Komunizmi jo vetëm rrëfim nga të moshuarit, por fakt i jetës
Nga: Edi Rama
Së pari dëshiroj të përfitoj nga rasti për t’i shprehur dhe drejtpërdrejtë ngushëllimet familjes së Sherif Merdanit për ndarjen nga jeta.
E kam njohur pak, por ruaj një kujtim shumë të mirë prej tij! Ndërkohë që për sa i përket çështjes që u ngrit, ajo çështja që u ngrit është si hallkë e zinxhirit të çështjeve të mbartura prej shumë vitesh dhe faktikisht sot që flasim besoj se ne mund të jemi krenarë për faktin që së paku të gjithë atyre që vuajtën në ferrin e burgjeve të komunizmit dhe që janë ende gjallë ja u kemi shlyer plotësisht detyrimin e marrë përsipër nga shteti në formën e dëmshpërblimit.
Ndërkohë që ata, të cilët kanë pasur edhe punë të rënda siç është fjala për punën në minierë në periudhën e vuajtjes së dënimit, problematika që ka të bëjë me pensionin është një problematikë sa absurd, por aq edhe e lidhur me aspektet e ligjit.
Shpresoj e besoj që do të marrë rrugë edhe kjo e të paktën në raport me të gjithë ata që vuajtën personalisht në burgjet komuniste dhe që patën fatin të dalin gjallë prej tyre, ne kemi shlyer atë borxh të madh moral në radhë të pare, por edhe atë borxh të mbartur financiar të pashlyer për shumë e shumë vite po të keni parasysh që ky proces ka filluar vetëm 7 vite më parë e ndërkohë kishin kaluar 23 vite të tjera.
Nga ana tjetër është vërtetë një dhimbje e posaçme po të marrësh parasysh se janë akoma shumë familje që nuk arrijnë dot të kenë një vend për të shkuar e për të kujtuar e për të nderuar të afërmit e tyre apo paraardhësit e tyre për shkak se nuk gjenden eshtrat. Ndërkohë që është e pakuptueshme e gjithë koha e humbur, sidomos në vitet ’90 kur mundësitë ishin shumë më të mëdha dhe fenomeni i zhdukjes së dokumenteve apo i fshehjes së tyre, ishte ende e mundshme që të përballohej.
Megjithatë them se historia e gjithë persekutimeve dhe torturave të diktaturës, përtej vuajtjeve personale është një histori vuajtje me një vlerë të jashtëzakonshme për ndërgjegjen shoqërore dhe për gjenerata e tjera, për ata më të rinjtë që lindën në periudhën e komunizmit, por ndryshimi i gjeti sidoqoftë mjaftueshëm të rinj për të ndërtuar një jetë tjetër apo për ata që kanë lindur e vazhdojnë të lindnin në periudhën pas komunizmit e për të cilët komunizmi është një tregim i mësuar nga librat ose nga më të moshuarit, por jo një fakt i jetës. E prandaj ne jemi përpjekur që të bëjmë sa të mundemi edhe pse sigurisht asnjëherë nuk është mjaft që këtë histori ta nxjerrim në dritë në funksion pikërisht të të ardhmes, jo thjeshtë në funksion të të gjithë atyre që janë të prekur drejtpërdrejtë prej saj.
Kjo ekspozitë është një tjetër kontribut modest, por i rëndësishëm besoj unë në vazhdën e kësaj përpjekje e besoj që përtej çështjeve të mbartura dhe ende të pazgjidhura dhe përtej vonesës zvarritëse të shumë e shumë viteve, sot Shqipëria ka arritur që të vendosë ca pika referimi për të shkuarën, të cilat janë pika referimi fizike konkrete, të prekshme, jo thjeshtë të shkruara si histori apo të pranuara si histori dhe autoriteti për informimin mbi dokumentet e ish sigurimit të shtetit është një nga këto pika referimi e ndoshta edhe pika më e rëndësishme e referimit dhe është sot një autoritet që vlerësohet mendoj, çka ishte e qartë dhe në fjalën e parafolësve, por çka është gjithmonë e padyshimtë sa herë që flitet për të, për faktin që ju ka dhënë shumë njerëzve mundësinë që të hapin dyer dhe të eksplorojnë labirintet e një historie që është ende për t’u zbuluar, është ende e pazbuluar plotësisht.
Një projekt i nisur në vjeshtën e vitit 2013, sapo ne morëm detyrën dhe në një farë mënyre një fakt paradoksal sepse do të duhej që të kishte nisur që në krye të herës, do duhej që shembulli i jashtëzakonshëm dhe brilant do thoja i Gjermanisë, por dhe shembuj të tjerë me radhë të ishin pasuar nga Shqipëria herët e jo Shqipëria të mbetet siç ne e gjetëm në vitin 2013, i vetmi vend sëbahsku me Rusinë e asnjë tjetër nga vendet e ish perandorisë komuniste në kontinentin tonë që nuk kishte bërë asnjë hap për të hedhur dritë mbi dokumentacionin dhe mbi faktet që lidheshin me persekutimin.
