Konkurrenca masa detyruese për Vodafone; të barazojë tarifat brenda me jashtë Shtetit
Zbardhet vendimi i Komisionit të Konkurrencës, Vodafone ka abuzuar me pozitën dominuese, duke mbyllur abonentët ne “club” dhe duke synuar nxjerrjen e konkurrentëve nga tregu. Nëse nuk zbaton masat gjoba ditore dhe gjobë të rëndë deri në 10 % të xhiros…
Komisioni i Konkurrencës me vendimin 356 të 31 marsit 2015 ka vendosur marrjen e masave të përkohshme ndaj Vodafone e cila ka pozitë dominuese në tregun e telefonisë celulare me pakicë.
Sipas burimeve nga rregullatori AKEP të cilit i është bërë me dije vendimi i Komisionit të Konkurrencës masat detyruese vijnë pas një procesi të gjatë hetimor dhe kanë për synim rivendosjen e kushteve të konkurrencës së lirë dhe efektive në treg. Sipas vendimit “Vodafone Albania Sh.a ndalohet të aplikojë tarifa në nivel me pakicë që kanë efekt diskriminues për sipërmarësit e rrjeteve të tjera celulare kombëtare”.
Masat: barazohen tarifat dhe minutat
Në mënyrë të detajuar masat e vendosura qartësojnë se (a)sasia e minutave brenda rrjetit Vodafone Albania të përfshira në oferta/pagesë fikse të paketave tarifore nuk duhet të jetë më e madhe se sasia e minutave drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare dhe se (b) përcaktimet e pikës 1.a më sipër aplikohen për të gjitha ofertat, shportat, opsionet dhe skontot e ofruara për abonentët.
Komisioni i Konkurrencës ka sqaruar Vodafone Albania se “moszbatimi i vendimit për masa të përkohshme, ndëshkohet me gjobë”. Më konkretisht me gjoba periodike ditore jo më shumë se 5 % të xhiros mesatare ditore në vitin financiar paraardhës sipas nenit 76 pika b), në mënyrë që ndërmarrja të veprojë në përputhje me vendimin për marrjen e masave të përkohshme sipas nenit 44 të këtij ligji dhe deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës në zbatim të nenit 74, pika 1, germa b te Ligjit.
Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar që masat e përkohshme duhet të zbatohen brenda 30 ditëve që nga momenti i marrjes dijeni të këtij vendimi nga ana e Vodafone.
Si nisi hetimi
Sipas vendimit, procedurat hetimore kanë filluar pas një ankese nga Shoqëria “Plus Communication” SHA kundër Vodafone Albania SHA për abuzim në tregun e telefonisë së lëvizshme në Shqipëri. Sipas Plus, Autoriteti i Konkurrencës mund të konstatojë se Vodafone ka operuar duke abuzuar me pozitën dominuese në treg në periudhën 01.01.2013-31.12.2013, nëpërmjet një sjellje përjashtuese agresive me objektiv të qartë eliminimin e operatorëve të vegjël nga tregu, duke penguar në mënyrë indirekte e të pakthyeshme zhvillimin e konkurrencës në sektorin e telefonisë celulare dhe, në veçanti, në tregun e pakicës dhe, si rrjedhim, duke cënuar konsumatorët shqiptarë në një perspektivë afatgjatë.
Problematika e tregut të telefonisë celulare është agravuar pasi rekomandimet e dhëna nga Autoriteti i Konkurrencës në Vendimin Nr. 303, datë 16.01.2014 pikërisht për barazimin e tarifave dhe ofertave brenda me jashtë rrjetit nuk janë zbatuar si nga AKEP ashtu edhe nga ndërmarrja nën hetim Vodafone, pavarësisht angazhimit publik të saj për zbatimin e këtyre rekomandimeve.
Pozita dominuese e Vodafone
Sipas hetimit të Konkurrencës, pjesët e tregut të Vodafone Albania në tregun e pakicës(sipas të ardhurave) janë më të mëdha se pjesët e tregut të 3 (tre) konkurrentëve të saj të marrë së bashku.
Nga vlerësimi i nenit 8 të Ligjit të konkurrencës, nisur nga pjesët e tregut, qëndrueshmërinë e pjesëve të tregut në vite, shkallën e përqendrimit në të gjithë treguesit, pengesat e hyrjes në treg; konkurrenca potenciale; fuqia ekonomike dhe financiare e ndërmarrjeve; fuqia kundërvepruese e blerësve dhe karakteristikat e tjera të tregut, rezulton se në mbështetje të nenit 3, pika 5 dhe nenit 8 të Ligjit nr. 9121 datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, por dhe nga praktikat më të mira të së drejtës evropiane të konkurrencës, ndërmarrja Vodafone Albania ka pozitë dominuese në tregun e telefonisë celulare me pakicë për periudhën 2013 – 6 mujori I- rë 2014.
Sipas vendimit nga vlerësimi i sjelljes se ndërmarrjes Vodafone Albania rezultoi se Vodafone, e cila zotëron 100 % të tregut të shitjes me shumicë (terminimit, i cili është një input i domosdoshëm për të kryer thirrje në rrjetin Vodafone) si dhe pozitë dominuese në tregun e pakicës sipas vendimit nr. 303/2014 të Komisionit të Konkurrencës. Pjesët e tregut të Vodafone Albania në tregun e pakicës(sipas të ardhurave) janë më të mëdha se pjesët e tregut të 3 (tre) konkurrentëve të saj të marrë së bashku.
