“Kombi”, gazeta e parë shqiptare në SHBA
Dr. Gjovalin Gjeloshi/Ndërkohë që vendi lëngonte nën zgjedhën otomane shekullore, brenda kufirit shtetëror të Shqipërisë osmane, nuk mund të lejoheshin organizimet apo publikimet në gjuhë të vendit apo për vendin. Librat e parë në gjuhën shqipe, më vonë edhe gazetat e para apo shoqatat e organizimet e ndryshme me karakter të theksuar kombëtar, natyrisht se nuk mund të kishin si vendlindje atdheun e vet të sunduar nga qeveria osmane. Nga jugu e veriu kishte ngado në Shqipëri shkolla greke e serbe, por jo në gjuhën shqipe. Por qeveria, sado që i kishte duart e gjata, nuk mund të ndalonte organizimet e shqiptarëve kudo nëpër botë, qoftë edhe brenda në Stambollin e tyre, ku filloi të botohej revista mujore “Drita” (më vonë “Dituria”), qysh në vitin 1885.
Flamurtari i parë i shtypit shqiptar në botë njihet De Rada me “Shqiptari i Italisë” (L’ Albanese d’Italia, në shkurt të vitit 1848) dhe më vonë më 1883 përsëri De Rada me “Fiamuri i Arbërit”. Shqiptarët e Rumanisë me “Shqiptari-n“ dhe “Shqipëri-në” në fund të shek. të 18-të e mjaftë periodikë të tjerë si: “Albania” në Bruksel e Londër, 1897-1909; “Kalendari kombiar”, 1897-1915 dhe “Drita”, 1901-1908 në Sofje; “Besa-Besë” në Kajro, 1900-1904; “Albania” në Beograd, 1902-1905); “Shpnesa e Shqypnisë” që u botua në Raguzë, Trieste e Romë më 1905-1908 etj. Në këtë periudhë, gjysma e dytë e shekullit të 18-të e fillimi i shek. 19-të, gjeografia e përhapjes së shtypit shqiptar jashtë atdheut, do të zgjerohej me shpejtësi. Dhjetëra patriotë do të vinin në punë potencialet e tyre intelektuale, por edhe financiare për t’i shërbyer çështjes kombëtare. Gazetat edhe pse botoheshin jashtë Shqipërisë, depërtonin në vendin tonë në forma nga më të ndryshmet.
Një ndër këta patriotë që vunë gjithçka të tyren në shërbim të çështjes kombëtare ishte edhe Sotir Peci një rilindës i shquar, një figurë e madhe e arsimit e kulturës shqiptare. I biri i një tregtari qeresteje me origjinë nga Dardha e Korçës, pasi u arsimua në Athinë e vende të tjera të Europës dhe meqë ra në sy të autoriteteve osmano-greke për veprimtarinë e tij patriotike në interes të çështjes kombëtare shqiptare, në fillim të shtatorit të vitit 1905, u detyrua të migronte në SHBA. Shkuarja e tij në vendin e respektimit të lirive e të të drejtave themelore të njeriut, përkonte me kohën kur shqiptarët e Amerikës ishin shkundur nga përgjumja e rendja vetëm pas fitimeve vetjake dhe ishte zgjuar tek ata vetëdija kombëtare. Kishin filluar të ngriheshin shoqatat e para të shqiptarëve me programe të drejtuara nga interesat kombëtare dhe i kishin kthyer sytë, veshët e zemrën nga atdheu i tyre i robëruar. Kontributet e tyre për të ndihmuar sa më shumë luftën çlirimtare nga zgjedha otomane, kishin filluar të kanalizoheshin në drejtime të orientuara.
