Koncesioni i Rrugës Kombit, i parakohshëm

Nga Sadedin Çeliku

Në ka ndonjë ligj antikombëtar në vendin tonë, ai është ligji i azhornuar disa herë i koncesionit, i cili u shfrytëzua nga qeveritë shqiptare njëra pas tjetrës, për të zhvatur pasurinë kombëtare të krijuar me aq mund e djersë nga shqiptarët. Nisur nga praktikat ndërkombëtare, disa akse superstradash, autostradash dhe autobandash mund të jepen me koncension sipërmarrësve privat me qëllim mirëmbajtjen e saj. Këto rrugë e akse kryesore gjatë vitit sidomos gjatë sezonit dimëror pësojnë dëmtime nga erozioni që shkaktohen nga shiu, akulli e dëbora. Por ka dëmtime dhe nga erërat e furtunalet e forta ,si rrjetat mbrojtëse, aksidentet rrugore, sistemi i ndriçimit etj. Në artikullin tim të datës 24 nëntor 2011 në të përditshmen “ Zëri i Popullit “ jam shprehur kundra taksimit të aksit së rrugës kombit. Taksimi i kësaj rruge duket njëlloj sikur të vendosësh regjim vizash për shqiptarët e Kosovës, që gjatë verës edhe pse shumë të varfër, preferojnë vendin amë për të kaluar pushimet në plazhet tona, që sipas statistikave zyrtare sivjet kanë shkelur kufirin rreth një milion qytetarë kosovarë. Kjo masë do të kufizojë lëvizjen e lirë të njerëzve në të dy krahët, do të ulë ndjeshëm shkëmbimin e qarkullimin e mallrave dhe të bizneseve në përgjithësi, do rrudhë sasitë e mallrave transit, por dhe nuk do t’i shërbejë aspak çështjes kombëtare që aq për zëmër e kemi.

Maratona e këtij projekti nisi qysh në vitin 2010, kur qeverinë e drejtonte zoti Berisha. Qeveria e asaj kohe miratoi një fond për të bërë studimin e fizibilitetit të rrugës Durrës-Kukës-Morinë, sa i takon taksimit saj. Studimin e bëri IFC-ja (degë e Bankës Botërore) e cila na propozon një taksë prej 5 euro për çdo kalim autoveturave dhe 10 euro për automjete për transport mallrash. Kam shprehur dyshime lidhur me studimin, sepse materiali nuk ka mbajtur parasysh shumë elementë tekniko-ekonomik që të çojnë në këtë përfundim. Sidoqoftë, qeveria e drejtuar nga Sali Berisha ishte shprehur e gatshme ta vendoste këtë taksë, por mesa duket zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit 2011 dhe ato parlamentare të vitit 2013 e frenuan zbatimin e projektit. Personalisht në këtë situatë të vështirë që është vendi mendoj se vendimi për taksimin e kësaj rruge është i parakohshëm sepse :

Së pari, kemi një praktikë të keqe sa i takon marrëveshjeve të koncensionit. Është përfunduar aeroporti ndërkombëtar i Kuksit i kategorisë C dhe nuk vihet në shfrytëzim, sepse koncensionarit i është dhënë eksluziviteti i fluturimeve në vend dhe kësisoj ai nuk lejon fillimin e aktivitetit duke na shkaktuar një dëm të madh ekonomik. Pasojat direkte janë çmimi i biletave të avionëve shumë të larta dhe të gjitha veprimet operacionale me tarifa mjaft të larta. Nga ky veprim kanë përfituar aeroportet e Shkupit dhe Prishtinës, të cilët kanë tarifa mjaft kompetitive ndaj shqiptarët u janë drejtuar këtyre aeroporteve. Nga ana tjetër, investimi i bërë ka shkuar dëm sepse nuk riciklohet. Ai aeroport ndërkombëtar do zgjidhte shërbimin e këtij trafiku nga Gjakova, Prizreni, Tropoja,  Kukësi, Puka, Hasi etj. Koncensionimi i kontrollit teknik i automjeteve përveçse çoi në rritjen e tarifave, por na rriti ndjeshëm dhe numrin e aksidenteve me pasojë vdekjen. Pra u cenua siguria në rrugë dhe askush nuk fitoi nga dhënia me koncension të atij sektori. Po kështu na rezultuan pa efektivitet edhe marrëveshjet e tjera të koncensionit, gjynahe të cilat po i paguan populli. Në këto kushte mendoj që administrimin e këtij aktiviteti ekonomik në se do zbatohet projekti ta bëjë qeveria ose së paku koncensioni të aplikohet vetëm për një afat kohor 10 vjet.

