Konfiskimi i pasurive të Personave të Tretë dhe Jurisprudenca e Strasburgut

Nga av. Gurali Brahimllari

Duke ndjekur jurisprudencën e fundit të GJEDNJ-së, vlerësoj se duhet t’i rikthehem problematikave të praktikës gjyqësore në lidhje me aplikimin e masat pasurore kundër pasurive, të fituara në mirëbesim, nga Personat e Tretë, duke përfshirë edhe konfiskimin e pasurisë, në procesin penal që zhvillohet kundër personave të tjerë.
Në bindjen time, barrën e provës në procesin penal edhe për konfiskimin e pasurisë e ka vetëm Prokuroria, e cila, kur është fjala për pasuri që kanë kaluar në favor të Personave të Tretë, duhet të provojë edhe implikimin e këtyre të fundit në veprimtarinë kriminale. Ndërsa Gjykata jo vetëm duhet të pranojë në proces palën e interesuar, por edhe duhet të respektojë nenin 190/1/a të K.Pr.Penale që ndalon konfiskimin e sendeve që u përkasin personave që nuk kanë marrë pjesë në kryerjen e veprës penale.
Edhe pse legjislacioni aktual penal prezumon paprekshmërinë e pasurisë të personave që nuk janë gjetur fajtor për kryerjen e një krimi, përsëri në mjaft raste konstatohet se janë dhënë edhe vendime për konfiskimin e pasurive, në shkelje të drejtave më minimale për procesin e rregullt ligjor, për shkak se këta persona nuk janë thirrur si palë në gjyq, nuk janë dëgjuar nga gjykata, u është mohuar e drejta për t’u mbrojtur, madje, nuk janë legjitimuar si palë as në Apel.
Kjo praktikë e gabuar gjyqësore bie ndesh edhe me jurisprudencën e GJEDNJ-së e cila, duke respektuar legjislacionin e brendshëm, ka bërë dallimin mes masave pasurore që caktohen sipas ligjeve parandaluese (antimafia), në raport me masat e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive që vendosen në procedurë penale, duke theksuar në çdo rast paprekshmërinë e të drejtave të personit të tretë që ka fituar pronën në mirëbesim, ashtu edhe të drejtën e gjithkujt për procesin e rregullt ligjor.
Prandaj për të interesuarit sjell në vëmendje edhe dy vendimet më të fundit të GJEDNJ që lidhen me këto problematika, të cilat, edhe pse i referohen paligjshmërisë së vendimeve të gjykatave italiane, për konfiskimin e pasurive të Personave të Tretë, janë, jo vetëm krejtësisht të përshtatshme për shkaktë legjislacionit të përafërt, por edhe të detyrueshme për zbatim nga të gjitha institucionet e drejtësisë në vendin tonë (nenet 17, 116 e 122 të Kushtetutës).

Kështu, në vendimin e shpallur më 25 shtator 2025, çështja Isaia etj. k. Italisë, GJEDNJ ka trajtuar paligjshmërinë e shtrirjes së konfiskimit edhe ndaj pasurive të Personave të Tretë, të afërm të familjes, me një “person të rrezikshëm për shoqërinë”, për shkak të veprimtarisë së tij kriminale të kryer gjatë periudhës së viteve 1980–2008 (parashikuar nga ligji nr. 159/2011), me ngjashmëri absolute me procedurën e gabuar që u ndoq në vendin tonë (e vijon të ketë pasoja) për masat pasurore të caktuara sipas aktit normativ nr. 01/2020 (i ashtuquajtur OFL).
Thelbësore në këtë çështje është fakti se Gjykatësit e Strasburgut evidentuan mospërputhje mes kohës së krijimit të pasurisë në raport me veprimtarinë kriminale për të cilën ishte dënuar aplikanti i parë dhe, për rrjedhojë, për Gjykatën nuk kishte arsye bindëse se pasuritë e konfiskuara që gjendeshin në emër të afërmve (bashkëshortes e djalit) kishin lidhje me përfitimet e të dënuarit nga veprimtaria kriminale, përderisa nuk kishte prova se këto pasuri ishin produkt i veprave penale të kryera prej të dënuarit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ndërsa në vendimin e bërë publik në datë 09.10.2025, çështja Petruzzo etj. k. Italisë, Gjykatësit e Strasburgut kanë shtjelluar shkeljen e të drejtave të Personave të Tretë, në përfundim të një procesi gjyqësor që është zhvilluar kundër personave të tjerë (të cilët janë gjetur fajtorë e janë dënuar), që ka ngjashmëri me procedurën arbitrare që po ndiqet dy–tre vitet e fundit në lidhje me konfiskimin e pasurive të Personave të Tretë, të cilët nuk kanë qenë pjesëmarrës në kryerjen e veprës penale të kryer nga personat që janë gjykuar dhe dënuar për kryerjen e veprave penale të falsifikimit të dokumenteve, të shpërdorimit të detyrës etj.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në këtë çështje rezulton se autoritet gjyqësore italiane kishin shtrirë konfiskimin edhe mbi pasuritë e paluajtshme të llojit ndërtesë (banesë) të cilat Personat e Tretë i kishin blerë me kontratë noteriale disa vite përpara se të merreshin në përgjegjësi penale “shitësit” e këtyre pasurive. Gjykata e Strasburgut konfirmoi se masa e konfiskimit përbënte dënim penal që ishte dhënë ndaj Personave të Tretë, të cilët nuk kishin qenë pjesëmarrës në procesin gjyqësor të zhvilluar kundër personave të tjerë (që u gjenden fajtor e u dënuan për veprën penale të kryer). Prandaj u konkludua se vendimet e gjykatave italiane që “dënuan” Personat e Tretë me konfiskimin e pasurisë, kanë shkelur të drejtat e garantuara nga neni 7 i KEDNJ, sepse këta persona janë dënuar për veprën penale që kanë kryer personat e tjerë (shitësit e pasurisë së paluajtshme) dhe se ndaj tyre nuk u provua se Prokuroria kishte ngritur akuzë për kryerjen e ndonjë vepre penale.