Një ndër këto ishte edhe shoqata “Vëllazëria Mirëbërëse Dardhare” që në gjirin e saj përmblidhte shqiptarë me origjinë nga Dardha e Korçës, një fshat prej të cilit ishte edhe vetë Sotir Peci. Shoqata përkrahu pa ngurrim iniciativën e patriotit të tyre që të botonte një gazetë kombëtare, që në mënyrë domethënëse u quajt “Kombi”. Gazeta dyjavore, me emrin “Kombi” u botua për herë të parë, më 15.06.1906, në Boston, e vijoi deri në vitin 1909, me 110 numra të botuara. Burime të tjera na bëjnë me dije se numri i parë i gazetës u botua më 9 qershor dhe se gazeta ishte javore. Po sipas të dhënave të tjera, numri i pestë i gazetës qarkulloi me 15 korrik 1906. Si njëra ashtu edhe tjetra datë e numrit të parë, nuk na nxjerrin ne, një gazetë dyjavore me periodicitet të rregullt. E dhëna më e saktë do të anonte nga ajo që, gazeta doli në numrin e parë të saj me 15 qershor dhe ishte javore në numrat e saj të parë. Por nga ana tjetër, shifra prej 110 numrash të botuara në tre vjet e gjysmë, mesatarisht përkon me një gazetë dyjavore. Gjithsesi kjo nuk është aq e rëndësishme, sa ç’është themelore vet botimi i kësaj gazete që shënoi fillimin e shtypit shqiptar larg Shqipërisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe zgjoi ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve që kishin emigruar në atë vend. Shqiptarët deri në atë periudhë të shpërndarë anë e kënd kontinentit të madh, e kishin mendjen, si çdo familjar që emigron nga një vend i vuajtur e i varfër, “të fitojnë ca para e të kthehen në vendin e tyre”. “Kombi” me Sotir Pecin dhe më pas edhe me Fan Nolin, por edhe me patriotë të tjerë që kontribuuan në faqet e kësaj gazete, e “devijuan” emigrantin shqiptar nga rruga fabrikë-shtëpi dhe e bënë të kuptonte se krahas familjes ka edhe diçka të rëndësishme: çlirimi i atdheut nga okupimi osman dhe se për të arritur këtë, duhet edhe kontributi e secilit, ashtu si t’i kërkohej prej organizatorëve.
Vërtet “Kombi” nuk qe gazeta e parë shqiptare në botë. Para saj ishin botuar të tjera, ashtu edhe si i përmendëm, por ishte e para e një kontinenti apo shteti të madh dhe efekti i shkrimeve të saj pati një ndikim më të madh se i çdo periodiku të botuar deri atëherë. Siç e kujtojnë historianët e shtypit, “pa çka se numri i pajtimtarëve ishte i vogël”, ai i lexuesve ishte tepër, tepër i madh në krahasim me gazetat e tjera pararendëse që ishin botuar deri atëherë nëpër Europë. Gazeta në shumicën e rasteve shpërndahej falas, ky ishte qëllimi i botuesve dhe lexuesit kësisoj ishin të shumtë. Duke vazhduar me këtë mënyrë, leximi në radhë të parë dhe jo fitimi, gazeta do të mbyllej për shkaqe financiare pas tre vjet e gjysmë botimi.
Sipas Prof. Hamit Boriçi, në programin e së përkohshmes “Kombi” theksohej: “…”Kombi” është organ me të cilin populli shqiptar të mbrohet nga lufta e përditshme e armiqve, të rrëfejë të drejtat e tij në botën e qytetëruar, të përpiqet për përpunimin e çështjes politike, për lërimin e gjuhës së vet, t’u japë kurajë e ndihmë gjithë atdhetarëve që përpiqen për këto qëllime, t’u hapë sytë duke rrëfyer udhën e drejtë dhe rreziqet e kombit prej intrigave të armiqve atyre atdhetarëve që nuk interesohen, të futë ndër ta zjarrin e shenjtëruar, i cili quhet patriotizëm dhe, me pak fjalë, të jetë mbrojtës, ndihmës, këshilltar dhe luftëtar i interesave të kombit”. Në kryeartikullin e numrit 3, Sotir Peci bën thirrjen: “Që të humbasë a të dëgjohet emri shqiptar, është në dorën tonë…”. Sa aktuale edhe sot pas 110 vitesh. Po kështu aktualitet sjellin edhe shkrimet e tjera të Sotir Pecit që shkonin kundër rrymës së kultit të individit, të liderit të vetëm e të pakundërshtueshëm, “sëmundje” nga e cila shqiptarët vazhdojnë të vuajnë edhe sot e kësaj dite, duke treguar prapambetje të pandreqshme në mendësitë e tyre demokratike.
