Komunikimi publik, pjesë e shëmtisë shqiptare
Nga Skënder Minxhozi/
Dy personazhe të artit dhe atij që quhet rëndom gossip (thashetheme), janë sharë në mënyrë të ulët publikisht para dy ditësh. Epitetet që kanë fluturuar nëpër faqet e rrjeteve sociale i përkasin gjuhës vulgare të rrugës dhe jo imazhit e formatit të njerëzve publikë, me emër e mbiemër nga prapa. Por ky është vetëm një episod mikroskopik i banalizimit të komunikimit mes personave “Vip”, i cili ka prekur masivisht sot jo vetëm artin e spektaklin, por edhe institucionet e shtetit, përfshirë edhe politikën.
Sidomos politikën! Kur një gazetar bën një akuzë ndaj një deputeti, ky kthehet dhe e kërcënon se do të hapë ato që ka për gazetarin në fjalë në “xhepat e valixhes”. Kur një kryeministër shprehet për një kryetare bashkie (mbi të gjitha një grua) se “qyteti qeveriset nga një hu”, kjo të bën të ngresh supet i shokuar. Kur një kryetar opozite replikon me pasardhësin e tij në bashkinë e Tiranës, duke u shprehur se do t’i çojë një kastravec, si përgjigje ndaj padisë në gjyq, edhe ky është një standard tejet i ulët dhe i padenjë për veshët e atyre që e kanë votuar “pro” ose “kundër” politikanin në fjalë. Kur një ish kryeministër nuk le epitet të imagjinueshëm pa shpikur çdo javë, vetëm që të shajë e fyejë cilindo që i del përpara syve, ne kujtohemi në atë moment se sa kohë jemi duke humbur në rrugën drejt vendit normal që duam të krijojmë. Dhe kur më në fund, të gjithë politikanët bashkë, kapërcejnë të enjteve pragun e parlamentit, batërdia orale nuk njeh më kufi. E vetmja zgjidhje është të ndërrosh kanal dhe të shohësh ndonjë dokumentar shkencor apo të dëgjosh muzikë.
Elita e sotme shqiptare kultivon një nivel komunikimi publik që është pak ta quash skandaloz. Është një gjuhë e dhunshme, plot epitete fyese dhe sharje që duket se janë bërë të zakonshme, edhe kur dalin nga gojët më të “larta” të sferës politike e sociale të vendit. Politikanë sharës, këngëtarë banalë, futbollistë vulgarë e të dhunshëm – duket sikur rrethohemi nga një mungesë endemike e etiketës dhe edukatës më elementare. Aq sa thirrja dëshpëruar e orëve të fundit e Driteroit, për t’i dhënë fund sherreve në Kuvendin e Shqipërisë, ngjan me imazhin mitologjik të Diogjenit, i cili me qiri të ndezur në mes të ditës kërkonte njeriun!
Jeta shqiptare të fton të jesh i fortë. Bëhu i fortë, i ashpër, me “thepa”, nëse do të mbijetosh. I forti respektohet, i pasjellshmi tolerohet, i dhunshmi adhurohet, shkelësi i rregullave është i suksesshëm, bën karrierë dhe fiton miliona. Kjo është deviza e një shoqërie që nuk po e gjen dot busullën e normalitetit dhe që jepet me lehtësi përballë instiktit, e jo logjikës. Kultivimi i formatit të të fortëve, është një ndër veset më të shëmtuara që tranzicioni, me të gjithë deformimet e tij, e ka ngulitur fort në indin e shoqërisë tonë. Fatkeqësisht nuk po dalim dot nga ky qerthull vicioz, ku dhuna verbale vret po aq shumë sa dhuna fizike. (Javanews.al)