Kosova “mon amour”

Nga Artur Zheji

Sot apo më saktë në 48 orët e fundit, ka një mori të madhe temash ku ia vlen të shkruash, të thellohesh dhe të dyshosh. Gjerë e gjatë. Sepse me sa duket, muaji shkurt, në ditët e tij më të shkurtra sesa muajt e tjerë ka ndërmend të hakmerret ndaj muajve të tjerë, për sa i përket dendësisë së lajmeve dhe bëmave që po ndodhin në fillimet e 28 ditëve të tij.

Padyshim, lajmi më i fundit, i arrestimit të Shpëtimit, Shpëtim Gjikës pra, qytetar i parë i Vlorës deri dje, përpos një drame personale të kryebashkiakut, përpos një goditjeje të fortë nga ana e Prokurorisë së Vlorës, që kryesohet sot nga prokurori i djeshëm Troci, ngulitur në kujtesën kolektive si “arrestuesi” i ish-Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Fullani, është edhe një labirinth për të cilin do të flitet gjatë.

Kriticizmi i Presidentit Nishani, që përpos të tjerave, akuzon Ministrinë e Jashtme të Republikës së Shqipërisë për fshehje të ftesave dhe të tjera si këto, do të meritonte edhe kjo një shkrim më vete. Shkrim edhe ky, të gjerë e të gjatë. Të gjerë e të gjatë sa më s’ka.

Edhe propozimi, nga ana e Ramës, për të emëruar ambasador të Republikës sonë në Shtetin e Vatikanit shkrimtarin Visar Zhiti, deputet të grupit parlamentar të Opozitës të Partisë Demokratike, muajt e fundit të vitit 2013, Ministër i Kulturës së Qeverisë Berisha, do të përbënte padyshim, një super subjekt për analizë. Politike. Por edhe njerëzore, nëse kujtojmë faktin e freskët tragjik të këputjes së një Ylli, që edhe ishte në të vërtetë, humbja e djalit të shkrimtarit Zhiti. Të cilin e njoh, të paktën që nga viti 1988, kur gjindej i internuar në Lushnjë. Njohje që korrespondon edhe me frekuentimet e shpeshta të Ramës, sot Kryeministër, të qytetit të Lushnjes dhe të një grupi intelektualësh, që strehoheshin varfërisht, por me dinjitet në atë qytezë bujqësore.

Por gjithashtu mund të flitet, gjerë dhe gjatë për Përmbytjen. Për tërbimin e Vjosës dhe tërbime të tjera. Për marrëzinë njerëzore, që ndërton verbtazi në shtrat të lumit të tërhequr në verë, duke harruar që ka dhe dimër, për marrëzinë dhe neverinë korruptive që ka vjedhur dhe vjedh paratë e digave, argjinaturave, hidrovoreve, duke vrarë ekonominë e krejt zonës dhe padyshim, në një moment të dytë, edhe veten.

Gjithmonë në Shkurt, muaj që edhe sikur të mbaronte nesër pra, ka kyçur kaq ngjarje brenda vetes, (pale ç’do të ndodhë në ditët në vijim, se reshjet po rizgjohen dhe Shpëtim Gjika është në spital nën rojen e policëve) ndodhi edhe një superngjarje tjetër:

Kemi më në fund Guvernatorin e ri, të Bankës së Shqipërisë.

Një Guvernator që mori 105 vota në Kuvend. Simbas rendit, vota të PS-LSI-PD. Dhe ndoshta edhe të ndonjë subjekti tjetër. Por ky votim, kaq i plotë dhe kaq i bollshëm, ky bashkim politik votash, u bë në përmbyllje të një seance, e cila në 2/3 e saj kishte vetëm konflikt dhe sherrnajë ekstreme. Pikërisht kur në përfundim, apo në Epilog të këtij Super-Sherri, që thirret edhe seance parlamentare, do të ishte e logjikshme të dilnin “thikat dhe shpatat”, dolën kartonët jeshilë të dakordësisë, harmonisë dhe kompromisit politik trasversal.

Në favor të zotit Sejko. Tanimë Guvernator. Pra, edhe kjo super temë e Shkurtit, do të mjaftonte për debate, analiza, duartrokitje apo spekulime.

Nga të gjitha këto tundime, të cilat nuk e pushojnë aspak ngacmimin e tyre, përzgjodha të stivoj ca radhë mendimesh dhe refleksionesh për Kosovën dhe dukurinë e tmerrshme që po ndodh aty këto ditë.

“Hiroshima mon amour”, është një film i famshëm i regjisorit Alain Resnais, të vitit 1959, që të trondit nëse e sheh edhe sot. Është një tragjedi që bartet dhe nuk shlyhet edhe mbas shumë vitesh. Edhe në Kosovë, ka ndodhur dy, tri herë, një bombë shfarosëse si ajo e Hiroshimës. Nga vitet 1800, në fillim të viteve 1900 dhe në fund të shekullit XX, pak përpara çlirimit të saj.

Kanë kaluar 16 vite nga Çlirimi i Kosovës, aq sa kishin kaluar nga shpërthimi i bombës A, atomikes shfarosëse pra që rrafshuan Hiroshimën dhe Nagasakin në Japoni. Si ka mundësi pra, që 16 vjet pas masakrave të frikshme dhe deportimeve masive serbe, rreth 55-60.000 shqiptarë të Kosovës kërkojnë nënshtetësinë serbe, që të pajisen me një pasaportë të vlefshme për të emigruar jashtë Kosovës?

Çfarë ka ndodhur në këto vite në Kosovë?

Përse vrapohet me një panik rrënqethës drejt stacioneve të autobusëve, për një “deportim” vullnetar jashtë Kosovës? Si gazetar dhe reporter zemërdridhur i Luftës së Kosovës, nga Radio Radicale, Romë apo nga ish e famshmja TVA nga Tirana, kujtoj dy momente epike në Kosovë.

Momenti i Parë, Spastrimi Etnik i organizuar nga serbët e Millosheviçit në vitin 1998-‘99, ku përveç autobusëve të shoqëruara nga paraushtarakët, u përdorën edhe trenat, që tronditën Europën me ngjashmërinë e tyre, me trenat e shfarosjes së hebrenjve të Aushvicit apo të Dakaut.

Momenti i Dytë. Rikthimi. Rikthimi Epik, me dyshekë, foshnja, batanije, tenxhere, jastëkë dhe Shpresa. Shumë Shpresa, për një Kosovë të Lirë dhe të Rilindur. Dhe kjo pasoi me Rindërtimin. Rindërtimin e të gjitha shtëpive të djegura barbarisht dhe si raprezalje e qëllimshme, nga ushtria serbe në tërheqje.

Sot po ndodh sërish eksod. Sepse sot përjetohet zymtësisht dhe pa dorashka Zhgënjimi dhe Paniku. Reagim i trishtuar i talljes politike. I një klase politike egoiste, meskine dhe grabitqare. Mbi një popull me vuajtje dhe katastrofa humanitare pothuajse dyshekullore. Që lë pas një shije po aq të hidhur, në mos më shumë të hidhur sesa vetë Spastrimi Etnik i serbëve. Fatmirësisht i dështuar. Po i Rilindur nga vetvetja.

Kosova, mon amour. Sepse klasa jonë simetrikisht e ngjashme politike, pëshpërit me vete pas çdo mëkati: “Apres moi, le deluge”. Pas Meje, le të vijë përmbytja e madhe.

Dhe Përmbytja po vjen.

"Mapo"

SHKARKO APP