Konsistenca është virtyt i mendjeve të vogla! Por jo të paudha!!
Nga Genc Pollo
Konsistenca është virtyt i mendjeve të vogla! Por jo të paudha!!
“Konsistenca është virtyt i mendjeve të vogla” thuhet se ka deklaruar dikur Napoleoni. Sipas tij e plot të tjerëve një burrë shteti nuk ka pse t’i lidhë duart vetes me deklaratat e tij të së djeshmes apo të së pardjeshmes. Pasi rrethanat ndyshojnë dhe vetëm budallai nuk ndërron mendje. Ky proverb, me moral deri diku të diskutueshëm, është vështirë të aplikohet në lëmin e jurisprudencës ku qartësia, njëkuptimësia e koherenca lipset të jenë parime udhëheqëse. Aq më tepër që traktati i të gjithë traktateve, ai i Vjenës i vitit 1969, parashikon parimin pacta sund servanda (neni 26) dhe e konsideron edhe si parim të pranuar universalisht (preambula § 3). Por firmat e votat e qeverisë rilindiste i kanë vënë në diskutim këto parime universale..
Më konkretisht në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) midis Shqipërisë e Bashkimit Europian e vitit 2009 thuhet se konkurrenca e lirë në treg nuk duhet të cënohet nga prokurimet e mbyllura apo nga favoret shtetërore ndaj kompanive të veçanta, dhe se kompanitë shqiptare dhe europiane nuk mund të defavorizohen në raport me ato jo-europiane. Ndërkohë që në marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara Arabe të nënshkruar më 26 nëntor 2020 nga ministri i punëve të jashtëme Edi Rama, thuhet se për zhvillimin e portit të Durrësit qeveritë mund të përcaktojnë vetë kompaninë përkatëse pa pyetur për ligjet në fuqi, si p.sh. prokurimi publik etj. (neni 6).
Ekspertët e të drejtës europiane e ndërkombëtare mendojnë se është e qartë se cila nga këto të dy norma prevalon ndaj tjetrës; midis normës Brukseli e normës Dubai, ata argumentojnë se për shkak se marrëveshja me Brukselin është një hap në një marrëdhenie që synon anëtarësinë në BE, asnjë marrëveshje me një shtet jashtë BE nuk mund të dhunojë MSA pa vënë në pikëpyetje marrëdheniet me BE; e në rastin më të keq, pa vënë në diskutim synimin e sinqertë për anëtarësim në BE. Madje edhe në rastin kur një marrëveshje si e Dubait duhet bërë për një arsye shtetërore fort të rëndësishme në këtë pikë qeveria devijuese, dmth Tirana, duhet medoemos të njoftojë Bashkimin Europian në Këshillin e Stabilizim Asociimit (KSA) dhe nuk duhet të mundësojë hyrjen në fuqi deri një muaj mbas njoftimit. Sa më sipër është detyrim i Shqipërisë sipas MSA (neni 56).
Marreveshja e Dubait ka hyrë në fuqi në fund të dhjetorit e Qeveria Rama nuk ka bërë asnjë lloj konsultimi me KSA duke e dëshmuar qartë vullnetin e saj.
Vullnetin e kësaj qeverie e kemi parë të shprehur në dy raste të ngjashme:
Rasti 1- aeroporti I Vlorës: qeveria miratoi me urgjencë në shkurt 2018 në Kuvend një ligj special i cili e jepte në konçesion ndërtimin e operimin e aeroportit një konsorciumi turk të afërt me hyqymetin. Opozita e denoncoi me forcë duke radhitur shkeljet ligjore si dhe duke shpjeguar dëmin e interesit publik nga mungesa e garës së hapur si dhe dyshimet konkrete për korrupsion. Komisioni Europian gjeti rrugën për të shprehur shqetësimet e tij, dhe si përfundim kjo nismë dështoi. Premtimi i Edi Ramës në 2017, se vlonjatët do e kishin avionin tek dera e shtëpisë shkoi me të shumtit e tij.
Rasti 2 – Teatri Kombëtar: në korrik 2018 qeveria, po me urgjencë, miratoi në Kuvend ligjin special Fusha që i falte kësaj kompanie troje pa fund në zemër të Tiranës me kusht që të ndërtonte një godinë të re; mbasi të shembej monumenti historik. Cfarë pasoi ishte një episod i shkëlqyer i qëndresës qytetare dhe i solidaritetit ndërkombëtar. Mbase sot mund të jenë harruar letra e shtatorit 2018 nga Brukseli për amendimin e këtij duke hequr emrin e Fushës e duke garantuar tender të hapur. Efekti epik i saj që më ka mbetur në kujtesë ishte momenti shvejkian i kryebashkiakut të Tiranës që në vijim deklaroi se “ligjin e kemi të mirë, por do e ndryshojmë pak që t’a bëjmë edhe më të mirë”. Sot ne nuk kemi godinë moderne për teatrin por vetëm një fitore momentale të barbarisë mbi kulturën si dhe një monument historik që pret të ringrihet. Por edhe Fusha i dy lalëve nuk kapi gjë.
Rasti i tretë, tashmë publik, është një projekt ligj, bazuar në marrëveshjen me Emiratet që autorizon qeverinë t’i japë një kompanie nga ky vend të tërë portin e Durrësit; pikërisht asaj kompanie që sipas Ramës pagoi darkën e Nusretit. Dhe t’ja japë pa kushte, kritere e proçedura. Kaq thotë p/ligji. Të tjerat i di qeveria; mbase edhe Nusreti.
Diçka më thotë se edhe ky i fundit do të dalë duarbosh si fusha e hyqymeti.