Konferenca e diasporës, aksion i radhës
Nga Sadedin Çeliku
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama sapo u kthye nga vizita e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, anonçoi lajmin se do të organizonte në Tiranë gjatë pranverës së ardhshme konferencën e diasporës. Në pamjen e parë duket si ogur i mirë ky lajm, por në përmbajtje s’besoj se zgjidh ndonjë problem. Shefi i qeverisë, i cili ka takuar disa të rinj shqiptarë atje, nuk shpjegoi dhe as specifikoi se cili do jetë objekti i kësaj konference, misioni dhe se çfarë do synojë kjo konferencë. Sigurisht që ca gjëra merren me mënd. Nëse objekti i Konferencës do të jetë mbështetja e Shqipërisë me investime, kjo do të ishte gabim sepse ka kohë që diaspora shqiptare ka afishur dhe kërkon të luftohet me rrënjë korrupsioni dhe politika të tjera fiskale që stimulojnë investitorët e huaj. Që një komb të ketë identitetin e vet duhet të ndërtoi një sistem ku të dominojnë vlerat. Këtë sistem në kohë e periudha të veçanta e ndërtoi feja, shteti monopartiak nëpërmjet shkollave, ligjeve ku prioritet kishte edukimi. Me vlera nënkuptojmë bindjet politike e fetare, respekti dhe dashuria reciproke, solidariteti social, respekti ndaj ligjit e pronës, morali dhe moraliteti etj. Dikur familja ishte e shenjtë kurse sot ajo ndodhet mjaft e rrezikuar.
Proceset globalizuese e integruese, tranzicioni i gjatë e me probleme krijuan disa shqetësime. Si fillim prishi shkollën dhe në emër të reformave dhe demokratizimit të saj u pajisën me mijëra njerëz me diploma, doktoratura, mastera. Disa prej tyre kanë ofiqe dhe janë bërë njerëz publik. U shfaqën fenomene negative të pa njohura më parë si droga, prostitucioni, trafiqet, korrupsioni, krimi, etj. Politika tashmë është bërë strehë e të paaftëve, të trafikantëve dhe e njerëzve me rekorde kriminale ëve me rekorde kriminale ç’ka e bën përgjegjëse për ç’edukimin e rinisë. Gjakmarrja si fenomen i panjohur prej 50 vjetësh po shfaqet me gjithë forcën kanunore si kurrë më parë dhe duket se përballë shtetit ka dalë fitimtar. Në emër të të drejtave të njeriut, privatësisë dhe të drejtës së individit po humbim gjithçka që i ka dhënë zoti njeriut. Nga njëra anë flasim për familjen dhe edukimin, por nga ana tjetër shpikim reforma për ta ç’edukuar atë. Flasim për parandalimin e sëmundjeve të pashërueshme por injektojmë drogën tek rinia, flasim për rreziqet që vijnë nga duhani, dhe nga ana tjetër shtohen fabrikat që prodhojnë atë, flasim për konsumin e alkoolit dhe dëmet që shkakton, ndërkohë që promovojmë prodhimit e tij, flasim për moralin dhe shtimin natyral të popullsisë, dhe nga ana tjetër ligjërojmë martesat e njerzëve me të njëjtin seks, flasim për respektin dhe edukimin fetar dhe nga ana tjetër priftërinjtë abuzojnë seksualisht me të mitur. Pra prishja e familjes dhe e njeriut po e çon botën drejt katastrofës.
Si përfundim mund të themi se këtë detyrë të shenjtë nuk e ka bërë asnjë qeveri ç’ka e bën atë me faj përballë kësaj situate të pakëndshme dhe me kosto të lartë për të ardhmen e brezave. Përkundrejt neglizhencës, qeveria ja ka parë hajrin emigrantëve se ka përdorur dhe administruar remitancat të cilat nuk kanë patur pak peshë në zhvillimet ekonomike të vendit. Në letrën time dërguar zotit Edi Rama më 20 mars 2012 ndër të tjera i kam propozuar strukturën e qeverisë në se do të fitonte në zgjedhjet e radhës, pra ato të 2013-tës. Sa më shumë kalon koha, aq më shumë bindem në drejtësinë time sepse struktura që i kisha propozuar zotit Rama ishte efektive dhe jam i sigurtë që do të kishim tjetër performancë dhe të tjera rezultate. Krahas shumë të tjerave, kisha propozuar të kishte një ministri diaspore jo vetëm që këtë praktikë ndjek dhe rajoni i Ballkanit pra Kosova, Serbia, por sepse kemi mbi 8 milionë shqiptarë jashtë, kudo ndodhen nëpër botë, lindin, vdesin, aksidentohen, shkollohen, marrin doktoratura e mastera dhe shteti amë nuk di gjë. Sa herë organizohen vizita në SHBA e gjetkë, krerët e shtetit merren tre muaj të organizojnë ndonjë takim formal, për të treguar se jeni në vëmendjen e shtetit amë. Sidoqoftë nisma e kryeministrit nuk është e para në lloj sepse kjo nismë e ka zanafillën qysh në vitet 1995 e më pas, por pa e realizuar kurrë atë. Edhe pse kështu, gjykoj se asnjëherë nuk është vonë të krijohet ministria e diasporës ose një strukturë e ngjashme sepse deri më tash Ministria e Punës nuk mund ta realizojë atë mision. Janë qindra e mijëra familje që kuptuan se roli i shtetit në edukimin e brezit ri ishte zeruar. Kështu ata nxënës që kishin rezultate të shkëlqyera, ata që kishim mundësi financiare por dhe mbështetje politike, i dërguan fëmijët për studime në vende perëndimore. Si rrjedhojë, janë qindra shqiptarë me dy e tre fakultete të cilët punojnë në institucionet më në zë të botës si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, në Universitete duke filluar nga Hawardi e deri tek Organizata e Kombeve të Bashkuara. Jam shumë i sigurt se emrat e të rinjve e të shkencëtarëve shqiptarë që punojnë për vendet e huaja janë të shumtë në numër që nuk figurojnë në listat e qeverisë.
