Koment: Francë – nivel i ri shkallëzimi

Atentati i Parisit do ta nxisë edhe më tepër debatin për fenë islame dhe për refugjatët. Po ne nuk mund të bëjmë ҫ'të duam as me lirinë dhe as me tolerancën, mendon Christoph Hasselbach.

Fare papritur atentati nuk vjen. Revista satirike "Charlie Hebdo" i pati rishtypur që në vitin 2006 karikaturat e Muhametit të gazetës daneze "Jyllands Posten", të cilat bënë që myslimanët të ngrihen në revolta në të gjithë botën. Atëherë pati shumë atentate në shtetet islamike kundër përfaqësive daneze dhe përfaqësive të shteteve të tjera perëndimore. Në vitin 2011 në ambjentet e redaksisë së "Charlie Hebdo"-së në Paris u krye një atentat me zjarrvënie. Kjo nuk e frenoi gazetën që të satirizojë edhe më tej Muhametin dhe fenë islame, midis të tjerash me një botim të posaҫëm "Sharia", nën një "kryeredaktor Muhamet". Nuk duhet të jetë rastësi, që faqja e parë e botimit më të fundit të gazetës tregon fotografinë e Michel Houellebecq-ut. Shkrimtari sapo ka botuar romanin e tij shumë të diskutueshëm "nënshtrimi", në të cilin Franca qeveriset nga një president mysliman.

Jo trajtim të veçantë për myslimanët                                                                         

A i lejohet një reviste të bëjë humor për një fe ose për shenjtorin e saj? Natyrisht që i lejohet, brenda kuadrit të ligjeve të vendit. "Charlie Hebdo" e ka vënë herë pas here në shënjestër edhe Papën dhe ka fituar me këtë rast edhe një konflikt juridik me një organizatë katolike. Të krishterët katolikë mund të zemërohen pa masë për satirat që përqeshin Papën, por i pranojnë ato. Edhe një qeveri nuk lejohet të përzihet. Një shoqëri e lirë, demokratike duhet ta përballojë këtë. Dhe një shtet duhet ta presë këtë durim prej të gjithë shtetasve të tij. Nuk mund të ketë trajtim të veçantë për myslimanët.

Tensionet po shtohen

Pas një atentati të tillë të tmerrshëwm ndien nevojën të bësh thirrje për t'u përmbajtur: "Ju kritikë të fesë islame, mos e teproni, qetësohuni. Nuk duam luftë fetare." Po kjo do të ishte pikërisht ajo që duan atentatorët: një kufizim vullnetar të lirisë. Një shantazh i tillë nuk duhet të funksionojë. Megjithatë, kur mendon pasojat e atentatit, nuk mund të mos trishtohesh. Tensionet edhe pa këtë të mëdha në Francë do të rriten edhe më tej. Një pjesë e madhe e popullsisë së Francës është myslimane. Shumë prej tyre janë të papunë, jetojnë në periferi të shoqërisë. Në disa geto policia nuk guxon më të futet. Nga ana tjetër, Fronti Nacional ekstremist i djathtë i nxit njerëzit kundër të huajve dhe veçanërisht kundër myslimanëve.

Disa e kanë ditur prej kohësh

Dhe pasojat nuk do të mbeten të kufizuara në Francë. Praktikisht në të gjitha vendet e BE vitet e kaluara janë forcuar partitë ksenofobe. Ato do të thonë tani "e shihni, myslimanët nuk e kanë vendin te ne. Thjesht ata nuk mund të integrohen." Edhe në Gjermani Pegida ka mundësi ta shohë edhe më fort Oksidentin të kërcënuar edhe më fort nga islamizimi. Nuk duhet t'i zbukurojmë gjërat, bashkëjetesa sociale nuk do të bëhet më e lehtë. Duhet të jemi syhapur, kjo ka rëndësi. Por ne nuk duhet ta braktisim tolerancën. Nuk ka arsye që të gjithë myslimanët të vështrohen me dyshim ose që të dyshojmë për modelin e bashkëjetesës paqësore.

SHKARKO APP