Së dyti, duke rrugëtuar në vendet e rajonit vërejmë se këto taksa janë më të ulëta dhe shkojnë nga 1,5- 2 euro për kalim. Pra, taksa që do të vendosë qeveria është shumë e lartë dhe gati e papërballueshme, po të kemi parasysh dhe çmimin e lartë të karburantit në vendin tonë.

Së treti, nga pikëpamja sociale nuk mbajmë parasysh shkallën e varfërisë së shqiptarëve në përgjithësi, kjo sidomos për shqiptarët e Kosovës.

Së katërti, projekti nuk është konsultuar me ekspertët dhe grupet e interesit.

Së pesti, nuk mund të vendosësh taksë rrugore për një superstradë të papërfunduar. Pra, janë pa filluar ende dy lote. Rruga ka mjaft të meta teknik,e sa i takon pjerrësisë tërthore dhe gjatësore, sistemit ndriçimit, trafikndarset, rrjetat mbrojtëse etj. Pra, pa u sjellë rruga në parametra tekniko-teknologjik e në standard nuk mund të aplikohet marrëveshja e koncensionit. Këto rrugë që të përfundohen kërkojnë së paku një fond prej 250 milionë euro shtesë. Sipas përllogaritjeve, shteti do të arkëtonte 50-60 milionë dollarë, por që në fakt do t’i arkëtonte koncensioneri duke bërë thjesht punë shqiptarësh. Por jo vetëm kaq. Qeveria ka në mëndje dhe taksimin e akseve të tjera. Kështu mendojnë që taksat të vendosen si më poshtë :

Milot – Morinë 5 euro,Tiranë- Elbasan 2 euro,Vlorë -Tiranë 2 euro dhe Tiranë-Durrës 1 euro. Kam përshtypjen se ka nxitim dhe mendohet se me aplikimin e kësaj reforme mund të dalin nga gjendja e vështirë ekonomike. Gjykoj se impakti i kësaj sipërmarrje private do të jetë negativ dhe pa rentabilitet sepse : Rriten kostot e transportit për njësi,pra drejtuesit e automjeteve do duhet të përballojë përveç amortizimit,çmimit të lartë të karburantit edhe taksën prej 5-15 euro për çdo kalim automjeti. Nuk promovohet e nxitet konkurrenca. Rrudhet e reduktohet ndjeshëm turizmi shqiptar i Kosovës. Tregjet lokale e rajonale nuk kanë shans të zhvillohen për shkak të kostove që ofron vendosja e taksave. Biznesi nuk do të gjenerojë zhvillim dhe do të detyrohen të gjejnë rrugë të tjera me kosto më të lira. Transportet e mallrave tranzite për dhe nga vendet e tjera do të reduktohen mjaft. Duke ju referuar praktikave të vendeve të zhvilluara perëndimore gjykoj se po veprohet gabim. Nisur nga ky gjykim, mendoj se taksa nuk duhet t’i kalojë 1,5 euro për kalim. Procesi të mos koncensionohet, por frenat t’i mbajë shteti. Taksat e përvitshme që paguan çdo automjet në kontrollin teknik, të mos futen në arkën e shtetit, por të përdoren për mirëmbajtjen e rrugëve. Kështu, në Suedi është krijuar fondi i rrugëve dhe të gjitha taksat rrugore dhe ato të qarkullimit i administron kjo ndërmarrje që varet nga direkt shteti. Kjo përgjigjet për të gjitha mirëmbajtjet dhe dëmtimet e rrugëve. A nuk kemi mundësi që edhe ne ta organizojmë kështu këtë punë, apo është thjesht aferë që mban erë të keqe korrupsioni?

SHKARKO APP