Për më tepër, Gjykatësit e Strasburgut kanë konstatuar se Personave të Tretë u janë shkelur edhe garancitë e nenit 6 të KEDNJ, për shkak se u është mohuar e drejta që të dëgjohen nga gjykata vendase dhe të mbrohen në procesin gjyqësor në përfundim të të cilit u vendos konfiskimi i pasurisë së blerë prej tyre. Madje sjellim në vëmendje se në këtë rast, sipas të drejtës që njeh legjislacioni italian, Personat e Tretë, pasi kanë ardhur në dijeni të vendimit të konfiskimit, kanë kundërshtuar “dënimin” e tyre para gjykatësit të ekzekutimit të vendimeve penale, por kjo procedurë është konsideruar nga Gjykata e pamjaftueshme për garancitë e të drejtës së mbrojtjes, përderisa personat nuk ishin thirrur e dëgjuar në procesin kryesor penal ku u disponua me konfiskimin e pasurive të tyre.

Po kështu GJEDNJ ka konstatuar edhe shkeljen e të drejtës për gëzimin e qetë të pronës private që garanton neni 1 i Protokollit 1 të KEDNJ, për shkak se konfiskimi i pasurive të blera nga Personat e Tretë nuk është në përputhje me parimin e ligjshmërisë.
Duke theksuar se, si rrallë herë në këtë rast, GJEDNJ ka vendosur të zgjidhë përfundimisht çështjen, duke u kthyer pasurinë e paluajtshme Personave të Tretë si dhe duke i kompensuar ata për dëmin moral dhe për shpenzimet e kryera, kërkojmë të tërhiqet vëmendja e të gjithë aktorëve të zbatimit të ligjit në vendin tonë dhe posaçërisht Prokurorëve dhe Gjyqtarëve të Posaçëm që të ndryshojnë qasjen e tyre lidhur me konfiskimin e pasurive të Personave të Tretë.

Me këtë rast sjell në vëmendje edhe faktin se, Projekti i Kodit të ri Penal, për të cilin pati dhe ka diskutime të shumta, duket se për këto problematika ka një qasje të re, për shkak se ka parashikuar për herë të parë mundësinë e “Konfiskimit tek të tretët”. Sipas përmbajtjes së nenit 75 të këtij Projekti janë përcaktuar kushte të qarta të lejimit të kësaj mase pasurore (në rastet kur Personat e Tretë e kanë ditur ose duhej të kishin ditur që qëllimi i tjetërsimit të pronësisë ose i blerjes ka qenë shmangia e konfiskimit), me urdhërimin se:

“…3. Konfiskimi sipas paragrafit të parë të këtij neni nuk cenon të drejtat e palëve të treta që janë në mirëbesim.”

Në kushtet kur miratimi i këtij projekt Kodi Penal do të kërkojë ende shumë kohë, besoj se Jurisprudenca e GJEDNJ-së në dy vendimet e sipërpërshkruara do të japë efektin e duhur për reflektim në praktikën tonë gjyqësore në çështjet e konfiskimit.
Pra, duke zbatuar nenet 30/2 dhe 36 të Kodit Penal për dënimin plotësues të konfiskimit, me qëllim që të “hiqen nga duart e krimit” pasuritë që janë fituar nga veprimtaria kriminale, kërkohet që të respektohen të drejtat e pronësisë të fituara në mirëbesim nga Personat e Tretë, jo pjesëmarrës në kryerjen e veprës penale, duke garantuar në çdo rast për ta të drejtat për procesin e rregullt ligjor sipas neneve 17, 41 e 42 të Kushtetutës si dhe neneve 6 dhe 7 të KEDNJ dhe nenit 1, Protokollit 1 të saj.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?