Koment: Fundi i shpresave europiane

 

Samiti i BE me vendet fqinjët lindorë në Riga patjetër që do të përfundonte me zhgënjim. Sepse Rusia nuk u lë evropianëve aspak hapësirë, mendon Barbara Wesel.

Bukuria njihet- edhe në politikë. Presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk, mori përsipër ta thotë me zë të lartë atë, që kancelarja gjermane e shmangu në mënyrë absolute. Ai foli hapur për mysafirin e gurtë në samitin në Riga, e përmendi me emër dhe iu duk i shëmtuar. Fjala është për Rusinë dhe me të presidentin Vladimir Putin dhe "mangësitë e tij, të cilat ai i kompenson me taktika destruktive, agresive dhe shqetësuese ndaj vendeve fqinje". Trazovaçi polak tematizoi në këtë mënyrë konfliktin, që e paralizoi në masë të madhe këtë takim të Partneritetit Lindor.

Të gjitha diskutimet mbi përparimet në Drejtim të Evropës, demokratizimit, luftës kundër korrupsionit, për të drejtat e njeriut, apo sistemin e drejtësisë në vendet në skajin lindor të Evropës, bëhen me rezervën, për të mos acaruar Moskën. Balancën e vështirë, që evropianët kanë arritur në negociatat për Ukrainën lindore dhe me të cilën e kanë transformuar konfliktin e armatosur në një lloj konflikti të ngrirë, nuk do ta vërë askush në rrezik.

Vetëm të mos bëhen premtime

Prandaj fjala e ndaluar në Riga është: perspektiva e anëtarësimit. Në deklaratën e përbashkët të samitit evitohet me kujdes gjithçka, që i vjen vetëm në afërsi perspektivave më konkrete, apo premtimeve. Në vend të kësaj flitet në mënyrë të vagullt për afrim dhe bashkëpunim. Kështu për shembull marrëveshja tashmë e nënshkruar për tregtinë e lirë me Ukrainën do të hyjë në fuqi në fillim të vitit, që vjen. Por nuk ka as një gjysëm premtimi për lehtësimin e shpejtë të regjimit të vizave. Tepër e madhe është frika nga migracioni masiv në drejtim të Evropës.

Dhe ky shembull tregon se çfarë ka ndodhur në vitet e fundit me idenë fillimisht të madhe të politikës së Partneritetit Lindor. Një sërë masash të veçanta politike dhe marrëveshje për hapat e vegjël të bashkëpunimit dhe të kortezisë. Sunduar nga frika e reagimeve të Moskës.

Zhgënjimi ishte i programuar

Që para fillimit të takimit pati ankesa, se ky takim do të përfundonte me një zhgënjim, dhe se politika e partneritetit ka dështuar. Kjo është e drejtë. Por arsyeja për këtë është, se kanë ndryshuar në mënyrë të paparashikueshme raportet politike. Përballë fqinjëve me orientim më tepër perëndimor qëndrojnë tre të tjerë, që i qëndrojnë besnikë Moskës. Dhe tek shumë prej tyre ka konflikte të pazgjidhura rajonale nga intervenimi i Moskës.

Nga ana tjetër tani edhe Bjellorusia, e cila është e rrënjosur fort në orbitën ruse, ka frikë nga forca shumë e madhe e Vladimir Putinit. Shembulli i Ukrainës lindore e frikëson madje edhe diktatorin Lukashenko. Dhe ky ka fituar disa pikë në Perëndim për ndihmën e tij në bisedimet e Minskut. Prandaj BE lë një deriçkë të hapur edhe në drejtim të regjimit të tij autoritar. Vetëm Azerbajxhani po bëhet gjithnjë e më shumë diktatorial dhe largohet nga çdo e përbashkët. Dhe kështu përgjigja e BE-së ndaj situatës komplekse, të ndryshueshme dhe të diferencuar në vendet në skajin lindor është një lloj politike e fqinjësisë à la carte. Për secilin ka një qasje të veçantë, programe të veçanta ndihme, koncesione të vogla, apo edhe paralajmërime. Por për perspektiva, apo edhe vizione të së ardhmes nuk bëhet më fjalë.

Është e qartë se vende si Ukraina, apo Gjeorgjia, janë të frustruara dhe të zhgënjyera. Edhe pse presidenti Poroshenko i fsheh ndjenjat e tij. Fundja ai e di, se sa hapa konkretë reformues duhet të bëjë, para se të ekzistojë edhe mundësia më e vogël, që Ukraina t'i afrohet më shumë Evropës. Për zhvillimin e shoqërisë civile dhe përparimin demokratik jo vetëm në vendin e tij, ky është një sinjal shkatërrues. Qytetarët do ta ndjejnë se ata gjithsesi nuk kanë asnjë shans dhe se dëshirat e tyre nuk luajnë ndonjë rol. Por evropianët janë të mbërthyer në një dilemë mes marrjes në konsideratë të Moskës dhe ndihmesës së vendeve fqinje. Ata veprojnë me kujdesin maksimal. Nga optimizmi fillestar i themelimit të Partneritetit Lindor para gjashtë vjetësh nuk ka mbetur më asgjë. Evropa nuk guxon në këtë kohë të dërgojë një sinjal të forcës në lindje. Kjo është për të ardhur keq – por i thonë politikë reale.

SHKARKO APP