Konflikti Dule-Idrizi, si e shikon Zheji dhe Baze
Dorëheqja e nënkryetarit të Kuvendit, Vangjel Dule, sapo në këtë post u votua edhe Shpëtim Idrizi, po komentohet gjerësisht në media dhe për më tepër solli reagim të Athinës zyrtare. Artur Zheji dhe Mero Baze në editorialet e tyre te Mapo e Tema, sjellin interpretime të ndryshme për vendimin e Dules, por ka edhe pika ku qëndrimet e tyre bashkohen. Zheji rendit disa arsye se pse Vangjel Dule nuk duhej të dorëhiqej. Së pari shkruan ai, posti i nënkryetarit të Kuvendit, i bënte nder dhe i jepte një dukshmëri politike, elektorale dhe njerëzore të dorës së parë.
Së dyti sepse kjo përbën edhe një dështim politik të bashkëjetesës reale, në nivelin institucional. Së treti sepse është edhe dëshmi e një paaftësie thelbësorë që partia apo partitë e pakicës greke në Shqipëri kanë në raport me Athinën. Që këto parti të mirëfinancohen, kanë nevojë që të krijojnë alarmizëm, shpeshherë fals dhe elektoral, për gjendjen kritike të pakicës greke në Shqipëri. Së katërti vendimi i Dules është një fyerje e pamerituar për shqiptarët që e hipën në atë poltron, nga më të lartit e institucioneve shqiptare, thotë Zheji.
Më tej ai e shesh largimin e Dules si një akt që do i duhet Athinës zyrtare në betejën me Shqipërinë për naftën në Detin Jon. “Ndërsa tani që dha dorëheqjen, sigurisht që rrudhja e buzëve dhe zhgënjimi është më se i natyrshëm. Për mënyrën se si kjo dorëheqje do të përdoret.Sepse tanimë dihet se çfarë do të ndodhë.Për të fituar pikë të rreme ndaj gjoja profilit nacionalist të Ramës, me sa duket Athinës zyrtare që ndaloi vizitën e Ministrit të vet të Jashtëm që të vizitonte Tiranën, i duhen argumente në “betejën” për naftën në ujërat territoriale shqiptaro-greke”, shkruan Zheji. Ai kërkon që gjithë klasa politike të jetë e bashkuar në betejën për naftën në Jon, e cila sic thotë Zheji, mund të jetë “Rilindje e Vërtetë e ekonomisë shqiptare”.
Mero Baze nga ana tjetër e shikon vendimin e Dules, por edhe reagimin e Idrizit më shumë të nxitura nga konteksti elektoral që kalon vendi.
“E kuptoj që një muaj para zgjedhjeve duan të tregojnë muskujt, por ky është një sherr i tepërt për raportet dhe ashtu shumë dyshues mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pra, formalisht kemi dy parti që pretendojnë se mbrojnë të drejta pakicash dhe sillen si parti radikale që mbrojnë shtete respektive. E vëreta është se as çështja shqiptare nuk ka nevojë të mbrohet nga Shpëtim Idrizi dhe partia e tij dhe as çështja greke, përfshi dhe Megaloidheja nuk ka nevojë të mbrohet nga Vangjel Dulja. Këta të dy, më së paku duhet të mbrojnë elektoratin e tyre dhe nëse atë nuk e mbrojnë dot me politikë, nuk ka nevojë ta mbrojnë me konflikt rajonal”, shkruan Baze.
Në të njëjën vlinjë mendimi me Zhejin është edhe Baze kur thotë se radikalizmi i Dules nuk i përgjigjet dëshirës dhe nevojave të minoritetit grek në Shqipëri.
“Nëse ka një shans të rritet, ai duhet të lexojë votat dhe dëshirat e pakicës greke në Shqipëri, e cila në Dropull në zgjedhjet e fundit, e shpërndau votën në pesë kandidat, duke i bërë të gjithë të parëndëishëm. Nëse do kishin qejf radikalizimin, do ishin të gjithë votues të Dules. Por, ata më së paku votuan për të”, shkruan Baze.
Ai ndërkohë i kërkon Tiranës të bëj kujdes të jetë tolerante ndaj pakicës greke dhe sidomos Dules, qoftë dhe për arsyen e vetme se ne e kemi detyrim t’i kemi ata të përfaqësuar në Kuvend. Por në të njëjtën kohë Baze i sugjeron edhe Athinës të tregojë të njëjtin kujdes. Sipas tij, Athina “nuk ka pse hedh sytë vetëm tek ata që sillen si radikal në Shqipëri, por tek secili grek që arrin të përfaqësohet si i tillë në këtë vend, pa qenë nevoja të duket si propagandist sillogjesh”
Si përfundim Baze është i mendimit se konflikti Idri-Dule është tërësisht artificial dhe nuk duhet marrë seriozisht, ngaqë është fushatë elektorale. “Ata që votojnë Dulen, nuk kanë hall ç’mendon ai për çamët dhe ata që votojnë Idrizin nuk kanë hall ç’mendon ai për Dulen. Dulja dhe Idrizi më shumë duan t’i hyjnë në zemër Athinës dhe Tiranës, sesa votuesve të tyre. Hall është dhe ky, por jo për tu marrë seriozisht”, thotë Baze. /Lapsi.al/