizin pas liberlaizimit të vizave, shkojnë kërkojnë punë sezonale e kthehen përsëri, kryesisht në Greqi dhe Itali. Nisja e papritur drejt Gjermanisë dhe depozitimi i kërkesave për azil ka padyshim një organizim, që mund të jetë nga më i rëndomti i atyre që e organizojnë e deri tek dalldia që kap shpesh shqiptarët për thashetheme të tilla.

Por, nuk është këtu problemi. Me disa shembuj negativ mosinkurajimi nga Gjermania dalldia e të kërkuarit azil politik do të bjerë, por dëshira për të ikur rregullisht nga ky vend do të vazhdojë.

Ikja drejt perëndimit do të ngelet jo vetëm tani, por për dekada të tëra ëndërra e shumë shqiptarëve dhe këtë nuk e ndal dot as Lulzim Basha nëse bëhet kryeministër, as Erion veliaj nëse bëhet kryebashkiak dhe as Sali Berisha, nëse na bën prapë siç na bëri vend i dytë pas Gjermanisë.

Debati rreth kësaj teme është tërësisht i politizuar dhe pa asnjë logjikë normale politike.

Qeveria shqiptare, kjo që është në fuqi dhe të tjerat që do të vijnë pas, nuk mund ta frenojnë dot emigracionin me rregulla joligjore në kufi, të cilat vetëm sa rrisin shanset e korrupsionit. Viza për të dalë jashtë shtetit është hequr në vitin 1991 dhe askush nuk mund ta vendosë dot. Shpikjet e policisë kufitare, trondisin në themel një fitore që shqiptarët e kanë më të shtrenjtën e këtyre 24 viteve, lëvizjen e lirë.

Qeveria ka detyrë të hetojë, nëse ka grupe kriminale apo spekulantë që qëndrojnë pas organzimeve masive për ikje dhe t’i arrestojë ata, por s’mund të ndalë qytetarët e thjeshtë që duan të ikin. Ata thjesht duhet t’i ndërgjegjësoj se nëse kërkojnë azil, thjesht i kanë mbyllur dyert vetes për të dalë sërish jashtë Shqipërisë.

Së dyti, qëndrimi i opozitës, e cila mendon se këta që ikin janë votues të saj është qesharak. Nëse ata kanë një motiv për të qëndruar këtu, i fundit motiv është të rrijnë se duan të votojnë Bashën apo Ramën. Përpjekja për ta politizuar në ekstrem thirrjen për të qëndruar këtu, është një arsye më shumë për të ikur nga ky vend, ku dhe kur të thonë rri mos ik, të thonë për tu shërbyer si votues. Kjo tregon distancën reale që ka opozita në këtë rast nga hallet e njerëzve dhe keqkuptimi që ka me arsyet e atyre që po ikin. Ata në fakt, në shumicë mund të jenë votues të socialistëve, pasi këta mund të jenë zhgënjimi i fundit i tyre dhe thirrjet e opozitës për të mos ikur vetëm sa i nxisin më shumë të mos kthejnë më kokën pas.

Akoma më i shëmtuar është sulmi i Berishës ndaj ambasadorit gjerman, të cilit i kërkon t’i quaj këta emigrant azilantë politik. Kjo është një thirrje djallëzore për eksod, duke e kosnderuar shans real azilin politik dhe duke shpallur si fajtor vetëm ambasadorin gjerman si bashkëpuntor të qeverisë Rama. Nëse ka në këtë pikë një kryenxitës të kësaj fushate, është pikërisht kjo deklaratë.

Por pavarëisht dëshirës për të bërë politikë me këtë valë emigrimi, nuk shikoj ndonjë gjë shqetësuese në horizont. Vala e emigrimit të shqiptarëve drejtë Europës, do të vijojë dhe në të ardhmen me ritmet që ka vazhduar çdo vit dhe në perspektivë emigracioni shqiptar do të vazhdojë të mbetet shpresa e vetme e mbijetesës së këtij vendi, që ka 25 vjet që jeton me parat e atyre që punojnë në perëndim, që nga puntorët e krahut dhe intelektualët e deri tek prostiutat e drogaxhijtë. Problemi i madh i yni, që jemi këtu është se dhe këto para i kemi keqpërdorur kundër zhvillimit të vendit, i kemi keqadministruar dhe keqinvestuar. Kjo është ndjesa reale që duhet tu kërkojmë atyre që kanë ikur, që po ikin e që do të ikin. Ndjesa që ua çojmë dëm dhe parat që na dërgojnë.

Gazeta "Tema"

SHKARKO APP