Vendin e gazetës “Kombi” do ta zinte gazeta “Dielli” e cila botohej në po atë shtypshkronjë dhe me të njëjtat shkronja që botohej ajo. “Dielli” mund të cilësohet si gazeta e vetme shqiptare e rilindjes që vazhdon të botohet edhe sot në SHBA. Krahas “Diellit” e me “Diellin”, një numër i konsiderueshëm gazetash e revistash të botuara nga shqiptarët, kanë lulëzuar në këta 110 vite në SHBA. Nga të dhënat që kemi grumbulluar, gjatë kësaj periudhe 110 vjeçare janë botuar rreth 90 periodikë në gjuhën shqipe, 70 prej të cilave gazeta dhe 20 revista. Është domethënës fakti që shumica e periodikëve (rreth 55) janë botuar në periudhën deri në Luftën e Dytë Botërore dhe në periudhën e mëpastajme, aktiviteti i shtypit shqiptar në SHBA ka rënë në mënyrë të ndjeshme, për t’u ripërtërirë disi në fillim të viteve 70-të, koha kur në të cilën forcat demokratike shqiptare që kishin emigruar nëpër botë e kryesisht në Amerikë, punonin për çrrënjosjen e sundimit komunist në atdheun e tyre. Pothuaj të gjithë periodikët pa përjashtim, krahas gjuhës shqipe, kanë pasur edhe artikuj të veçantë në gjuhën angleze kryesisht, por nganjëherë edhe në frëngjisht apo ndonjë gjuhë tjetër të njohur. Kjo është e natyrshme: një organ shtypi nuk e luan rolin e plotë dhe nuk i shërben qëllimit për të cilin botohet, nëse ai nuk shkruan edhe në gjuhën e vendit ku qarkullon.
Shumica e periodikëve të botuar nuk kanë pasur jetëgjatësi më të madhe se sa një vit, të tjerë 2-3 vjet dhe vetëm dy gazeta, “Dielli” dhe “Liria” kanë pasur jetëgjatësi më të spikatur. Ndërkohë që e para vijon ende, “Liria” nuk botohet. Pas vitit 1990, shtypit shqiptar në Amerikë i shtohet (krahas të tjerave me më pak emër) edhe një gazetë e qëndrueshme në tregun mediatik dhe që shpërndahet pothuaj në të gjithë territorin e SHBA-ve: “Illyria”, që konsiderohet “zëri i shqiptarëve” nga Alaska në Florida. “Illyria” doli në qershor të vitit 1991 dhe këtë vit ajo ka plot 25 vjet që botohet për shqiptarët e Amerikës.
Duhet theksuar se në morinë e periodikëve shqip në SHBA, një vend të veçantë zënë edhe gazetat e revistat me karakter fetar-kulturor. Ndër to, revista “Jeta Katolike” që e boton kisha katolike “Zoja e Shkodrës” në Nju York, është më jetëgjata në treg. Me disa ndërprerje, ajo vazhdon të botohet rregullisht qysh prej vitit 1966, duke sfiduar çdo periodik fetar që është botuar në këtë vend.
Si përfundim, sot së bashku me 110 vjetorin e gazetës “Kombi” që e kujtojmë “in-memorium”, duhet të kujtojmë edhe vitin jubilar të 25 vjetorit të botimit të gazetës “Illyria” dhe 50 vjetorin e botimit të revistës “Jeta Katolike”, të dyja me seli në Nju York. Natyrisht pa përfshirë vitin e radhës së 97- vjetorit të botimit të gazetës “Dielli”, që si “patriarkë” vijon të udhëheqë krejt shtypin shqiptar që botohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.