Sjellja diskriminuese e Vodafone ndaj klientëve dhe konkurrentëve
Në mënyrë të detajuar vendimi i Komisionit të Konkurrencës argumenton sjelljen e Vodafone si antikonkurruese, detyruese për klientët dhe diskriminuese për konurrentët duke zbatuar efektin “club” që synon mbajtjen e abonentëve të kyçur në rrjetin e vet dhe nxjerrjen e konkurrentëve nga tregu.
Sipas Konkurrencës, Vodafone Albania ka aplikuar (për periudhën nën hetim 2013-gjysma e parë e vitit 2014) çmime shumë të ulta për thirrjet brenda rrjetit (nën tarifën e terminimit), për të cilet ndërmarrjet konkurrente nuk mund ta konkurrojnë në mënyrë fitimprurëse, pasi do ti duhet që të paguajnë inputin e domosdoshëm për të kryer një thirrje drejt rrjetit Vodafone, tarifën e terminimit.
“Raporti i trafikut brenda rrjetit krahasuar me atë jashtë rrjetit është shumë i lartë. Shtrembërimi i fluksit të trafikut të thirrjeve on-net/off-net shkaktuar nga diferencimi i çmimeve me pakicë on-net/off-net ka rezultuar në përkeqsimin e bilancit të operatorëve të tjerë, i cili sjell efektin e rritjes së shpenzimeve dhe dobëson pozitën e tyre në treg”, shkruhet në vendim.
Ekspertët thonë se devijimi i trafikut drejt on-net (ku Vodafone 95% të thirrjeve të tij i ka brenda rrjetit) është rezultat i zbatimit të diferencimit të tarifave midis praktikave për thirrjet on-net dhe off-net. Shtrembërimi i fluksit të trafikut on-net (Vodafone zotëron 52% të thirrjeve on-net/totalin e thirrjeve on-net të gjithë operatorëve) ka prirje për të të zvogëluar pjesët e tregut të operatorëve më të vegjël.
Të dhënat tregojnë se struktura e thirrjeve është e tillë që rrjetet ndërmjet tyre kanë një ndërveprim shumë të ulët dhe të papërfillshëm në krahasim me trafikun total të hyrjeve ndonëse sipas të dhënave të AKEP gjatë vitit 2014 ky tregues është në rënie, në sajë të masave që ka marrë AKEP per uljen e tarifave te terminimit në zbatim të vendimit 303 të Komisionit të Konkurrencës.
Nga hetimi ka rezultuar se Vodafone ka ofruar paketa në përbërje të të cilave ka thirrje zanore në numër shumë të madh(me dhjetra herë) minutash brenda club/ rrjetit dhe të kufizuara jashtë rrjetit; SMS dhe internet. Këto paketa ofrohen në mënyrë ofertash për të dy planet tarifore me parapagesë, Vodafone Card dhe Vodafone Club.
Strategjia diferencuese shfaqet më e theksuar në ofertat dhe paketat e hedhura për planin tarifor Vodafone Club, duke ju ofruar abonentëve të saj një numër shumë të madh thirrjesh (Minutash), SMS, MMS dhe Internet brenda rrjetit dhe më të kufizuara jashtë rrjetit. Ofertat e planit tarifor Vodafone Club janë më të shumta në numër, me bazë ditore, javore, mujore.
Konkurrenca thotë se “nëpërmjet ofertave Vodafone Club, i shtyn abonentët e vet që të kalojnë apo të zgjedhin këtë plan tarifor, pasi ofron një sasi shumë të madhe minutash, SMS, MMS dhe Internet brenda tij. Kalimi i abonentëve në planin tarifor Vodafone Club ka përfitime për komunikimin brenda këtij plani tarifor për shkak të njësive të shumta të ofruara në raport me cmimin e paguar. Ky diskriminim/diferencim të tarifave midis thirrjeve on-net dhe off-net, ka çuar në fenomenin e “club effect””.
Strategjia e aplikuar nga Vodafone lidhur me “portabilitetin për klientët në segmentin parapagesë” Vodafone Club, Vodafone Card ka qëllim të nxisë tërheqjen e klientëve tek Vodafone (kryesisht Vodafone Club), duke rritur bazën e numrit të abonentëve të saj kryesisht me forcimin e efektit “Club”; të ofrojë tarifa për klientët e rinj më të ulët sesa cmimet që u aplikohen klientëve aktualë të Vodafone; duke kushtëzuar sjelljen e konsumatorit shqiptar.
Si konkluzion vlerësohet se tregu është në kushtet e pozitës dominuese individuale të shoqërisë Vodafone Albanian në tregun përkatës dhe ka të ngjarë të ketë shkelje të nenit 9 të Ligjit nr. 9121 datë 27.03.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar, si dhe ekziston rreziku për të shkaktuar një dëm të rëndë dhe të pariparueshëm të konkurrencës.
Për arsyet e cituara më lart Komisioni ka vendosur marrjen e masave të përkohshme dhe Vodafone Albania Sh.a ndalohet të aplikojë tarifa në nivel me pakicë që kanë efekt diskriminues për sipërmarësit e rrjeteve të tjera celulare kombëtare.(marre nga Monitor)