Koment: Mos bini në kurthin e xhihadistëve
Duhet të shtrohet pyetja nëse kjo është mënyrë e mençur veprimi me një ofensivë të kalkuluar qartë të IS. Sa e tmerrshme që është çdo prerje koke, po aq pak meriton ajo të kthehet në lajm kryesor politik botëror. Një vrasje e vetme nuk ndryshon asgjë në situatën në Irak dhe në Siri, ku IS përpiqet të ndërtojë “Kalifatin” e tij. Edhe më keq: duke e bërë çdo prerje koke lajm qendror, ne biem në kurthin e publicitetit të IS.
Hakmarrje, lavdi dhe reagim
Si çdo grup terrorist, në fjalët e ekspertes irlandeze Louise Richardson, IS është i shtyrë nga tri gjëra: hakmarrje, lavdi dhe reagim. Në dallim nga hakmarrja, lavdia dhe reagimi janë komplet jashtë kontrollit të organizatës terroriste. Pra pse i mundësojmë ne IS rregullisht një reklamë falas, duke e zmadhuar me media prerjen e kokës? Nëse mediet perëndimore do të vendosnin që të mos u kushtonin vëmendje të madhe këtyre akteve, kjo do ta minonte në mënyrë vendimtare strategjinë publicitare të IS.
Edhe më i rëndësishëm është reagimi i duhur politik. Këtu për fat të keq disa vende perëndimore kanë paraqitur disa propozime kundraproduktive. Për shembull kryeministri britanik, David Cameron: ai e vështron internetin si një lloj Perëndimi të egër të xhihadistëve, i cili duhet të vendoset nën kontrollin e plotë të qeverive. Në një fjalim në Brisbane ai u shpreh në fundjavë që ne “nuk duhet të lejojmë që interneti të bëhet një hapësirë e paqeverisshme”. Për Cameronin bën pjesë në “përgjegjësinë sociale” të sipërmarrjeve që të ushtrojnë censurë dhe të largojnë në front të gjerë përmbajtje ekstremiste nga rrjeti.
Mediet sociale të përdoren për të fituar informacion
Kur kërkohet kjo harrohet që mediet sociale janë edhe terreni, ku mund të mblidhen të dhëna për terroristët. Ekspertët amerikanë Jeremy Shapiro dhe Dan Byman kanë treguar qartë: “Më e pakta është që punonjësit e shërbimit të fshehtë mësojnë më shumë për rrugën e rekrutimit të xhihadistëve. Në rastin më të mirë ata mund të vihen në kontakt me terroristë të vërtetë ose potencialë dhe t’u përcjellin atyre informacione (të gabuara).” Vetëm për këtë shkak një ofensivë e gjerë censure do të ishte me dobi shumë të diskutueshme.
Edhe më të ashpra janë propozimet e drejtorit të FBI-së, James B. Comey për një bashkëpunim më të ngushtë midis qeverive, shërbimeve të fshehta dhe firmave të mëdha të teknologjisë.
Por ndalimi i këtyre instrumenteve ose minimi i tyre do të ishte reagim i gabuar ndaj sfidave shumë reale të IS dhe të grupeve të tjera terroriste. Ndryshe nga koha pas 11 shtatorit 2001, ne nuk duhet t’u japim një kartabiankë atyre që ndjekin si Comey një agjendë shumë të njëanshme. Mbireagimet janë shkatërimtare për vetë demokracitë perëndimore – ky duhet të ishte mësimi qendror nga më shumë se një dekadë e luftës kundër terrorit.
Thorsten Benner (@thorstenbenner) është Drejtor i Global Public Policy Institute (GPPi) në Berlin.