Korrupsioni është pengesa kryesore për ekonominë dhe investimet

Nga Dr. Bledar Kurti –

Sipas raportit “Doing Business 2020” të Bankës Botërore Shqipëria renditet e 82-ta, Maqedonia e 17-ta dhe Kosova e 57-ta. Kjo e bën vendin tonë të fundit në Rajon e ndër të fundit në Kontinent për klimën e biznesit.

Ndaj edhe kompanitë serioze perëndimore nuk investojnë në Shqipëri. Vendi ynë, me një potencial të jashtëzakonshëm privohet nga një ekonomi e zhvilluar dhe investime të huaja vetëm për shkak të korrupsionit qeveritar.

Këtë e shprehu edhe Dhoma Amerikane e Tregëtisë e cila shprehet e shqetësuar që Shqipëria renditet në vendet e fundit në rajon sa i përket thithjes së investimeve amerikane.

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë Enio Jaço, u shpreh para pak kohësh se ndikim negativ ka niveli i korrupsionit, sistemi i taksave dhe krijimi i monopoleve.
“Shqipëria ka një bilanc tregtar prej 100 milion dollarësh me SHBA, i cili është shumë i ulët. Po ta krahasojmë bilancin tregtar të Maqedonisë së Veriut me SHBA është 2.3 herë më i lartë, pra 230 milion dollarë”, tha Jaço.

Taksat dhe korrupsioni mbeten shqetësimet kryesore për shqipërinë në një kohë kur tregu rajonal po liberalizohet.

“Tregu i Ballkanit Perëndimor po liberalizohet dhe një nga investitorët e ndryshëm marrin është se në cilin vend të Ballkanit do të investojnë”.
“Madje në renditjen e Doing Business në rajon Shqipëria renditet e fundit. “Shqipëria rënditet e 82-ta në klasifikimin botëror, Mali i Zi e 50-ta, Kosova e 57-ta, Serbia e 44-ta, Maqedonia e Veriut e 17-ta”, deklaroi kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Raporti Doing Business 2020 i Bankës Botërore konstaton se:

– Biznesi i ryshfeteve është zgjeruar ndjeshëm në 6 vitet e fundit teksa kompanitë shqiptare janë detyruar të paguajnë më shumë nën dorë për zyrtarët e shtetit.
– Sipas Bankës Botërore për vitin 2019, mbi 36% të bizneseve shqiptare u është kërkuar të paktën një herë ryshfet nga zyrtarët e shtetit. Kjo shifër është tre herë më e lartë se mesatarja e rajonit dhe mbi dy herë më e madhe se sa mesatarja botërore.
– Por, përtej krahasimit me vendet e tjera, korrupsioni është përkeqësuar edhe në kohë. Sipas Bankës Botërore, krahasuar me vitin 2013, frekuenca e ryshfeteve është rritur me gati dy herë, nga 20.6% që ishte atëherë në 36.1% sot. Madje frekuenca aktuale e ryshfeteve, sipas Bankës Botërore është më e lartë edhe se sa në vitin 2005.
– Në vrojtimin për bizneset Banka mat një sërë treguesish që lidhen me korrupsionin.

Përveç kërkesave për ryshfet, ajo mat edhe thellësinë e këtij treguesi, përqindjen e kompanive që japin para nën dorë për inspektorët e taksave si dhe atë të bizneseve që japin dhurata për të marrë kontrata nga qeveria.

Të gjithë këta tregues janë përkeqësuar në rend dyfish.

Një situatë e tillë e një niveli kaq të rëndë korruptiv dhe një terreni aspak të papërshkatshëm për klimën e biznesit, e krijuar nga qeveria aktuale, dëshmon se ajo jo vetëm nuk mund të jetë zgjidhja por është problemi për zhvillimin ekonomik të vendit, sidomos në realitetin e ri ekonomik në të cilën është përfshirë mbarë bota.

Zgjidhja e vetme është një qeverisje e re. Një qeverisje që ka si filozofi zhvillimin dhe jo përfitimin apo favorizimin e një grushti oligarkësh.

Shembujt e suksesit të zhvillimit ekonomik i kemi fare pranë nesh.

Maqedonia e Veriut është njëra prej tyre. Me një strategji zhvillimore që duhet marrë si model e cila ka thithur edhe bizneset shqiptare për shkak të kushteve tejet të favorshme për investime që ka vënë në zbatim.

Më 25 prill shqiptarët duhet të votojnë për ndryshimin e madh. Për një qeverisje më të mirë që sjell zhvillim ekonomik, stimulon investimet vendase dhe thith investime të huaja.
Që të rritet punësimi dhe të promovohen produktet Made in Albania. Që të rinjtë tanë të mos largohen dhe vendi të mos shpopullohet.

Që Shqipëria të nisë e të jetë një vend dinjitoz dhe europian, ashtu siç i takon të jetë, jo nesër por dje, jo në të ardhmen por vite më parë.

SHKARKO APP