Miratimi i ligjit ndodhi dy vite më vonë në 2015 dhe çuditërisht edhe në atë rast pati rezistencë nga ata, të cilët pa dashur të bëj polemikë këtu, duhet në fakt ta kishin këtë projekt kalin e tyre të betejës për një Shqipëri më të drejtë e për një Shqipëri të gatshme për t’u ballafaquar me të kaluarën e nga ana tjetër, asgjë nuk bënë realisht sepse edhe hapësirat e tjera të krijuara në këtë periudhë i përkasin pikërisht një kohe shumë më të vonë se sa mundësia për t’u vënë në dispozicion të publikut, gjë që lidhet pastaj edhe me humbje, tretje, zhdukje të vazhdueshme në 20 e kusur vitet e para të materialeve, dokumentave.
Shumë nga objektet e rëndësishme për muzeologjinë e asaj periudhe janë zhdukur, janë vjedhur, janë çuar për skrap, janë shitur si metal, ndërkohë që sot ne kemi disa hapësira ndër të cilat Muzeun e gjethit në Tiranë që është ai më i strukturuari e që ka si rezidencë pikërisht vendin ku për disa dekada përgjoheshin të tjerët, është vlerësuar botërisht dhe ka marrë dhe çmimin e Këshillit të Europës si muzeu më i mirë i ngritur në Europë në vitin 2018 në mos gabohem.
Ne kemi nënshkruar në 2018 edhe marrëveshjen e bashkëpunimit me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, edhe Komisioni, edhe Autoriteti po punojnë sipas kësaj marrëveshjeje për të kërkuar më shumë nga rruga e ndërgjegjësimit të publikut, mbështetur nga Bashkimi Evropian, por sigurisht që sa më shumë kalon koha, aq më e vështirë bëhet gjetja e gjurmëve sepse gjithmonë e më e vështirë behet gjetja e dëshmitarëve apo shfaqja e tyre për të treguar apo për të ndihmuar.
Megjithatë unë besoj që qasja është e duhura dhe vullneti është i plotë për të vazhduar që ta nxjerrim në dritë të gjithë këtë pjesë kaq të errët të ndërgjegjes tonë historike, në mënyrë që dalja e saj në dritë t’i ndihmojë të ardhmes, t’i ndihmojë atyre që gjithmonë e më pak do ta kuptojnë atë që ka ndodhur në rast se nuk do të vihej në dispozicion faktet, në rast se nuk do të viheshin në dispozicion historitë jetësore e do të mbeteshin vetëm opinionet mbi faktet apo komentet mbi faktet që përgjithësisht në gjithë këtë periudhë të historisë sonë pas rënies së komunizmit janë karakterizuar nga sensi i një subjektiviteti të thellë e i një anësie shumë të kuptueshme emocionalisht, por natyrisht të dëmshëm për sa i përket objektivitetit historik.
Ne e kemi vuajtur të shkuarën besoj shumë rëndë e mbase ndër ata popuj e ndër ato vende që e kanë vuajtur egërsinë e diktaturës komuniste, hyjmë tek më të prekurit, më të lënduarit, më të goditurit prej saj, por një gjë dua ta them në fund sepse besoj është e rëndësishme ta mbajmë gjithmonë parasysh që për të fshirë mesazhin, komunisti vriste mesazherin dhe vrasja e mesazherit për të fshirë mesazhin e bën jashtëzakonisht shumë të rëndësishme risjelljen në jetë përmes historiografisë e muzeologjisë e gjithë këtyre aktiviteteve e gjithë atyre që do pasojnë pikërisht të gjithë atyre mesazherëve të vrarë e bën shumë të rëndësishme dhe këtë pjesë kaq të dhimbshme të gjetjes së eshtrave të mesazherëve të vrarë sepse forca e rrëfimit që kanë faktet në këtë rast, është shumë më e madhe se çdo rrëfim që bazohet tek opinione subjektive të kujtdo qoftë.
Dua t’i shpreh një falënderim të posaçëm të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë proces. E di që nuk është vetëm skuadra zyrtare e autoritetit të dosjeve tanimë, por janë dhe të tjerë që janë të përfshirë, falë mundësisë që i jep ky autoritet në labirinthin ende me shumë mistere të asaj periudhe dhe natyrisht dua t’i bëj një falënderim të posaçëm Gentës këtu për këmbënguljen dhe për sensin e hapjes së institucionit ndaj të tjerëve e të bashkëpunimit me të gjithë ata që janë të interesuar të kontribuojnë në këtë proces. Shumë respekt për të gjithë ju dhe shumë faleminderit të gjithë ata që janë këtu sot e më shumë se sa të pranishëm në një ekspozitë janë dhe bartës të dëshmive dhe të dhimbjeve të një të shkuare që është një minierë paçmueshme mësimi për të ardhmen.
Shumë faleminderit!
*Fjala e Kryeministrit Edi Rama në çeljen e ekspozitës “Sigurimi në fjalët e veta”, në Kryeministri.