Koronavirusi dhe metafora e “armikut” të përjetshëm

Nga Shezai Rrokaj

Qysh prej përmbysjes së regjimit komunist në diskursin publik fjalën ‘armik’ e kishte zënë fjala ‘mik’. Armiqtë e dikurshëm, të mbiquajtur atëbotë me nofkën ‘socialimperialistë’, sot në socialdemokraci i kemi bërë miq, aleatë, dhe vendi ynë është përfshirë në shumë aleanca me ta. Mirëpo këto kohë fjalësi i ‘armikut’ tinzar, të padukshëm është bërë sërish pjesë e ligjërimit publik, duke u përcjellë në jetën tonë të përditshme.

Për një pjesë të qytetarëve që e kanë përjetuar kohën e diktaturës, apo shumë syresh që e kanë marrë informacionin e nevojshëm rreth saj, nuk ka sesi të mos u kujtohet parrulla ‘I gjithë populli ushtar’. Nuk ka sesi të mos kujtohen termat ushtri e parada në ditë festash, zbore e alarme e deri te trekëndëshi i edukimit në shkollë: mësim – aksion – stërvitje ushtarake. Për vite të tëra u ndeshëm me një armik të padukshëm që, për së largu, na shëmbëllehej me grekët, jugosllavët, rusët, angloamerikanët, pra të gjithë u bënë armiq, përveç nesh që qëndronim të mbyllur, por kinse të lirë.

Këtë ‘armikun’, e padukshëm, ne e masakruam me gjithfarë epitetesh përkeqësuese dhe gjithë jetën po përgatiteshim për t’u përballur me të. Prandaj, përveç përdorimit të armëve ne mësoheshim të përdornim veshje speciale si: syze speciale për goditjet atomike, kundërgaz për goditjet kimike dhe bakterologjike, uniforma trupore mbrojtëse etj. Gjithë kohën ne bashkëjetuam me gjendjet luftë, armik, sulm, me ndjesi që nga ato eksituese e deri te gjendjet dëshpëruese të lodhjes, sfilitjes por edhe të padurimit për shkak se ky armik nuk po na dilte, qoftë edhe njëherë të vetme, përballë. Ai ishte për ne i fshehur, tinëzar, i keq, vdekjeprurës, por i lirë, kurse ne të ngujuar brenda vetes (izolimi politik), por kinse të lirë.

Edhe ky koronavirusi i sotëm po shfaqet në diskursin publik i njëllojtë si ai armiku i djeshëm. Ai është tinëzar, vdekjeprurës, i padukshëm; kurse ne po rezistojmë, po përballemi dhe po e ‘sfidojmë’(si kështjella dikur), duke u izoluar në shtëpi. Kur dalim, si dikur në stërvitje, përdorim maska, doreza, dezinfektantë, veshje të posaçme etj. Të mbyllur dhe vigjilentë kundër armikut të padukshëm, të lirë!
Metafora e armikut të padukshëm, tinëzar, bashkë me të jetuarit si në luftë, e përdorur në krahasim me të shkuarën, qoftë edhe vetëm për shkak të ngjashmërisë formale, duket se po bren si acid vetëdijen e qytetarëve tanë tek të cilët, më shumë se kush tjetër, psikoza e izolimit është asgjësuese. Këtë psikozë shkatërruese të vetëdijes po e ushqen fjalori ad hoc i armikut e luftës apo i izolimit, që shqiptohet butësisht si distancim social.

Lidhjet kësodore me të shkuarën përmes analogjive terminologjike në diskursin publik tregojnë tundimin e vetëdijshëm për një pjesë, por edhe të pavetëdijshëm për një pjesë tjetër për ta shtyrë a rigjetur veten në arketipin e vetëdijes sociale. Kësaj sjelljeje verbale analogjike i duhet dhënë fund, sepse ajo është një virus shumë më i dëmshëm sesa vetë koronavirusi. Të jetosh me psikozën e armikut të padukshëm të përjetshëm; të izolohesh pa afat (vendet e tjera kanë hartuar afate kohore të distancimit social), sikundër ndodh këtu tek ne është njësoj sikur mikrobit t’i japësh lirinë dhe për vete të zgjedhësh asfiksimin. Përballja nuk është vetëm sfidë e bluzave të bardha dhe të gjithë atyre që janë në vijën e parë të frontit, ndaj të cilëve gjithkush shpreh mirënjohje. Por përballja fizike dhe ekonomike, edhe sikur të ishte e përsosur, nuk mjafton. Duhet përballja përmes ndërtimit të një psikologjie sociale sfiduese, e cila vjen përmes edukimit të shoqërisë. Dhe ky edukim fillon me transparencën mbi gjithçka që lidhet me këtë situatë pandemie, duke iu larguar mendësisë së armikut tinëzar, të rrezikshëm, apo stimulimit të anktheve me makabritete vdekjesh hipotetike. Edhe miratimi i ligjeve drakoniane, si mjet presioni shpëtimi bën efektin e kundërt. Përkundër tyre duhet të zërë vend fjalori i edukimit me situata të tilla, i cili nxit frymën e dialogut real e të sinqertë përmes transparencës, bashkëpunimit dhe mirëbesimit të ndërsjellë si dhe të krijimit të një fronti publik që me vetëdije bashkohet për t’i bërë ballë e për ta mposhtur të keqen.

SHKARKO APP