Për kureshtje të lexuesit dua të bëj me dije se OKB ka iniciuar një projekt dhe ka përcaktuar një fond në dollarë për ata shqiptarë që duan të kthehen të kontribuojnë në Shqipëri. Sipas këtij projekti, kush pranon të kthehet, u jepet një rrogë nga OKB-ja në dollarë përveç pagës që do marrë në Shqipëri. Deri tani ky projekt duket se ka dështuar sepse intelektualët e rinj shqiptarë nuk kanë besim tek qeveria sepse ata ndjekin me vëmendje zhvillimet, emërimet dhe filozofinë që kanë drejtuesit e lartë për të gjallëruar ekonominë e sëmurë shqiptare. Ish Ambasadori Amerikan në Tiranë zoti Arvizu para pak kohe kishte takuar në Washington disa të rinj shqiptarë që punonin në sektorë të rëndësishëm të Bankës Botërore dhe FMN-së. Midis të tjerave ai ju kish bërë thirrje të kthehen në atdhe e të kontribuojnë për vendin e tyre por ata e kishin vënë theksin tek mungesa e shpresës dhe besimit. Duke marrë shkas nga sa theksova gjykoj se askush nga kryeministrat nuk u ka bërë thirrje atyre të vijnë. Askush nuk ka marrë vendim për trajtimin ndryshe të këtij kontingjenti, dhe askush nuk ju ka afruar ndonjë vend pune. Qeveria dhe koalicionet qeverisëse e kanë mendjen tek pushteti dhe vota e zgjedhësve që ju siguron pushtetin. Vëreni me kujdes dhe analizoni përformancën e ministrave të sotëm dhe stafet e tyre dhe do të shikoni se sa paaftësi ka sepse ato i mban në punë partia, pa llogaritur diplomat e dyshimta, që ka të korruptuar por dhe me rekorde kriminale. A munden këta të rinj shkencëtarë të suksesshëm në vendet ku punojnë, të vijnë këtu dhe të bashkëpunojnë me të inkriminuarit, me të paaftët dhe grabitësit? Jo! Unë gjykoj se duhet një qasje e re e politikave qeverisëse për mobilizimin e tyre në qoftë se duam ta ndryshojmë Shqipërinë, duhen politika konkrete dhe emergjente, ndryshe do të humbim ata, fëmijët e tyre pse jo dhe identitetin tonë kombëtar që me aq mund na e lanë etërit tanë. Të mos harrojmë se shqiptarët në Turqi dhe ata në Greqi janë tërësisht të asimiluar nga mungesa e politikave qeverisëse. Janë rreth një milion shqiptare në Itali e Greqi që fëmijët e tyre kanë lindur atje dhe shkollohen në gjuhët greke dhe italiane dhe nuk shikojmë asnjë përpjekje për shkollimin e tyre në gjuhën amtare. Janë hapur disa shkolla shqipe në Parma të Italisë. Athinë e Selanik, dhe një në Worcester –SHBA, por ato janë pjesë përbërëse të iniciativave shqiptare dhe jo të shtetit por kuptohet janë të pamjaftueshme. Sigurisht që nuk jam kundër asaj konference dhe mirë do bëhet që të organizohet, por nuk jam në gjendje të kuptoj se çfarë do arrij konkretisht konferenca. Nuk do ishte keq ngritja e ministrisë diasporës, ku drejtuesit kryesorë të saj të vijnë nga jashtë dhe pasi të hartohen politikat atëherë mund të kishim të tjera rezultate.